E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.205, datë 13.4.1999 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e dispozitave zbatuese të Kodit Doganor”

VENDIM

 datë 2.11.2005

Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.205, datë 13.4.1999 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e dispozitave zbatuese të Kodit Doganor”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13 të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 124 e 128 të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Në vendimin nr.205, datë 13.4.1999 të Këshillit të Ministrave, te ndryshuar me vendimin numer 222, date 16.4.2004  të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Titulli 2, krerët I, II, III deri te pika 12 dhe VI, ndryshohen si më poshtë vijon:

“Titulli 2

Organizimi i administratës, i personelit doganor dhe i veprimtarisë doganore

Kreu i

Organizimi dhe përgjegjësitë e Administratës Doganore Qendrore, në përputhje me paragrafin e tretë të nenit 9 të Kodit

Drejtori i Përgjithshëm, në varësi të nevojave operacionale propozon  strukturën organizative dhe analitike qe miratohet nga  Ministri i  Financave.

Kreu II

Organizimi dhe përgjegjësitë e Administratës Doganore Lokale

Drejtori i Përgjithshëm, në varësi të nevojave operacionale propozon  strukturën organizative dhe analitike, e cila  dergohet për miratim tek Ministri i   Financave.

Kreu III

10. Klasifikimi, rekrutimi, përgjegjësitë dhe vlerësimi i personelit

10.1 Personeli i administratës doganore, në përputhje me paragrafin e dytë të nenit 13 të Kodit Doganor, kategorizohet si më poshtë vijon:

a) Drejtori i Pergjithshëm i pergjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit te lartë drejtues

b)Zv. Drejtor i Pergjithshem i pergjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit te lartë drejtues c)Kategoria A i përgjigjet klasifikimit - nëpunës civil i nivelit të mesëm drejtues;

b) Kategoria B i përgjigjet klasifikimit - nëpunës civil i nivelit të ulët drejtues;

c) Kategoria Cl i përgjigjet klasifikimit - nëpunës civil i nivelit te ulet drejtues;

ç) Kategoria C2 i përgjigjet klasifikimit - nëpunës civil i nivelit egzekutues;

d) Kategoria C3 - personel i ulët doganor;

dh) Kategoria D1 - personel ndihmës;

e) Kategoria D2 - personel tjetër ndihmës.

10.2 Në zbatim të paragrafit të tretë të nenit 13 të Kodit, funksionet dhe detyrat e personelit të administratës doganore janë si më poshtë vijon:

Drejtori i Përgjithshëm: Kreu  i Administratës Doganore, i cili i raporton drejtpërdrejt Ministrit të Financave. Përveç përgjegjësive të parashikuara në Kodin Doganor, Drejtori i Përgjithshëm miraton rregulloret sektoriale, propozon ndryshimin e strukturës organizative, si dhe delegon përgjegjësitë në të gjitha nivelet e administratës, për të përmbushur nevojat operacionale, siguron administrimin e efektshëm organizativ, drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës doganore, nëpërmjet nëndrejtorëve dhe drejtorive në varësi direkte.

Zevendes Drejtori i Përgjithshëm: Drejtues i një departamenti, i cili drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e kryer nga drejtoritë e departamentit të tij, ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e deleguara këtij posti.

Kategoria A: Këshilltar i përgjithshëm, Drejtor Drejtorie në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtor Drejtorie rajonale, Kryetar i Degës doganore Tiranë, Kryetar i Degës Doganore Durrës, Kryetar i Deges Doganore Vlore, Kryetar i Deges Doganore Gjirokaster, Kryetar i Deges Doganore Shkoder  Drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e kryer nga strukturat e varësisë dhe ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e deleguara këtij posti.

Kategoria B: Përgjegjës sektori a njësie në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Përgjegjës Sektori në Drejtoritë Rajonale, Pergjegjes Sektori ne Dege Doganore, Kryehetues, Kryetar i një Dege Doganore. Drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e kryer nga sektori, njësia ose dega doganore e drejtuar prej tij. Ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e deleguara këtij posti.

