E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet Kongresin e Dytë Ndërkombëtar të Studentëve të Shkencave Mjekësore

Profesioni i mjekut, i infermierit është profesioni i një sage sakrificash të mëdha njerëzore, por asgjë nuk e fisnikëron, nuk e vitalizon dhe nuk e gjallëron më shumë atë, sesa kërkimi shkencor dhe duhet t’ju them se kërkimi shkencor në mjekësi, djepin e ka në mendjet dhe në moshën tuaj.

Kryeministri Berisha përshëndeti sot Kongresin e Dytë Ndërkombëtar të Studentëve të Shkencave Mjekësore, me pjesëmarrjen e studentëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur studente dhe studentë,

Kërkues, studiues të rinj të shkencave mjekësore, të mbledhur në këtë kongres të dytë ndërkombëtar,

Të nderuar zotërinj ministra,

Zotërinj rektorë,

Profesorë, pedagogë dhe pedagoge,

Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për nderin e madh që më keni bërë t’ju përshëndes juve sot shumë përzemërsisht, të shpreh vlerësimin tim më të madh, nderimin dhe respektin tim për Kongresin tuaj, për idenë e madhe tuaj që të mblidheni dhe shpalosni para njëri-tjetrit dhe opinionit publik shqiptar e më gjerë kërkimet tuaja shkencore, projektet më të bukura të moshës, të mendjes, të intelektit, të profesionit tuaj.

Të dashur studente dhe studentë,

Ju jeni të angazhuar të studioni për shkencat mjekësore, shkencat e shëndetit, pra, diplomoheni në profesionin më fisnik të të gjitha profesioneve, në profesionin, të cilin njeriu kurrë nuk mund ta veçoi nga një mision i madh, Por në këtë profesion që, edhe një herë e theksoj është më fisniku, më eprori në hierarkinë e profesioneve, sepse ka të bëjë me atë që është më e shtrenjta, më e rëndësishme, më themelorja për qenien njerëzore, shëndetin dhe jetën e tij, një gjë është plazma e tij dhe ky është kërkimi shkencor. Profesioni i mjekut, i infermierit është profesioni i një sage sakrificash të mëdha njerëzore, por asgjë nuk e fisnikëron, nuk e vitalizon dhe nuk e gjallëron më shumë atë, sesa kërkimi shkencor dhe duhet t’ju them se kërkimi shkencor në mjekësi, djepin e ka në mendjet dhe në moshën tuaj. është vështirë për mua të imagjinoj se mund të bëhesh studiues, në qoftë se humbet shansin e moshës rinore, të moshës studentore. Ndaj ftesa ime miqësore është të guxoni sa më shumë, të merrni pjesë në kërkimin shkencor, të mos ndruheni, të jeni eficentë. U bëj thirrje pedagogëve tuaj, ta vlerësojnë drejtimin shkencor tuaj si një nga detyrat më kryesore, si një nga gjërat më të çmuara, me të cilën ata mund t’ju ndihmojnë dhe pajisin juve. Nuk ka udhëtim më mahnitës, më të bukur, më fisnik dhe tërheqës se udhëtimi drejt horizonteve të shkencës. Dhe ky udhëtim kalon gjithnjë në kërkimin shkencor, kërkimin klinik, kërkimin eksperimental, kërkimin statistikor, të gjithanshëm.

Unë dua t’ju garantoj juve, të dashur studente dhe studentë, se në mënyrë të përditshme, sa herë që diskutojmë për universitetet dhe arsimin e lartë, e para gjë që më shkon në mendje jeni ju, nëse jemi ne, në një valë me ju apo jo dhe bashkëpunëtorëve të mi u them se cili është mendimi i studentëve për këtë çështje dhe këtë e bëj në mënyrën më serioze, sepse është e domosdoshme që ne, qeveritarët, drejtuesit tuaj, rektori, dekanatet të qëndrojmë në një valë me ju. Kjo është në interesin më të mirë të sistemit tonë shëndetësor, të shkencave tona mjekësore.

Në këtë kontekst, konsideroj të një rëndësie jetike decentralizimin e shkencës. Dhe me këtë nënkuptoj që ju të keni lehtësirat më të mëdha për të gjetur fonde, mbështetje për studimet dhe projektet së bashku me pedagogët tuaj. Me këtë nënkuptoj që ju të keni mbështetjen e plotë për të gjithë bazën laboratorike, për të gjithë bazën klinike, për çdo gjë për studimet tuaja, me këtë kërkoj që të vlerësohet potenciali juaj i madh, i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm në kërkimin shkencor të vendit. Studenti dhe studentja që merr përsipër të angazhohet në kërkimin shkencor vendos një vlerë të madhe të shtuar, merr një vendim shumë të rëndësishëm. Ai dhe ajo meriton të mbështetet. Ndaj thirrja ime për pedagogët tuaj është të bëjnë çdo përpjekje për t’ju mbështetur juve.

Universitetet tona përballen me disa vështirësi aktuale në numrin e pedagogëve për studentë. Ju garantoj se ne jemi të gatshëm ta rrisim numrin në shkallën më të madhe më optimale për ju. Universitetet tona përballen me vështirësitë e një rritje të shpejtë numerike të studentëve. Ne jemi të gatshëm, si qeveri të shumëfishojmë fondet për fakultetet dhe universitetet tona. Sikundër jemi të gatshëm që ju, kërkuesve të rinj, t’u mbështesim në studimet e tjera shkencore, në të gjitha universitetet e botës, kudo që shkoni. Ne jemi të gatshëm të mbështesim bashkëpunimin më të ngushtë të departamenteve, universiteteve dhe klinikave tuaja me departamentet, klinikat e universiteteve më të mira të Europës dhe botës.

Por fakti që ju vini sot në këtë Kongres ka një domethënie të jashtëzakonshëm, ka një kuptim shumë të madh dhe duke ju falënderuar për këtë zgjedhje që i keni bërë Tiranës, ju siguroj se do të bëj çdo përpjekje për t’ju mbështetur juve në veprimtarinë kërkimore-shkencore. Unë kam kaluar shumë vite me studentët dhe nuk mund të mos e shpreh këtu se ëndrra e tyre ka qenë pasioni im, sepse midis jush kam gjetur studiuesit ndër më të talentuarit, më të shkëlqyerit që sot janë absolutisht, personalitete të përmasave europiane aty ku punojnë.

Ndaj edhe një herë më lejoni t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’i uroj suksese këtij Kongresi të mrekullueshëm që ju keni thirrur sot, për të ekspozuar krijimet tuaja shkencore, për të inkurajuar njëri-tjetrin, por edhe për të përcaktuar objektiva të reja në rrugën tuaj fisnike të kërkimit shkencor. Faleminderit.”


31/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›