E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon kongresmenin amerikan Robert Aderholt

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komisionit te Sigurisë dhe Bashkëpunimit me Evropën ne Kongresin Amerikan i njohur si Komisioni i Helsinkit.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi Kongresmenin për mbështetjen që Kongresi amerikan, qeveria amerikane, Presidenti dhe taksapaguesit amerikanë iu kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve dhe në veçanti, mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin në NATO.

Duke falënderuar për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, Kongresmeni Aderholt i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet nga miq të shumtë të tij dhe të Shqipërisë në SHBA. Kongresmeni Aderholt theksoi se SHBA-të do të vijojnë këtë mbështetje ndaj Shqipërisë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit, në interes të së mirës së të dy kombeve tanë miq.

Në vijim, kryeministri Berisha e njohu Kongresmenin Aderholt me reformat e rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në të gjitha fushat dhe arritjet e rëndësishme të kësaj periudhe, në veçanti vendimin e Këshillit për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë per anetaresim në BE dhe përgatitjen e dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit në KE nga ana e Shqipërisë, si dhe vendimin e fundit historik të Komisionit për të propozuar heqjen e vizave për shqiptarët. “Pas anëtarësimit në NATO, kjo është ngjarja më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, e cila do i sjellë ata më pranë Evropës dhe realizimit të ëndrrës së kombit për rikthim në familjen evropiane”, u shpreh kryeministri Berisha.

Kongresmeni Aderholt vlerësoi reformat e jashtëzakonshme dhe arritjet të cilat cilësoi si mbresëlënëse. Në këtë kontekst zoti Aderholt i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin e tij, për realizmin e projektit madhështor të rrugës së kombit, të cilën Kongresmeni pati rastin ta vizitojë gjatë kësaj vizite, duke e vlerësuar atë si një vepër madhore.

Duke shprehur dhe njëherë mbështetjen e plotë të SHBA-ve, Kongresmeni amerikan shprehu edhe njëherë vlerësimin për zgjerimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi shumë të suksesshwm mes dy vendeve në të ardhmen.

Pas takimit Kryeministri Berisha shtroi një darkë kongresmenin Aderholt dhe miqtë amerikanë , të cilët e shoqëronin.


31/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›