Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e ekspozitës “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”
Dokumentet që ju paraqisni sot, para nesh, janë një dëshmi e pavdekësisë së kombit shqiptar.
Qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet që këto vlera dhe të tjera të jashtëzakonshme që pasurojnë fondin kishtar, kulturor, shpirtëror të kombit tonë të ruhen e zhvillohen gjithnjë e më shumë.
Nën kujdesin dhe praninë e Kryeministrit Berisha, u çel sot, në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”. E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, studiues etj..
Ekspozita ka për qëllim njohjen e studiuesve dhe publikut me një pjesë të pasurive dokumentare, që lidhen me traditën dhe historinë e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine. Mes 44 kodikëve që mbulojnë një periudhe historike nga shekulli VI deri në shekullin e XVIII, janë ekspozuar edhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht juve, punonjësve të Arkivit Qendror dhe të arkivave të mbarë vendit, për punën e shkëlqyer që bëni dhe përkushtimin e madh që keni dëshmuar dhe dëshmoni në ruajtjen, mbajtjen e vlerave më të pazëvendësueshme të krijimtarisë së gjithanshme të kombit, që nga kohërat më të hershme, gjer në ditët e sotme.
Së dyti, dua t’ju falënderoj me shumë respekt dhe mirënjohje për këtë ftesë që më bëtë për të asistuar në këtë ekspozitë, e cila ofron para nesh libra, dokumente të shkruara këtu e 1500 vjet më parë, për punën e madhe që ju bëtë për ruajtjen e këtyre dokumenteve, për ekspozimin e tyre, e cila ka një vlerë shumë të madhe.
Dokumentet që ju paraqisni sot, para nesh, janë një dëshmi e pavdekësisë së kombit shqiptar. Të shkruara shekuj e mijëvjeçarë më parë, të shkruara në greqisht dhe latinisht, në çdo germë, ato mbartin në vetvete krijimin shqiptar. Dora mjeshtërore e shqiptarëve që i shkruan ato, bëri të mundur që ato të ruhen, të njihen në mbarë botën dhe disa prej tyre t’i përkasin memories së njerëzimit. Dokumentet janë të shkruar në greqisht, ka dhe syresh të shkruara në latinisht. Ato ishin gjuhët që dominonin kohërat, gjuhët që përdornin kombet e qytetëruara. Por dokumentet kanë një dëshmi tjetër të thellë. Po t’i ndiqni me vëmendje, ato faktojnë kontributin e shqiptarëve si komb themelues i krishterimit dhe i qytetërimit perëndimor. Dhe akoma më shumë, këto dokumente dëshmojnë se, ndonëse mbi trungun e kombit ra një vijë ndarëse, vijë e cila ndau kishën, por kombi mbeti një dhe i pandarë. Dhe kjo është një dëshmi tjetër madhore e dokumenteve që ne shohim sot. Më vonë, jashtë këtij konteksti, një doktrinë tjetër fetare u kontraktua nga shqiptarët. Sërish, kombi mbeti një dhe i pandarë. Të vendosura edhe në këtë kontekst, dokumentet, që ne shohim sot, shkëlqejnë edhe më shumë, marrin një vlerë e më të madhe.
Dokumentet kishtare, Kodiku i Purpurt, kodikët e tjerë janë një pasuri e madhe, ndër më të mëdhatë që një komb disponon nga kohërat e mëparshme, por ato kanë edhe një gjuhë tjetër, një fjalë tjetër, dëshmojnë sesi shqiptarët, elita e tyre i mbrujti, i ruajti, i përcolli ato brez pas brezi. Berati dhe qytetet e tjera të vendit në shekuj njohën gjer në rrafshime barbare, por kodikët mbijetuan nga gjenerata në gjeneratë, për të ardhur si dëshmi e pavdekësisë së këtij kombi. Princërit, aristokratët shqiptarë e shndërruan mbrojtjen e tyre në çështje nderi, i mbrojtën dhe i përcollën. Nuk ka asgjë më mahnitëse, sesa saga që kodikët përshkuan për të ardhur kështu, të artë, në duart tona, sot.
Unë, me këtë rast, dua t’i shpreh një mirënjohje të thellë Kishën Autoqefale Shqiptare, Fondacionit Helenik të Kulturës, Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë për sponsorizimin dhe mbështetjen e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm. Dua gjithashtu t’ju siguroj ju dhe punonjësit e arkivave, Arkivit Qendror dhe arkivave të tjera, se qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet që këto vlera dhe të tjera të jashtëzakonshme që pasurojnë fondin kishtar, kulturor, shpirtëror të kombit tonë të ruhen e zhvillohen gjithnjë e më shumë, që teknikat më moderne të disponohen nga ju, në mënyrë që këto vlera të ruhen sa më mirë, por të mund të bëhen disponibël në kushtet më të favorshme, për të gjithë ata që janë të interesuar për njohjen e tyre. Edhe një herë urimet më të mira.”
03/05/2010