Kryeministri Berisha u uron besimtarëve të krishterë: Gëzuar Krishtlindjen!
Kryeministri Berisha u shpreh urimet më të veçanta besimtarëve të krishterë, për Krishtlindjen. Me këtë rast, Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha vizituan sot në mesditë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Katedralen e Shën Palit dhe Kishën Ungjillore, në Tiranë.
Në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryeministri Berisha u prit nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Në urimin e tij, Kryeministri u shpreh:
“Shpreh urimet në të përzemërta për besimtarët ortodoksë shqiptar, për besimtarët e krishterë shqiptarë e të gjithë besimtarët e Zotit që nderojnë në këtë ditë aktin më madhor të jetës së shoqërisë njerëzore, lindjen, aktin më të mrekullueshëm. Nderojnë jo vetëm lindjen, por lindjen e një burri, i cili do të martirizohej, flijohej për të ndriçuar mendjen e njeriut dhe njerëzimit. Le të falenderojmë Zotin për ndihmën e tij të madhe që u ka dhënë e u jep shqiptarëve të cilët festojnë sot këtë ditë më mirë se kurrë në historinë e tyre dhe të urojmë bashkërisht ë Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë e më afër ëndrrave tona. Edhe një herë një urim të përzemërt për të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri Berisha vijoi vizitën në Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare, ku u prit nga Presidenti i saj Fitor Muça.
“Për mua është kënaqësi e madhe t’ju uroj sot, juve dhe të gjithë ungjillorëve të Shqipërisë, një traditë e hershme dhe një besim i madh në Europë e në botë, por dhe me prani të hershme në Shqipëri. Mbarësi dhe suksese,” u shpreh Kryeministri, duke shprehur njëherësh edhe vlerësimin “për punën që keni bërë me durim e përkushtim, në rindërtimin e besimit, ashtu si të gjitha besimet e tjera,” u shpreh Kryeministri në urimin e tij.
Kryeministri Berisha vizitoi më pas, Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita. Edhe këtu, Kryeministri u përcolli besimtarëve katolikë, urimet e tij të përzemërta për këtë ditë:
“Një urim vëllazëror e të përzemërt për të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë, besimtarët e krishterë e besimtarët e Zotit, për këtë ditë që nderojmë së bashku aktin e momentin më mahnitës, më të mrekullueshëm të njeriut, nderojmë lindjen që është edhe themeli i ekzistencës sonë, nderojmë lindjen e një burri që do martirizohej, do të sakrifikohej për të përcjellë në mendjet e zemrat e njeriut e të shoqërisë njerëzore, virtytet më të larta të moralit, besimin, dashurinë, shpresën, dhembshurinë. Nderojmë, pra, lindjen e Krishtit. Le të shprehim gëzimin e kënaqësinë tonë që këto Krishtlindje i kemi festuar të lirë kudo që jemi, i festojmë më të begatë se asnjëherë në historinë tonë, i festojmë me aspiratën tonë të realizuar të lëvizjes së lirë dhe të urojmë që Krishtlindjen e vitit që vjen ta festojmë edhe më mirë, edhe më të lirë, edhe më të begatë e të ecim të sigurt drejt projekteve tona, drejt ëndrrës sonë Shqipëria - vend i zhvilluar. Edhe një herë gëzuar për të gjithë shqiptarët.”
25/12/2011