E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PER MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË VLERËSIMIT TË VEPRIMTARIVE E TË PROJEKTEVE, ME NDIKIME TË RËNDËSISHME NEGATIVE NË MJEDISIN E VENDEVE FQINJE

V E N D I M


PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË VLERËSIMIT TË VEPRIMTARIVE E TË PROJEKTEVE, ME NDIKIME TË RËNDËSISHME NEGATIVE NË MJEDISIN E VENDEVE FQINJE


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 2, të  ligjit nr.9700, datë 26.3.2007, “Për mbrojtjen e mjedisit nga ndikimet ndërkufitare”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1. Miratimin e rregullave dhe të procedurave, të cilat do të zbatohen për vlerësimin e veprimtarive të projekteve, që mund të kenë ndikime të rëndësishme negative në mjedisin e vendeve fqinje.

A.Shqyrtimi i projektit nga Agjencia Rajonale e Mjedisit
       (më poshtë ARM)

A.1. Brenda 5 ditëve nga depozitimi i kërkesës për zbatimin e një projekti në një zonë ndërkufitare, ARM-ja vlerëson dhe vendos nëse projekti:

i) bën pjesë në aneksin I, të konventës;
ii) do të ketë ndikime të rëndësishme negative në mjediset e vendeve fqinje, bazuar në kërkesat e shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi si pjesë e tij;
iii) do t’i nënshtrohet përgatitjes së raportit të thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

A.2. ARM-ja njofton zyrtarisht propozuesin për rezultatin e vlerësimit, sipas pikës A.1, të këtij vendimi.

A.3. ARM-ja përcjell në ministrinë e fushës (më poshtë ministria) dosjen, të shoqëruar me vlerësimin e saj, me shkrim, në përputhje me dispozitat e nenit 14, të ligjit nr.8990, datë 23.1.2004, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

B. Veprimet e ministrisë

B.1. Kur ministria është dakord me vendimin e ARM-së, njofton institucionin, që ka kompetencë të licencojë projektin, njësinë e qeverisjes vendore, ku ai do të zbatohet, dhe pjesën shqiptare të komisioneve të përbashkëta, të ngritura për çështje të ndryshme ndërkufitare, dhe u kërkon të angazhohen në procesin e vlerësimit, në përputhje me funksionet e kompetencat e tyre ligjore.

B.2. Brenda 10 ditëve nga njoftimi i ARM-së, ministria njofton palën e prekur, për projektin, që do të zbatohet se, meqenëse parashikohet të ketë ndikime të rëndësishme negative ndërkufitare, duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis (vnm), në kontekst ndërkufitar.

B.3. Nëse pala e prekur nuk shprehet brenda afatit njëmujor, të caktuar në njoftimin e ministrisë, shqyrtimi dhe miratimi i projektit kryhen pa praninë e saj, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.8990, datë 23.1.2003, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.

B.4. Kur pala e prekur shfaq interes dhe parashtron kërkesa, ministria pranon dhe shqyrton vetëm kërkesat që janë në përputhje me dispozitat e konventës dhe i dërgon asaj:

i) informacion për projektin e propozuar dhe për vlerësimin paraprak, të bërë nga ARM-ja;
ii) informacionin për procedurën kombëtare të vnm-së e të tërheqjes së mendimit të publikut të ndikuar;
iii) vendimin përfundimtar të ministrit.

B.5. Komunikimi me palën e prekur bëhet në gjuhën angleze, nëpërmjet personit të kontaktit, të caktuar nga ministri.

B.6. Shpenzimet për përkthimet e dokumentacionit dhe përkthimet gjatë takimeve, në kuadër të procesit të vnm-së ndërkufitare, përballohen nga propozuesi.

C. Dokumentacioni i vlerësimit të ndikimit në mjedis

C.1. Menjëherë pas përgatitjes së raportit të vnm-së, personi i kontaktit, në ministri, i dërgon autoritetit kompetent të palës së prekur dokumentacionin, i cili përmban, së paku, :

i) përshkrimin e projektit dhe qëllimet;
ii) përshkrimi i mjedisit të zonës, ku do të zbatohet projekti;
iii) ndikimet e rëndësishme negative në mjedis;
iv) masat, që do të ndërmerren nga propozuesi, për zbutjen e ndikimeve negative;
v)  programin e monitorimit dhe planin e menaxhimit, nëse është kërkesë ligjore për projektin;
v) një përmbledhje joteknike, përfshirë dhe paraqitje vizuale, si harta grafike, imazhe, etj.

