E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha urdhëron marrjen e masave për zbatimin e ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike"

Kryeministri Sali Berisha urdhëroi sot marrjen e masave të shpejta në zbatim të ligjit nr.9367 për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Këshilli i Ministrave

URDHËR

Nr. 172 , datë 2.11.2005

PËR MARRJEN E MASAVE TË SHPEJTA NË ZBATIM TË LIGJIT NR.9367, DATË 7.4.2005, "PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESAVE NË USHTRIMIN E FUNKSIONEVE PUBLIKE"

Në mbështetje të pikës 3 dhe të shkronjës "c" të pikës 1 të nenit 102 të Kushtetutës si dhe të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike" ,

URDHËROJ:

1.Çdo ministri dhe çdo institucion publik në varësi të Këshillit të Ministrave të marrë të gjitha masat e nevojshme me qëllim që çdo zyrtar i tyre të zbatojë, brenda datës 30 nëntor 2005, detyrimin e përcaktuar në pikën 2 të nenit 10 dhe në pikën 5 të nenit 14 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike" lidhur me lëshimin e autorizimit nga çdo zyrtar publik në favor të institucionit për kontrollin dhe verifikimin e interesave të tij private.
Në rast moslëshimi të këtij autorizimi nga ana e zyrtarit, të zbatohen dispozitat e neneve 44 dhe 45 të ligjit të lartpërmendur (për gjobat dhe largimin nga puna).

2. Për çdo zyrtar që emërohet në detyrë, të merren masat që ai të lëshojë autorizimin e mësipërm, me fillimin e marrëdhënieve të punës, por jo më vonë se 30 ditë nga data e fillimit të tyre.

3. Zëvendëskryeministri, i mbështetur nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Njësia Antikorrupsion në Kryeministri, të bashkërendojë procesin me institucionet përgjegjëse dhe të dorëzojë pranë Kryeministrit, brenda datës 30 nëntor 2005, projektaktet nënligjore që duhet të nxjerrë Këshilli i Ministrave sipas urdhërimeve të nenit 46 të ligjit të lartpërmendur.

4. Për përmbushjen e detyrimit të përcaktuar në pikën e mësipërme, të krijohet, në mbështetje të nenit 12 të ligjit nr.9000, datë 30.01.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", grupi ndërministror i punës, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe i përbërë nga 1 (një) përfaqësues të çdo institucioni të përmendur në pikën 1 të këtij urdhri.

Ftohen të marrin pjesë në mbledhjet e grupit të punës përfaqësues nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe i Kontrollit të Pasurive, përfaqësues nga institucione publike qendrore të pavarura, përfaqësues nga Koalicioni Shqiptar kundër Korrupsionit dhe nga organizatat ndërkombëtare që asistojnë në çështjet e parandalimit të konfliktit të interesave.

5. Brenda datës 15 dhjetor 2005, çdo institucion, i përmendur në pikën 1 të këtij urdhri, të miratojë ndryshimet në rregulloret e brendshme, sipas urdhërimeve të nenit 46 të ligjit të lartpërmendur.

6. Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Njësia Antikorrupsion në Kryeministri, Departamenti i Administratës Publike dhe Instituti i Trainimit të Administratës Publike, në bashkëpunim me drejtoritë e burimeve njerëzore të institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij urdhri, të organizojnë, deri më datën 20 dhjetor 2005, një progam intensiv informimi dhe njohjeje të çdo zyrtari me konceptet dhe detyrimet e këtij ligji.

7. Bazuar në deklarimet periodike të pasurive të kryera për vitet 2003 dhe 2004, si dhe të deklarimeve të para para fillimit të punës ose pas largimit nga funksioni, si dhe bazuar në detyrat dhe kompetencat e çdo zyrtari, institucionet e përmendura në pikën 1 të këtij urdhri të verifikojnë deri më 20 dhjetor 2005, në përputhje me ligjin e lartpërmendur, rastet e mospërputhjeve dhe papajtueshmërive ndërmjet funksionit publik dhe interesave private të zyrtarëve dhe të marrin masat për shmangien dhe parandalimin e konfliktit të vazhdueshëm të interesave sipas neneve 37, 38 e 39 të ligjit.
Për çdo rast konflikti interesi të çdo lloji që do të ndeshet në të ardhmen, të zbatohen me vendosmëri dispozitat ndëshkuese të ligjit.

8. Në zbatim të këtij ligji dhe të ligjeve specifike sektoriale që trajtojnë çështjen e konfliktit të interesave, të fillojë kontrolli mbi të gjitha vendimmarrjet publike që rezultojnë të jenë të cënuara nga konfliktet e interesave, të identifikohen aktet, dëmet, zyrtarët përgjegjës, përfituesit e padrejtë dhe, në çdo rast evidentimi të konfliktit të interesave, të fillojnë procedurat e dënimit disiplinor, të kalimit të barrës së dëmshpërblimit te përgjegjësit e deri tek kalimi i çështjes për hetim penal sipas nenit 40 të ligjit të lartpërmendur.
Brenda datës 29 dhjetor 2005, të paraqitet te Kryeministri raporti paraprak i hollësishëm në lidhje me këtë pikë të urdhrit. Raportet e tjera në lidhje me këtë pikë të paraqiten, në mënyrë periodike, çdo tre muaj.

9. Ngarkohet Zëvendëskryeministri, i mbështetur nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Njësia Antikorrupsion në Kryeministri, të ndjekë dhe të monitorojë zbatimin e këtij urdhri nga ministritë dhe institucionet përgjegjëse si dhe të sigurojë drejtimin metodologjik të procesit.
Raporti i parë i monitorimit, në zbatim të pikës 7 të këtij urdhri, të paraqitet te Kryeministri më 10 janar 2006. Raportet e tjera të paraqiten, në mënyrë periodike, çdo tre muaj. Brenda periudhës së raportimit, të dorëzohen, në çdo kohë, raporte ndërmjetëse të lidhura me çështje të veçanta.

10. Për ecurinë e zbatimit të ligjit, me arritjet dhe problemet, të informohet me transparencë opinioni publik. Të sigurohet akses i plotë i publikut dhe medias në të gjitha dokumentet zyrtare që lidhen me konfliktet e interesave dhe procesin zbatues të këtij ligji në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.

11. Ngarkohen ministritë dhe institucionet publike në varësi të Këshillit të Ministrave për zbatimin e këtij urdhri si dhe të gjithë procesit zbatues të ligjit të lartpërmendur:
a)duke bashkëpunuar ngushtësisht me Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive dhe duke mbështetur veprimtarinë e tij, dhe
b)duke siguruar një bashkëpunim të ngushtë me Koalicionin Shqiptar kundër Korrupsionit (ACAC) e ekspertët e tij dhe bashkërendim me programet e organizatave ndërkombëtare që asistojnë në çështjet e parandalimit të konfliktit të interesave.

12. Titullarët e institucioneve të përmendura në pikën 5 të këtij urdhri, brenda 5 ditëve, të caktojnë përfaqësuesit e tyre në nivel teknik dhe të njoftojnë Zëvendëskryeministrin.

13. Ngarkohet Zëvendëskryeministri për bashkërendimin e punës si dhe për monitorimin e ecurisë së këtij procesi.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›