E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi urojnë fëmijët për Vitin e Ri 2012

23 dhjetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi pritën sot, në një atmosferë të ngrohtë e festive, organizuar enkas për ta në mjediset e Presidencës, nxënës të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, si dhe fëmijë të ciklit parashkollor, me rastin e Vitit të Ri 2012.

Presidenti dhe Zonja e Parë u takuan me fëmijët e pranishëm në këtë veprimtari, duke shkëmbyer mes tyre fjalë dashamirëse dhe, në të njëjtën kohë, i shprehën urimet të përzemërta për vitin e ardhshëm, për suksese në mësime, për shëndet, sa më shumë ëndrra dhe dëshira të realizuara, sa më shumë ngrohtësi e mbarësi familjare. Kryetari i Shtetit Shqiptar, Zonja e Parë dhe fëmijët e pranishëm në këtë pritje, ndoqën me ëndje një program të shkurtër artistik, të përgatitur nga vetë nxënësit e shkollave të Tiranës ku disa fëmijë recituan edhe poezi.

Duke i përshëndetur vogëlushët dhe vogëlushet e pranishme si dhe gjithë fëmijët shqiptarë kudo ku ndodhën me rastin e Vitit të Ri 2012, Presidenti Topi theksoi:

“Edhe unë ndihem shumë i gëzuar që jam midis jush sot. Ata që kishin përgatitur skenarin e këtij takimi, me siguri që janë mërzitur pak, pasi ne dolëm nga skenari, por me fëmijët nuk ka skenarë. Me fëmijët duhet të jemi kështu, të drejtpërdrejtë. Unë ju falënderoj shumë që ju recituat aq bukur disa vjersha me mjaft kuptim, të cilat janë për ju dhe të gjithë moshatarët tuaj, që në këto momente ju ndjekin dhe, besoj se sot gjatë ditës do ju ndjekin!

Unë e di që ju jeni fëmijë shumë të mirë. Ata, që janë më të rritur, janë nxënës shumë të mirë, por edhe më të vegjlit, sikurse i kemi marrë informacionet, janë vajza dhe djem të sjellshëm, që jo vetëm sillen mirë, por edhe mësojnë mirë. Ne jemi në prag të festave, të Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri dhe ne e dimë që këto janë festa të të gjithëve, por në radhë të parë janë të fëmijëve. Unë dëshiroj t’ju uroj ju për këtë festë. T’ju uroj ‘Gëzuar Vitin e Ri!’ dhe le të jetë një vit i mbarë për secilin prej jush! Por, duke komunikuar me ju dëshiroj që këtë urim ta jap për të gjithë fëmijët shqiptarë kudo ku jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, Maqedoni, në diasporë, sepse të gjithë janë edukuar nga prindërit që ta duan Shqipërinë, pavarësisht se ku jetojnë. Dhe, me sa unë shoh, ju mësimet e para i keni marrë që ta doni Shqipërinë, një vend shumë i bukur dhe, patjetër, e ardhmja, që jeni ju, do të jetë akoma më e mirë për Shqipërinë. Duke mësuar shumë mirë dhe jam i bindur që ju jeni përzgjedhur nga shkollat si nxënësit më të mirë, patjetër që edhe Shqipëria, edhe shqiptarët do të kenë më shumë besim tek e ardhmja.

Me këtë rast, së bashku me bashkëshorten time, me Teutën, kemi përgatitur disa libra për ju në kujtim të kësaj dite, sepse çdo vit të ri që ne presim duhet ta kujtojmë me shumë dëshirë.

Edhe një herë, urimet më të mira! Të keni shëndet ju, familjet tuaja dhe një urim të drejtpërdrejtë e kam për të gjithë fëmijët shqiptarë.

Gëzuar festën e Vitit të Ri 2012! Urime!”

Më pas, një moment i bukur i festimit për fëmijët dhe surpriza për ta në këtë ditë, ishte shpërndarja e dhuratave simbolike, me rastin e Vitit të Ri, nga Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›