Ç)  Këshillimi me palën e prekur

Ç.1 Gjatë procesit të vnm-së në kontekst ndërkufitar, ministria këshillohet me palën e prekur. Këshillimi mund të bëhet edhe nëpërmjet grupeve të përbashkëta të punës, të ngritura posaçërisht për shqyrtimin e projektit.

Këshillimet ndërmjet palëve zhvillohen për afatet, mënyrën e shkëmbimit të dokumentacionit, të njoftimit të aktorëve të interesuar e të publikut të palës së prekur, përfshirë, gjithashtu,:

i) numrin e kopjeve të raportit të vnm-së, vendin dhe afatin kohor të nevojshëm për t’iu vënë në dispozicion publikut, OJF-ve dhe autoritetit kompetent të palës së prekur;
ii) mënyrën e mbledhjes së komenteve, të bëra nga publiku i palës së prekur, dhe dërgimin e tyre në ministri;
iii) mënyrën e njoftimit të vendimit përfundimtar të ministrit.

Ç.2  Për tërheqjen e publikut e për të gjitha procedurat e tjera, ministria zbaton kërkesat e legjislacionit mjedisor shqiptar.

Ç.3  Këshillimi ndërmjet autoriteteve kompetente të palëve mund të realizohet edhe për alternativat e mundshme të ushtrimit të veprimtarisë së propozuar, masat, që duhet të merren për minimizimin e ndikimeve të rëndësishme negative ndërkufitare dhe monitorimin e efektshmërisë së masave, të marra nga propozuesi e nga autoritetet mjedisore shqiptare.

D. Marrja e vendimit

D.1  Ministria siguron se vendimi përfundimtar për projektin e propozuar është i bazuar në dokumentacionin dhe raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedisin ndërkufitar, në komentet e publikut, si dhe në rezultatet e këshillimeve, të realizuara me shtetin fqinj.

D.2   Ministria, brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit përfundimtar për zhvillimin e veprimtarisë në zonë ndërkufitare, ia njofton atë palës së prekur, së bashku  me arsyetimet, te të cilat është mbështetur.

D.3  Nëse ministria, pa filluar zbatimi i projektit, merr informacion të ri për ndikime të tjera mjedisore negative ndërkufitare, të cilat mund të shfaqen, por që nuk ishin të ditura në çastin kur mori vendimin përfundimtar dhe që mund të kenë ndikuar në përmbajtjen e tij, informon palën e prekur.

D.4  Kur pala e prekur kërkon rishikimin e vendimit përfundimtar, ministria hyn në këshillime, nëse është ose jo e nevojshme të rishikohet vendimi.

D.5 Vendimi i ministrit bëhet publik dhe u njoftohet palëve të interesuara.

DH.  Analiza e veprimtarisë gjatë ushtrimit të saj

Dh.1 Ministria, kur autoriteti kompetent i palës së prekur kërkon kryerjen e analizës për ndikimet mjedisore ndërkufitare, pasi projekti ka filluar të zbatohet, zhvillon këshillime me palën e prekur dhe vendos nëse analiza duhet të kryhet, duke përcaktuar edhe çështjet, që do të trajtohen në të.

Dh.2   Analiza do të fokusohet në rivlerësimin e çdo ndikimi negativ, përtej kufijve të parashikuar gjatë vendimmarrjes, përfshirë edhe çështjet e mëposhtme:

i) monitorimin e zbatimit të lejes mjedisore, si dhe efektshmërinë e masave të marra për zbutjen e ndikimeve mjedisore;
ii) rivlerësimin e ndonjë ndikimi mjedisor negativ, për përmirësimin e masave për kontrollin e tij;
iii) verifikimin e parashikimeve të ndikimeve mjedisore, në mënyrë që të shërbejë si përvojë për veprimtari të njëjta, në të ardhmen.

2. Ngarkohet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi më 3 janar 2009.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


29/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›