Kategoria C1; Specialist ne Drejtorine e Pergjithshme, Jurist ne Dege Doganore, Adminstrator Rrjeti i Teknologjise se Informacionit ne Dege Doganore, Pergjegjes zyre i degës doganore, Hetues Doganor, Komandant motovedete,  Drejtues turni/grupi, Pergjegjes i Sallës Operative, specialist logjistike i Antikontrabandës Detare. Bashkërendon veprimtarinë e kryer nga zyra apo sektori/grupi i tij, si edhe veprimtarinë e shërbimit te parashikuar ne pozicionin perkates, veprimtari kontrolli, këshillimi, ndihmë ligjore, analiza statistikore, analiza të mallrave në laboratorin kimik doganor, administrimin e rrjeteve kompjuterike. Ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e deleguara këtij posti.

Kategoria C2: Doganier, Inspektor, Llogaritar.  Merret me procedurat doganore, kontrollet e me mbikëqyrjen doganore në të gjithë territorin doganor të Republikës së Shqipërisë. Ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e deleguara këtij posti.

Kategoria C3: Doganier, Perpunuese Informacioni.  Merret me pranimin dhe regjistrimin e deklaratave doganore, si dhe me procedurat e peshimit e të kontrollit doganor, perpunimin te informacionit doganor. Ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e deleguara këtij posti.

Kategoria D1: Personel ndihmës. Arkëtar,  teknik, shofer, magazinier, arkivist, sekretar, centralist.

Kategoria D2: Personel tjetër ndihmës, që kryen shërbimet sanitare dhe të mirëmbajtjes së zyrave.

10.3 Nëse procedurat për administrimin e burimeve njerëzore nuk rregullohen shprehimisht nga dispozitat e këtij vendimi, atëherë ato rregullohen në përputhje me dispozitat e ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil" dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, përfshi çdo ndryshim të mëvonshëm të tyre.

Personeli i kategorisë D rregullohet nga dispozitat e Kodit të Punës në fuqi.

11 EMËRIMET NË DOGANA

11.1 Në përputhje me nenin 14 të Kodit, me legjislacionin në fuqi për shërbimin civil, si dhe duke pasur parasysh natyrën e veprimtarisë doganore, vendet e lira brenda shërbimit doganor plotësohen në varësi të kategorisë dhe të natyrës së postit nëpërmjet njërës prej procedurave të mëposhtme apo ndërthurjes së tyre – konkurim te te hapur per punonjesit e brendshem dhe te interesuarit jashte sistemit doganor.

a) me ngritjen në kategori, nëpërmjet emërimit të personelit doganor ekzistues nga një kategori më e ulët

b) me transferimin e personelit doganor brenda së njëjtës kategori

c) me rekrutimin e personelit jashtë administratës

11.2 Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajtimit, në bazë të nevojave operative të çastit dhe të mundshme për t'u parashikuar, përgatit çdo vit një vlerësim të nevojave për rekrutime të reja, për të përcaktuar ndryshimet e pritshme dhe të mundshme të personelit (dalje në pension, largime me dëshirë, ristrukturime etj). Ky vlerësim miratohet nga Drejtori i Përgjithshëm. Pas, miratimit, administrata doganore harton, nëpërmjet Drejtorisë  së Administrimit të Personelit dhe të  Trajnimit, planin e përgjithshëm të rekrutimeve të punonjësve për vendet vakant, bazuar në procedurat e përmendura në këto dispozita zbatuese.

11.3 Emërimet në postet e Drejtorit të Përgjithshëm dhe të Zevend Drejtorit të Përgjithshëm, personel te kategorise A,B,C1,C2,C3 bëhen në përputhje me nenin 14 të Kodit Doganor dhe me procedurat e përcaktuara, përkatësisht, në pikat 11.5 dhe 11.6, nëpërmjet një përzgjedhjeje të kandidatëve të marrë nga administrata doganore dhe nga institucione të tjera te Sherbimit Publik. Emërimet në postet e kategorive D1 dhe D2 do të bëhen me emërim, në përputhje me dispozitat e përshkruara më poshtë.

