E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha u kërkon agjencive ligjzbatuese bashkëpunim të ngushtë për ashpërsimin e luftës kundër krimit të organizuar

15-01-2013 / Gazeta 55

Mblidhet Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit
 
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh sot Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit.
Kryeministri Berisha vlerësoi përpjekjet e bëra në vitet e fundit dhe u shpreh lufta kundër krimit të organizuar, të të gjitha varianteve, me epiqendër krimin ekonomik, trafiqet dhe terrorizmin është dhe mbetet objektivi i parë dhe më madhor i të gjitha agjencive të zbatimit të ligjeve, si dhe agjencive të tjera, në mënyrë që të garantojë jetën e qytetarëve, të garantojnë rendin publik dhe atë kushtetues të vendit.

Drejtuar të pranishmëve, Kryeministri Berisha theksoi domosdoshmërinë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë midis agjencive, për të spostuar në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se ka një përpjekje serioze për një bazë ligjore më të mirë në luftën kundër pastrimit të parave dhe për këtë është bashkëpunuar ngushtë me MONEYVAL, institucion i Këshillit të Evropës.

Më tej, Kryeministri Berisha kërkoi që institucionet të përqendrohen me vendosmërinë më të madhe për “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar. “Jam i bindur se kjo është kërkesë e të gjitha forcave politike të vendit dhe e të gjithë qytetarëve”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Zotërinj anëtarë të Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit, së pari, ju përshëndes përzemërsisht. Kjo është mbledhja e parë për këtë vit e këtij Komiteti, i cili ka për detyrë ndjekjen e zbatimit të Strategjisë së Luftës Kundër krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit, aktualisht hartimin dhe shqyrtimin e strategjisë së re, si dhe një analizë të situatës aktuale.

Për një shoqëri të lirë dhe për çdo vend, çështjet e sigurisë së qytetarëve, sigurisë së vendit, janë çështje më kryesore, më kapitale. Në këtë kontekst, lufta kundër krimit të organizuar të të gjitha varianteve, me epiqendër krimin ekonomik, trafiqet dhe terrorizmin është dhe mbetet, në mënyrë më konstante, objektivi i parë dhe më madhor i të gjitha agjencive të zbatimit të ligjeve dhe agjencive të tjera, në mënyrë që të garantojë jetën e qytetarëve, të garantojnë rendin publik, të garantojnë dhe rendin kushtetues të vendit. Përpjekjet dhe arritjet në këtë fushë kanë qenë dhe janë prezente, janë të qenësishme, por nuk ka asgjë më të rrezikshme sesa dobësimi dhe vetëkënaqësitë në këtë luftë. Kjo, pasi krimi i organizuar dhe trafiqet janë një fenomen fatkeqësisht pantotenik, omniprezent, janë një fenomen, ndoshta, me shkallën më të lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar. Krimi i organizuar, trafiqet dhe terrorizmi shërbehen në mënyrën më të suksesshme, nga format më të avancuara të komunikimit dhe i shfrytëzojnë ato në shërbim të veprave të tyre të zeza. Ata disponojnë, qarkullojnë shuma kolosale. Po të marrim vetëm larjen e parave të pista, kjo shumë shkon në mbi 1.2 trilion euro në botë dhe rritet me shpejtësi të madhe, bëhet gjithnjë e më e sofistikuar. Ndaj dhe është në detyrimin madhor të të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit dhe agjencive të tjera të bëjnë gjithçka për funksionimin e ligjit dhe shtetit ligjor, të bëjnë gjithçka për vendosjen para ligjit të organizatave, individëve të implikuar në krim të organizuar, trafiqe apo akte terroriste.

