E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi viziton Bashkinë e Ljubljanës.

14 tetor 2009
Ljubljanë, Slloveni

Dje, në ditën e parë të vizitës së tij shtetërore në Slloveni, me ftesë të Presidentit Danilo Tyrk, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të një delegacioni zyrtar të përbërë mes të tjerësh edhe nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, nga Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani dhe funksionarë të lartë të Ministrisë së Jashtme, zhvilloi një vizitë në Bashkinë e Ljubljanës ku u prit me të gjitha nderimet e rastit nga Kryetari i kësaj Bashkie, zoti Zoran Jankoviç dhe anëtarë të këshillit bashkiak.

Pasi i uroi mirëseardhjen Kreut të Shtetit shqiptar dhe delegacionit zyrtar, Kryebashkiaku slloven shprehu urimet më të mira për sukseset e Shqipërisë siç ishte anëtarësimi në NATO dhe përparimi i saj në rrugën e integrimit evropian. Zoti Jankoviç vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të pushtetit vendor dhe proceseve të binjakëzimeve me qytete të ndryshme ballkanike dhe në shenjë nderimi, i dhuroi Presidentit Topi një pjatë të kristaltë të gdhendur me motivet e Pleçnikut.

Presidenti Topi pasi e falenderoi për mikpritjen, e përgëzoi Kryetarin e Bashkisë së Ljubljanës për konservimin dhe reastaurimin e kryeqytetit slloven, i cili është zgjeruar duke ruajtuar njëkohësisht edhe identitetin e tij duke vënë në dukje se: “shihet qartë ravijëzimi modern dhe ruajtja e mendësisë së qyteteve të vjetra të Evropës duke mbajtur ekuilibrat e duhur harmonikë mes zhvillimit urban dhe natyrës”.

Presidenti Topi i dhuroi Kryebashkiakut slloven Jankoviç Kullën e Sahatit të Tiranës, simbolin më të veçantë të kryeqytetit shqiptar duke lënë edhe një shënim në formë urimi në Librin e Artë të Miqve të Bashkisë së Ljubljanës.

* * *

Gjatë ditës së sotme, Presidenti Topi në krye të delegacionit zyrtar që e shoqëron vizitoi Kështjellën e lashtë të Ljubljanës. Më pas Presidenti Topi udhëtoi drejt qytetit historik të Bledit, i mikpritur nga Kryebashkiaku Janey Fajfar, ku vizitoi Kështjellën e Bledit dhe shtypshkronjën e vjetër të kështjellës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›