11.4 Përzgjedhja e kandidatëve bazohet gjithmonë në vlerësimin e përshtatshmërisë së tyre në raport me kërkesat e dhëna në përshkrimin e vendit të lirë të punës, të cilat janë specifikuar në aneksin 1 të dispozitave zbatuese. Asnjë kandidat për asnjë post nuk emërohet pa u intervistuar.

11.5 Kërkesat për postin e Drejtorit të Përgjithshëm do të jenë të hapura  për Zevendes Drejtoret e Përgjithshëm të doganave, që e kanë atë detyrë për të paktën 1 (një) vit, për drejtuesit e nivelit A, që kanë qenë në këtë kategori për të paktën 4 vjet, si dhe për të gjithë zyrtarët e shërbimit publik, të barasvlefshëm me postet e mësipërme, të cilët i ushtrojnë këto poste për një periudhë të paktën 4 vjet.

Për postin e Drejtorit të Përgjithshëm, Ministri i  Financave propozon me shume se nje kanditature per miratim nga  Këshilli i Ministrave.

11.6 Kërkesat për postin e Zevendes Drejtorit të Përgjithshëm do të jenë të hapura për personelin e kategorisë A brenda administratës doganore, i cili ka mbi 4 vjet që punon në atë kategori, duke përdorur procedurat e ngritjes në kategori, të përcaktuara më poshtë në nenin 11.8.3. ose  personelit të shërbimit publik te një kategorie të barazvlefshme me kategorinë e Zevendes  Drejtorit të Përgjithshëm apo me kategorinë A, i cili ka punuar në atë kategori për jo më pak se 4 vjet.

Të gjithë personat e interesuar duhet të bëjnë një kërkesë, e cila të mbështetet nga një vlerësim i përshtatshmërisë së tyre me kërkesat e vendit të punës, të bërë nga eprori, për punën e tyre në postin ekzistues.

Drejtori i Përgjithshëm, i propozon Ministrit të Financave kandidaturat që vlerësohen si më të përshtatshme, duke pasur parasysh kriteret e përcaktuara, aftësitë e dëshmuara të kandidatëve dhe kërkesat për vendin e lirë të punës.

11.7 Ngritja në kategori

Ngritja në kategori, siç përmendet në pikën 11.1, përbën kalimin nga një kategori më e ulët në një kategori më të lartë. Të gjitha ngritjet në kategori bëhen nëpërmjet procedurës së ngritjes në kategori sipas këtij vendimi.

Vlerësimi i nevojave për rekrutime të reja bëhet publik per t’u krijuar mundesi reale te gjithe punonjesve qe permbushin kriteret e vendeve te lira te punes.

11.8 Procedura e ngritjes në kategori, nëpërmjet përzgjedhjes së kandidatëve nga brenda Administratës doganore

11.8.1 Procedura për ngritjen në kategoritë C2 dhe C1

a) Në procedurën e ngritjes në kategoritë C2 dhe Cl lejohen të marrin pjesë vetëm kandidatët që janë të punësuar në sistemin doganor, përkatësisht, në kategoritë C3 dhe C2  dhe që kanë shërbyer në ato kategori për 2 (dy vjet) pa ndërprerje, me kusht që të plotësojë kërkesat e përcaktuara në aneksin 1, për secilën kategori.

i) Forma e ngritjes në kategoritë C2 dhe C 1 bëhet me testim me shkrim dhe intervistë, sipas procedurave të mëposhtme:

- Për të konkurruar për kategorinë C2, punonjësi duhet të ketë punuar pa ndërprerje 2 (dy) vjet në kategorinë C3. Në këtë periudhë përfshihet edhe koha e  provës;

ii) Për të konkurruar për kategorinë Cl, punonjësi duhet të ketë punuar pa ndërprerje 2 (dy) vjet në kategorinë C2.

b) Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit njofton të gjithë personelin doganor, në të gjithë sistemin doganor, për vendet e lira të punës për kategoritë C2 dhe /ose C1, të cilat janë objekt[a1]  konkurimi.