Në këto vite janë bërë përpjekje të mëdha. Veçanërisht, suksese shumë të rëndësishme janë arritur në çmontimin e mbi 206 grupeve dhe organizatave kriminale. Në një bashkëpunim ndërkombëtar të suksesshëm Shërbimi Informativ Kombëtar, Policia Kriminale dhe organe të tjera kanë çmontuar me dhjetëra e dhjetëra grupe trafikantësh, si dhe kanë vështirësuar shumë kalimin e drogave nga territori shqiptar. Agjencia e Luftës kundër Larjes së Parave ka ridimensionuar veprimtarinë e saj, ka vendosur një bashkëpunim më të mirë me agjencitë e tjera, me Policinë Kriminale, Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimet Inteligjente. Sidoqoftë, duhet të pranojmë se kjo vepër kriminale përsëri përbën një problem madhor për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet. Fatkeqësisht, nuk është dhe shumë e vjetër si e tillë në Kodet Penale. Eksperienca, mjetet, praktikat bankare e kanë vështirësuar dhe vështirësojnë këtë luftë, e cila është jetike, vendimtare për suksesin në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën ndaj terrorizmit. Pothuajse nuk ekziston terrorizëm pa larje parash, baza e terrorizmit janë larja e parave të pista. Në përpjekjen tonë për të spostuar në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit është i domosdoshëm një bashkëpunim edhe më i ngushtë midis agjencive, të cilat tashmë kanë krijuare një eksperiencë shumë më të madhe. Por, bashkërendimi dhe bashkëpunimi është jetik për suksesin e punës së tyre. Prokurori i Përgjithshëm i vendit nisi detyrën e tij me një moto, të cilën unë e konsideroj jetike për suksesin e punës në secilën nga agjencitë tuaja. Ai e shpalli publikisht: do të luftoj lidhjet me krimin në institucionin tim.

Të nderuar anëtarë të Komitetit Ndërinstitucional,

Absolutisht, ky është kushti i të gjitha kushteve për suksesin e punës tuaj. Ky është kushti më vendimtar. Në qoftë se nuk plotësojmë këtë kusht, suksesin do ta ketë pala tjetër, do ta ketë krimi dhe jo ne. Ndaj dhe është e domosdoshme që të gjithë ju, agjencitë e kontrollit që keni brenda jush për institucionet t’i fuqizoni dhe të bëni gjithçka për integritetin e plotë të institucioneve që drejtoni.

Kjo është luftë e vështirë, sepse krimi ka agjenturën e vetë brenda. Jo vetëm këtu, por edhe në vendet më të zhvilluara. Grupet kriminale edhe në vendet më të zhvilluara kanë arritur të rekrutojnë përgjues dhe të marrin të dhëna e t’ua japin krimit. Kjo ndodh dhe në Shqipëri, në një farë mënyre. Siç e dini, nga karrigia e përgjimit përfundoi në krye të bandës. U kap dhe u vendos përpara ligjit. Pra është një kusht shumë i rëndësishëm, aspak për të krijuar panik, por është një kusht jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm për funksionimin në përputhje me ligjin të institucioneve që ju drejtoni. Të gjitha format ligjore të nevojshme të punës që ju do të keni, duhet t’i përcaktoni me marrëveshje dhe, në çdo rast, ky Komitet është i gatshëm t’i miratojnë, është i gatshëm të qëndrojë në zbatimin e tyre. Ka një përpjekje serioz në luftën kundër larjes së parave, përpjekje kjo, së pari, për bazën ligjore më të mirë dhe është bashkëpunuar ngushtë nga vendi ynë me MONEYVAL, institucion i Këshillit të Evropës, më i specializuari, think tank i kontinentit, për të mos thënë edhe në botë, që ka ekspertizën më të mirë dhe ligjet janë në Parlament, po miratohen sipas rekomandimeve të tyre.

Nga ana tjetër gjykoj se të gjitha burimet ndërkombëtare dhe kombëtare, të cilat japin shtysa apo indikacione për këtë proces duhet të merren në konsideratë. Dy muaj më parë, një organizatë ndërkombëtare ‘Global Financial Integrity’ pavarësisht se cila është kompetenca e saj, njofton se nga Shqipëria nga viti 2005 e deri më sot kanë përfunduar në llogaritë bankare 1.3 miliardë dollarë. Kjo ishte shifra më e ulët e rajonit. Në këtë aspekt, Shqipëria ishte vendi me shumën më të ulët. Të mos harrojmë se në vitin 2004 raporti i Bankës Botërore shprehet se në një vit 1.4 miliardë dollarë nga taksat, tatimet, etj., përfundojnë në kontot e zyrtarëve, kontrabandistëve dhe evazorëve. Dhe, natyrisht, përfundonin në botë. Ne vitin e kaluar bëmë një amnisti. Natyrisht, jo paratë kriminale, ato nuk amnistohen. Askush nuk i amniston.

