E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv.kryeministri Pollo : Rishikim i tapive abuzive, 68 mijë m2 të hequra zaptuesve

Zëvendëskryeministri Genc Pollo dhe njëkohësisht Kryetari i Komisionit Qeveritar të Tokës gjatë një interviste për verifikimin e titujve të pronësisë, është shprehur: 

“Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë i ka dhënë tashmë produktet e para: Tokave të ndara kundraligjshëm duke abuzuar me Ligjin 7501 u anulohet tapia, titulli i pronësisë.

Ka pasur raste skandaloze si zaptimi përmes falsifikimit dhe abuzimit të oborrit të shkollës në Libofshë, në rrethin Fier ose zaptimi i tokës së parashikuar për varreza në fshatin Dermenas, po në Fier. Komisioni vendor pranë prefekturës mori vendimet e duhura duke zbatuar ligjshmërinë, duke ndëshkuar zaptuesit dhe duke i bërë një shërbim të çmuar komuniteteve të Libofshës dhe Dermenasit. Tashmë nxënësve të  Libofshës u është rikthyer oborri i shkollës i zaptuar prej më shumë se 10 vjetësh ndërsa banorët e Dermenasit do të mund të ndërtojnë varrezën e fshatit në token e planifikuar.

Gjithsej deri tani i janë marrë zaptuesve afërsisht 68 mijë m2 (në prefekturën Fier 32 mijë m2, në Vlorë 30 mijë m2 etj.)

Por me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistik  dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundraligjshme.

KQT dhe komisionet vendore po punojnë dhe së shpejti priten vendimet e para  për duzina hektarësh që do tu hiqen zaptuesve. Kështu  korrigjohen padrejtësitë e bëra në të shkuarën nga ofiqarë abuzivë dhe nga  persona privatë të panginjshëm. Kështu i kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin  e ish-pronarëve.”


25/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›