Njoftimi për shpalljen e vendeve të lira të punës përmban:

i) Numrin dhe vendodhjen e vendeve të lira të punës;

ii) Kushtet e veçanta për të marrë pjesë në testim;

iii) Listën e dokumenteve që duhen paraqitur;

iv) Procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes;

v) Afatin dhe vendin e dorëzimit të dokumenteve;

vi) Cilësitë e kërkuara për t'u pranuar në konkurrim;

vii) Kufizimet në moshë, nëse është e domosdoshme;

viii) Ndonjë kërkesë të veçantë, për ndonjë post të veçantë;

ix) Datën, kohën dhe vendin ku do të kryhet testimi me shkrim;

x) Materialet teorike mbi të cilat do të mbështetet testimi.

Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të përcaktuara në njoftim pranë zyrës së sekretarisë ku do të bëhet dhe protokollimi. Kandidatët duhet të paraqesin edhe një vlerësim pune nga eprori direkt, si dhe një rekomandim ku të thuhet shprehimisht "i përshtatshëm për ngritje në kategori", i dokumentuar në bazë të vlerësimit vjetor individual të personelit. Në këtë rekomandim duhet të shënohen rastet kur kandidati ka treguar aftësi të veçanta për të justifikuar vlerësimin.

Për aplikimin për ngritjen në kategori, kandidati duhet të mos ketë në dosjen personale masa disiplinore. Masat disiplinore, që jane shuar e qe ndodhen ne  dosjen e zyrtarit në kohën e paraqitjes së kërkesës së tij, nuk përbëjnë arsye për t'u skualifikuar nga procesi. Afatet e shuarjes të masave disiplinore në dosjen personale përcaktohen në pikën 18.6.[a2] [a3]

Zyra e sekretarisë ka për detyrë të dërgojë pranë Drejtorisë së Administrimit të Personelit dhe të Trajnimit të gjitha kërkesat e paraqitura për konkurrim.

c) Ministri i Financave ngre një komision provimi, ku bëjnë pjesë Zevendes Drejtori i Përgjithshëm Administrativ në postin e kryetarit, 2 zyrtarë të kategorisë A, të propozuar nga Drejtori i Përgjithshëm dhe 2 personalitete të njohura të fushës së Ekonomisë dhe Drejtësisë. Komisioni bën përzgjedhjen e kandidatëve.

Dy anëtarët akademikë të këtij komisioni kanë të drejtën e një shpërblimi ditor për çdo ditë pune në komision. Kjo masë shpërblimi vendoset nga Ministri i Financave dhe paguhet nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

ç) Siç është përcaktuar edhe në pikën 11.8.1.a, procedurat e përzgjedhjes janë provimi me shkrim dhe intervista. Vlerësimi për secilën fazë do të jetë maksimumi 100 pikë. Vetëm kandidatët që marrin më tepër se 50 pikë në provimin me shkrim do të intervistohen. Për t'u vlerësuar fitues, kandidatët  e përzgjedhur duhet të marrin mbi 70 pikë në intervistë. Rezultatet e intervistës do të bazohen në një vlerësim të përvojës, të kualifikimit dhe të aftësive të kandidatit.

Gjatë testimit për vlerësimin e kandidatit merren parasysh realizimet e përgjithshme të kandidatit në fushën e efiçiencës, qëndrueshmërisë, integritetit dhe përvoja në drejtim, sikurse raportohen në formularët e përdorur për vlerësimin vjetor të personelit, për vitet e punësimit.