Unë u ndala në këtë çështje, sepse unë gjykoj se kjo përbën një motiv të fortë hetimi. Në radhë të parë ministria e Financave duhet t’i kërkoj Fondit Monetar Ndërkombëtar ti japë të gjitha të dhënat që i ka dhënë kësaj organizate. Ne jemi anëtar dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjykoj unë, është i detyruar t’u japë shteteve anëtare të dhënat të tilla. Por këtu, Prokurori i Përgjithshëm, Agjencia e Luftës kundër Larjes së Parave, Policia Kriminale duhet të përdorin të gjitha lidhjet e tyre në ndjekje të këtyre shumave. Kush qëndron pas tyre dhe nga vijnë. Rezultate në mënyrë të padiskutueshme që ka, por a është krijuar muri ligjor ndaj këtij fenomeni, nëpërmjet shembujve të kristaltë, madhorë? Kjo nuk ka ndodhur akoma, por duhet të ndodhë. Ka pasur raste të qarta si kristali, kur prokurorë pa asnjë hetim, pa as edhe një orë hetim i kanë kthyer përgjigje autoritetit shtetërore të Luftës kundër Larjes së Parave se nuk kemi të bëjmë me larje parash. Nuk ka mbrojtje më të shkëlqyer se kjo. Por ti hetoje një herë. Të themi që edhe për ty, si prokuror, ka vështirësi hetimi i këtij problemi. Ka vështirësi edhe për Policinë Kriminale, sepse ky është një krim me të cilin po punohet intensivisht për të fituar eksperiencën më të mirë. Por të themi apriori, siç ishte e shkruar se nuk kemi të bëjmë me larje parash, e vërteta është se këtu kemi të bëjmë, së pari, me ndarje parash të krimit. Kjo është e qartë si drita e diellit. Ndaj dhe ju dhashë një shembull, por shembuj të tillë ka në të gjitha institucionet. Është shumë e rëndësishme që të dëshmojmë seriozitetin më të madh në shqyrtimin dhe në qëndrimin ndaj krimit të organizuar, levave të tij ekonomike.

Të nderuar anëtarë të Komitetit Ndërinstitucional,

Krimi i organizuar ndjek me egërsi të madhe pistat politike. Në përpjekjen e tij për t’u forcuar, ai bën gjithçka që tentakulat e tij të penetrojnë në të gjitha qelizat e shtetit. Ndaj dhe ju duhet të bëni gjithçka për t’ia prerë këto tentakula me gërshërët e ligjit. Dhe unë kam besim të madh në përkushtimin tuaj, të bashkëpunëtoreve tuaj, se kjo luftë e një rëndësie jetike do të ngrihet në një nivel më të lartë.

Por, unë do të theksoj edhe një kërkesë shtesë. Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe zgjedhjet janë, në një farë mënyre, dasmat e demokracisë, festat e saj, ku qytetarët ripërtërijnë, shprehin në mënyrë periodike, vullnetin e tyre. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për këtë vend se, ju, qoftë edhe një ditë të vetme të mos e dobësoni luftën, përpjekjen tuaj, përballjen tuaj me krimin e organizuar. Zgjedhjet janë çështje e garës  së forcave politike e pjesëmarrjes ë qytetarëve. Ndërkohë zgjedhjet në fund të fundit janë triumf i shtetit ligjor. Pra, sa më mirë të funksionojë ligji, aq më të mira do të jenë edhe zgjedhjet. Kështu që, pavarësisht nga fushatat, ju duhet të përqendroheni me vendosmërinë më të madhe për “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar. Jam i bindur se kjo është kërkesë e të gjitha forcave politike të vendit dhe e të gjithë qytetarëve. Ata duhet të shohin partitë në mitingje, ndërsa institucionet në funksionim të plotë, në interesin më të mirë të qytetarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›