E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon një grup operatorësh turistik polakë

Kryeministri Berisha ka pritur sot në takim një grup prej 22 operatorësh turistik polakë, të cilët me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve në kuadrin e bashkëpunimit të Unionit të Operatorëve Turistik  Shqiptarë me Unionin e Operatorëve Turistik Polak, ndodhen në Shqipëri për tu prezantuar dhe njohur me mundësitë dhe potencialet turistike dhe trashëgiminë kulturore  të vendit tonë .

Pasi i uroi atyre mirëseardhjen, kryeministri Berisha theksoi se turizmi është kthyer jo vetëm një nga degët kryesore të ekonomisë, por dhe një mundësi njohjeje e potencialeve të vendit tonë në vendet Europiane dhe më gjerë.

Kryeministri  Berisha duke përmendur përmirësimin e kuadrit ligjor për nxitjen e zhvillimit të turizmit, njëkohësisht  duke vënë theksin tek investimet që janë bërë në infrastrukturë ku janë ndërtuar 8 mijë kilometra rrugë  dhe 14 impiante të pastrimit të ujërave të zeza, vlerësoi punën e mirë të bërë jo vetëm në zhvillimin e shpejtë të turizmit, i cili nga rreth 300 mijë që ishte në vitin 2004 ka shkuar në rreth 3.5 milion në vitin 2010, por edhe interesimin e investitorëve të huaj për të zhvilluar projekte konkrete turistike në zonat bregdetare .

Gjithashtu kryeministri Berisha vuri theksin në rëndësinë potenciale për zhvillimin e turizmit në zonat malore si në Theth, Valbonë, Kelmend, Prespë, Voskopojë, Dardhë etj. Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë cdo projekt të investitorëve të huaj potencialë me qëllim shndërrimin e projekteve të tyre në histori të vërteta suksesi.


22/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›