Kurset e trajnimit, specializimet e ndryshme brenda dhe jashtë vendit, që mund të ketë kryer konkurrenti kanë përparësi në vlerësimin e dosjes vetjake kundrejt konkurrentëve të tjerë. Ky vlerësim pasqyrohet në pikët që jepen gjatë intervistës. Përfundimi i këtyre kurseve dhe specializimeve duhet të vërtetohet përmes dëshmive përkatëse. Në rast se konkurrenti në dosjen personale të depozituar pranë Drejtorisë së Administrimit të Personelit dhe të Trajnimit nuk ka dëshmitë e sipërpërmendura, atëherë ai do t'i dorëzojë ato së bashku me dokumentacionin tjetër të kërkuar për konkurrim, sipas njoftimit.

Komisioni i provimit do të hartojë dhe publikojë një listë të të gjithë kandidatëve, të cilët kanë kaluar provimin me shkrim dhe intervistën, sipas renditjes së pikëve të marra.

d) Emërimet do të bëhen duke filluar nga kandidatët fitues me rezultatin më të lartë, derisa të plotësohen të gjitha vendet e lira të punës. Fituesit e këtij testimi, duke pasur parasysh renditjen e tyre në këtë testim, kanë të drejtë të përzgjedhin vendin e punës ku dëshirojnë të punësohen.

11.8.2 Procedura për ngritjen në kategoritë B dhe A

a) Në procedurën për ngritjen në kategoritë B dhe A lejohet të marrin pjesë vetëm kandidatët që në çastin e konkurrimit punojnë, përkatësisht, në kategoritë C 1 dhe B dhe plotësojnë këtë kusht:

i)  Për të konkurruar për kategorinë B duhet të ketë punuar, pa ndërprerje, 2 (dy) vjet në kategorinë C1.

ii)  Për të konkurruar për kategorinë A duhet të ketë punuar, pa ndërprerje, 2 (dy) vjet në kategorinë B.

b) Komisioni i përzgjedhjes për kategoritë B dhe A përbëhet nga Drejtori i Përgjithshëm, që është kryetar i këtij komisioni, dy prej Zevendes Drejtorëve të Përgjithshëm dhe dy personalitete akademike në fushat e ekonomisë dhe të drejtësisë, të cilët caktohen nga Ministri i Financave.

c) Procedura e ngritjes në kategorinë B është si më poshtë vijon:

i) Ngritja në kategorinë B do të bëhet përmes testimit me shkrim dhe një interviste. Procedura e testimit kryhet në përputhje me pikën 11.8.1/ç.

ii) Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit njofton të gjithë personelin doganor për vendet e lira të punës për kategorinë B, objekt konkurrimi. Njoftimi për shpalljen e vendeve të lira të punës përmban elementet që përcaktohen në pikën 11.8.1 (b), shkronjat "i" deri "x".

iii) Kandidatët e interesuar duhet të plotësojë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të përcaktuara në njoftim dhe ta depozitojnë pranë sekretarisë. Kandidatët duhet të paraqesin edhe një vlerësim pune nga eprori direkt, si dhe një rekomandim "i përshtatshëm për ngritjen në kategori", i cili duhet të dokumentohet në bazë të vlerësimit vjetor individual të personelit. Në këtë rekomandim shënohen rastet kur kandidati ka treguar aftësi të veçanta për të justifikuar vlerësimin e marrë.

Arritjet e përgjithshme të kandidatit në fushën e efiçencës, të qëndrueshmërisë, integritetit dhe përvojës në drejtim, sikurse raportohen në formularët e përdorur për vlerësimin vjetor të personelit, për vitet e punësimit, merren plotësisht në konsideratë.

iv) Për të aplikuar për ngritjen në kategori, kandidati duhet të mos ketë në dosjen personale masa disiplinore. Masat disiplinore që janë shuar  nga dosja e një zyrtari, në kohën e paraqitjes së kërkesës së tij, nuk përbëjnë arsye për t'u skualifikuar nga procesi.

v) Të gjitha çështjet disiplinore, që kanë të bëjnë me zyrtarin dhe janë pasqyruar në dosjen personale në kohën e paraqitjes së kërkesës, përbëjnë arsye për përjashtimin nga procesi i ngritjes në kategori. Afatet e shuarjes  te masave disiplinore në dosjen personale përcaktohen në pikën 18.6.

