Task Forca për Reformën Rregullatore vendos reduktimin drastik të afateve për pajisjen me licenca

- Kryeministri u shpreh se këto reforma duhet të jenë të hekurta, të zbatohen me vendosmëri të madhe dhe mbi të gjitha të realizohen sa më shpejtë
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh sot Task Forca për Reformën Rregullatore. Në këtë mbledhje u diskutua kryesisht për reduktimin në maksimum të afateve për pajisjen e subjekteve me leje dhe licenca, si dhe për reformën në sistemin e inspektimit.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se kjo Task Forcë ka një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm, qe konsiston në avancimin e të gjitha reformave që zgjerojnë më shumë standardet liberale të ekonomisë së tregut, krijojnë klimën më të favorshme për investime, lehtësojnë të gjitha burokracitë ndaj bizneseve. Nga kjo reformë, u shpreh Kryeministri, varet i gjithë zhvillimi ekonomik, nxitja dhe inkurajimi i biznesit.
Kryeministri Berisha vlerësoi veprimtarinë e deritanishme të bërë nga Qendra Kombëtare e Licencave, por theksoi se kjo qendër e ka të domosdoshme për t’u shkëputur edhe më shumë nga burokracia e miqësive dhe institucioneve të tjera. “Kjo nënkupton afate shumë më të shkurtra në shërbimet që iu serviren qytetarëve. Shqipëria nuk mund të presë, biznesi nuk mund të presë”, u shpreh Kryeministri.
Pas diskutimeve të zhvilluara dhe një ekspozeje që drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Licencimit i bëri procedurave të licencimit, Kryeministri Berisha kërkoi më shumë bashkëpunim nga ministritë e linjës për reduktimin në maksimum të afateve për pajisjen e subjekteve licenca të kategorisë së tretë. Kjo kategori licencimi bëhet pas aplikimit në Qendrën Kombëtare të Licencimit, por më pas, kërkesa i përcillet ministrive të linjës, veprimtaria e të cilave lidhet me licencat përkatëse.
Nisur nga vendimet e marra në këtë mbledhje, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministritë që të sjellin brenda një afati sa më shkurtër ndryshimet në kuadrin ligjor, në mënyrë që të nisë sa më shpejtë zbatimi i afateve të reja për marrjen e lejeve dhe licencave.
Më tej, u diskutua edhe lidhur me reformën në sistemin e inspektimit, e cila synon që eliminimi i pengesave dhe burokracive në regjistrim dhe licencim të plotësohet me eliminimin e pengesave në inspektim. Për këtë, kërkohet një kombinim i arritjeve në regjistrim dhe licencim me transformimin e modelit të inspektimit në Shqipëri.
Kryeministri Berisha e cilësoi reformën në sistemin e inspektimit si një aspekt jetik për të lehtësuar biznesin. Kryeministri nënvizoi se qeveria ka punuar në këtë drejtim, duke kontraktuar ekspertë nga më të mirët e fushës. Më tej, Kryeministri u shpreh se kjo reformë duhet të jetë një reformë e hekurt, duhet të zbatohet me vendosmëri të madhe dhe, mbi të gjitha, duhet të realizohet sa më shpejtë. Kryeministri Berisha kërkoi që t'i jepet forma përfundimtare problemit të inspektimit në Republikën e Shqipërisë.
13/10/2009