Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve në rrugën turistike Krujë - Sarisalltik
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve në aksin Krujë – Sarisalltik. E cilësuar nga Kryeministri Berisha, si një nga rrugët më të bukura turistike në vend, kjo rrugë do të përfundojë brenda 15 muajve dhe kap vlerën e 340 milionë lekëve, me një gjatësi prej 6.3 kilometrash. Në këtë inaugurim përveç banorëve të shumtë, merrnin pjesë edhe Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike Sokol Olldashi, pushtetarë vendorë dhe deputetë të zonës.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha u shpreh:
Zoti ministër, zotërinj deputetë, zoti kryetar i Bashkisë së Krujës, kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës, zoti prefekt, të dashur qytetarë dhe qytetare të Krujës!
Së pari ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time të madhe që inaugurojmë sot fillimin e punimeve për asfaltimin e dhe ndërtimin e njërës prej rrugëve më turistike të Shqipërisë, më të bukura, rrugës që çon në majën e vendit të shenjtë, në Sarisalltik. Kjo rrugë do t’i japë një gjallërim shumë të madh kësaj zone, si për pelegrinazhin, që bëhet në teqen e Sarisalltikut, ashtu edhe për mundësitë e mëdha turistike që jep ngjitja në majën e këtij mali. Kruja është një nga, ose ndoshta, epiqendra e turizimit dhe historisë së Shqipërisë. Në rrugën e Sarisalltikut, këto dimensione zgjerohen shumë më tepër.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Krujës.
Ky vit ka qenë një vi i madh në historinë tonë, vit në të cilin ne, që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, shënuam hapat më të mëdha, arritjet më historike, në drejtim të integrimit tonë në botën e lirë, integrimit tonë në NATO, integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Në prill, ne patëm ngjarjen më historike që nga pavarësia e Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO; më 28 qershor fitoren më historike pas 22 marsit të demokracisë shqiptare, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që qeveris sot; më 16 nëntor vendet anëtare të Bashkimit Evropian pranuan kërkesën tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian; gjatë tetorit dhe nëntorit u mor vendimi politik për heqjen e vizave, sapo Shqipëria dhe shqiptarët të plotësojnë kushtet teknike. Kurrë ndonjëherë në një hark kohor kaq të shkurtër, nuk kemi patur vendime kaq të mëdha dhe pozitive për secilin prej nesh, për Shqipërinë në tërësi, për shqiptarët në tërësi.
Duke ardhur këtu te ju, nga zyra ku po punoja, tek dritarja ime, një grup qytetarësh protestonin. Dola dhe i përshëndeta. I përshëndeta në mënyrë të sinqertë se kjo është meritë e demokracisë, të protestojnë. Disa prej tyre e mirëpritën përshëndetjen time, të tjerë u acaruan nga përshëndetja ime. Por dua t’u them edhe atyre se përshëndetja ime ishte shumë e sinqertë, sepse në këtë sistem, në këtë regjim dhe në këtë pushtet çdo njeri ka dhe do të ketë tërësisht të garantuar të drejtën e protestës së lirë, për çfarëdo që ai mendon. Kjo është një arritje e pacenueshme për çdo qytetar, ndaj dhe unë i përshëndeta me shumë kënaqësi protestuesit te dritaret e mia.
Natyrisht duke mbetur gjithmonë i hapur dhe ftues për zotin Rama, që të rikthehet në parlament, të vazhdojmë dialogun, të vazhdojmë bashkëpunimin për reformat dhe procesin e integrimit, pasi të gjitha këto tingëllojnë si një anakronizëm për të bllokuar heqjen e vizave apo për të bllokuar vendimin për statusin e kandidatit dhe këto vendime janë marrë tashmë dhe nuk ka më pengesë dua t’i them këtu nga Kruja e Skënderbeut një gjë: Jam dhe do të mbetem i hapur në respekt të plotë të rolit jetik, të rëndësishëm të opozitës dhe për bashkëpunim me të. Por, jo vetëm me qen të rrahur dhe me koska mafioze të tipit Gramoz Ruçi, por edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, harroje se mund të ndryshosh vendimet e gjykatave të këtij vendi të lirë apo mund të shkelmosh shtetin ligjor. Jo, kjo nuk mund të ndodhë, ndaj edhe mos i mashtro njerëzit për karrigen tënde, por hajde të ulemi në parlament të vazhdojmë reformat, se vendimet e gjykatave janë të paprekshme. Ka vendosur gjykata që nuk mund të ketë rinumërim dhe atë vendim e ka marrë si kundër teje, ashtu edhe kundër meje. Edhe ne kërkuam rinumërimin e Fierit dhe gjykata e hodhi poshtë. Atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të punojmë së bashku për zgjedhjet e ardhshme. Janë edhe rreth 1160 ditë, gjer në vitin 2013, me durim të ulemi, të përgatisim, të përmirësojmë të gjitha ato që janë për t’u përmirësuar. Zgjedhjet nga e gjithë bota u identifikuan si zgjedhjet më të mira që ka njohur Shqipëria. Ndaj dhe ne, të dashur qytetarë dhe qytetare, jemi të vendosur me përkushtim të madh të bëjmë çdo përpjekje që ju gjatë 6-mujorit të parë, të keni vendimin përfundimtar të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave, pra të lëvizni të lirë në mbarë Evropën. Këtë prisni ju, këtë kanë dëshiruar baballarët tuaj, këtë kanë dëshiruar gjyshërit dhe stërgjyshërit, këtë kanë pritur shqiptarët në dhjetëra dhe qindra vite, këtë po e shndërrojmë në realitet.
Së dyti, ju garantoj që ai vendim që u mor më datë 16 nëntor do të shndërrohet progresivisht në një mirësi të prekshme nga çdo qytetar shqiptar. Ne po e ndryshojmë Shqipërinë dhe po i japim asaj pamjen evropiane. Ne po ngjitemi drejt majave se ato na presin dhe vërtetë kjo është një rrugë e shkurtër me 342 milionë investim, por është një rrugë që kap një majë dhe nuk ka asnjë aspiratë më të drejtë të njeriut se sa të ngjitet sa më lart në interesin më të mirë të tij, të familjes dhe të vendit të tij.
Faleminderit!21/11/2009