Kurset e trajnimit dhe specializimet e ndryshme, të ndjekura brenda dhe jashtë vendit nga konkurrenti, përbëjnë një avantazh më shumë në vlerësimin e dosjes vetjake, kundrejt konkurrentëve të tjerë. Përfundimi i këtyre kurseve dhe specializimeve vërtetohet përmes dëshmive përkatëse. Në rast se konkurrenti nuk ka depozituar në dosjen personale pranë Drejtorisë së Administrimit të Personelit dhe të Trajnimit dëshmitë e sipërpërmendura, atëherë ai mund t'i dorëzojë ato së bashku me dokumentacionin tjetër të kërkuar për konkurrim, sipas njoftimit.

vi) Sekretaria dërgon pranë Drejtorisë së Administrimit të Personelit dhe Trajnimit të gjitha kërkesat e paraqitura për konkurrim.

vii) Për konkurrimin në kategorinë B zbatohet parimi "një fitues për çdo vend vakant" dhe nuk ka lista pritjeje. Për këtë vend pune, emërohet kandidati që në total ka fituar pikët më të larta në testim.

d) Procedura e ngritjes në kategorinë A është si më poshtë vijon:

i) Ngritja në kategorinë A bëhet nëpërmjet vlerësimit dokumentar (vlerësimit të dosjes personale) dhe intervistës. Çdo fazë vlerësohet me maksimumin 100 pikë. Kandidati quhet i kualifikuar për të kaluar në intervistë nëse për vlerësimin dokumentar i janë dhënë mbi 70 pikë.

ii) Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit njofton të gjithë personelin doganor për vendet e lira të punës për kategorinë A, objekt konkurrimi. Njoftimi për shpalljen e vendeve të lira të punës duhet të përmbajë elementet që përcaktohen në pikën 11.8.1 b), shkronjat "i" deri "x";

iii) Kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar, brenda afateve të përcaktuara në njoftim, dhe ta depozitojë atë pranë sekretarisë. Sekretaria dërgon pranë Drejtorisë së Administrimit të Personelit dhe të Trajnimit të gjitha kërkesat e paraqitura për konkurrim.

iv) Komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve merr në shqyrtim të gjitha kërkesat e depozituara për ngritjen në kategori. Për vlerësimin e këtyre kërkesave, ky komision shqyrton me kujdes të gjitha të dhënat e dosjes personale të secilit konkurrent, të depozituara në Drejtorinë e Administrimit të Personelit dhe të Trajnimit.

v) Fitojnë të drejtën për të kaluar në intervistë të gjithë konkurrentët që plotësojnë kërkesat themelore për kualifikim, të përcaktuara më poshtë:

- Të jetë vlerësuar mesatarisht "Shumë mirë" në raportin e vlerësimit të personelit për 2 vitet e punës në kategorinë e mëparshme. Për vlerësimin e këtij kriteri për ngritje në kategori, përllogaritja mesatare numerike për realizimet e përgjithshme (performancën), në përputhje me sistemin vjetor të vlerësimit individual në sistemin doganor, përcaktohet:

- 1.5 - 1 pikë, i barazvlefshëm me vlerësimin mesatar individual të personelit në kategorinë "Shumë mirë";

- 2.5 - 2 pikë, i barazvlefshëm me vlerësimin mesatar individual të personelit në kategorinë "Mirë";

- 3.5 - 3 pikë, i barazvlefshëm me vlerësimin mesatar individual të personelit në kategorinë "Mjaftueshëm".

- 4 pikë, i barazvlefshëm me vlerësimin mesatar individual të personelit në kategorinë "Jo mjaftueshëm".

- Gjithashtu, cilësitë e kandidatit në fushën e aftësive drejtuese, të frytshmërisë në punë, konsistencës dhe integritetit, sipas formularëve për vlerësimin vjetor të personelit, për vitet e punësimit, merren plotësisht në konsideratë.

