E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon kreun e PDSH-se Menduh Thaci

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni z. Menduh Thaçi. Gjatë këtij takimi kryeministri Berisha i shprehu dhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta z. Thaçi për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferri. Gjithashtu z. Thaçi e informoi kryeministrin Berisha rreth zhvillimeve më të fundit politike në Maqedoni si dhe qëndrimet politike të PDSH.

Pas takimit Kryeministri Berisha dhe Thaci deklaruan për mediat mbi temat e diskutuara në këtë takim. Kryeministri Berisha tha se: “I shpreha ngushëllimet e mia më të sinqerta, për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferri, u informova mbi zhvillimet e fundit dhe disa qëndrime të forcës politike që drejton”.
Berisha i ka shprehur mbështetjen për bashkëpunim midis forcave politike shqiptare dhe midis forcave politike të etnive të ndryshme në këtë vend, si interesi më i mirë i paqes, stabilitetit dhe integrimit të Maqedonisë. Ai tha se avancimi i mëtejshëm i lirive dhe te drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është dhe mbetet një përparësi madhore, sikundër paqja dhe stabiliteti i këtij vendi, kanë një rëndësi kryesore.

Nga ana e tij Menduh Thaçi e ka informuar kryeministrin Berisha për përpjekjen e PDSH që të vendosë ura bashkëpunimi me forca politike qoftë shqiptare qoftë maqedonase, të cilat do ta përshpejtojnë procesin integrues të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Është një brengë e përbashkët, jo vetëm e PDSH-së, por e të gjithë dashamirësve të Maqedonisë, që ky proces duhet të ecë. Ashtu si edhe me parë garantova Kryeministrin se PDSH do të udhëheqë një politike të drejtë këmbëngulëse shqiptare dhe gjithmonë konstruktive në vijim të procesit demokratik dhe procesit rajonal që zhvillohet për ta integruar gjithë Ballkanin në Bashkimin Evropian dhe në NATO”-theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›