- Të ketë rekomandimin "I përshtatshëm për t'u ngritur në kategori", nga eprori direkt. Në rekomandim, i cili bazohet në vlerësimin vjetor individual të personelit, të shënohen rastet ku dhe kur kandidati ka treguar aftësi të veçanta për të justifikuar vlerësimin e marrë. Në rast se ky vlerësim nuk ndodhet në dosjen personale të kandidatëve, atëherë ai i vihet në dispozicion komisionit të përzgjedhjes nga vetë konkurruesi, së bashku me dokumentacionin shoqërues, në përputhje me kërkesat e njoftimit për shpallje konkurrimi, të bërë nga Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit.

- Të mos ketë në dosjen personale masa disiplinore. Masat disiplinore, që janë shuar  nga dosja e një zyrtari në kohën e paraqitjes së kërkesës së tij, nuk përbëjnë arsye për t'u skualifikuar nga procesi. Afatet e mbajtjes së masave disiplinore në dosjen personale përcaktohen në pikën 18.6.

- Të kenë kryer kurse dhe specializime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, të vërtetuara me dëshmitë përkatëse, të cilat përbëjnë avantazh. Në rast se konkurrenti nuk i ka depozituar këto dëshmi në dosjen personale, ai mund t'i dorëzojë ato së bashku me dokumentacionin tjetër për konkurrim sipas njoftimit.

vi) Komisioni i përzgjedhjes, në bashkëpunim me Drejtorinë e Administrimit të Personelit dhe të Trajnimit i komunikon konkurrentëve kualifikimin për intervistë, si dhe datën dhe vendin ku do të zhvillohet kjo e fundit.

vii) Intervista për ngritjen në kategori ka si objektiv kryesor identifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatit më të përshtatshëm për të kryer detyrat e kategorisë respektive, në bazë të parimeve të meritokracisë dhe të drejtësisë.

viii) Pas intervistës, komisioni i përzgjedhjes mbledh rezultatet e secilës fazë të testimit, për çdo konkurrent, dhe shpall listën përfundimtare të konkurrimit. Emërohet kandidati që ka fituar në total më shumë pikë.

11.9 Procedura e rekrutimit nëpërmjet përzgjedhjes së kandidatëve nga jashtë administratës doganore

11.9.1 Procedura e rekrutimit të kandidatëve që janë jashtë sistemit doganor përdoret për kategorinë C3, C2, C1, B, A  përfshi edhe pozicionin e Zevendes Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit te Pergjithshem ne raste kur:

a) procedura e ngritjes në kategori dështon, sepse kandidatët nuk plotësojnë kriteret dhe kërkesat e përcaktuara për pozicionet vakante, sipas aneksit 1;

b) Nga Drejtori i Pergjithshem i Doganave gjykohet te perdoret procedura e nderthurur e parashikuar ne piken 11.1 per konkurim te hapur me pjesmarrje e punonjesve te brendshem dhe te interesuarve jashte sistemit doganor ne funksion te rritjes se hapesirave dhe cilesise se punonjesve te rekrutuar.

Përmbushin kushtet e përgjithshme për t'u punësuar, nga jashtë, në administratën doganore, individët që:

i)  kanë nënshtetësi shqiptare;

ii)  kanë zotësi të plotë për të vepruar;

iii)  gëzojnë shëndet të mirë për të kryer detyrat e tyre;

iv) nuk kanë qenë të dënuar për krime dhe nuk kanë ndonjë proces pezull në gjykatë;

v) nuk kanë qenë pushuar ndonjëherë më parë nga administrata doganore ose shërbimi civil për thyerje të disiplinës, ose shkelje të tjera serioze;

vi)  u nënshtrohen të dyja shkallëve të testimit, të provimit me shkrim dhe të intervistës me gojë.

11.9.2 Të gjitha vendet e lira shpallen në të paktën 3 gazeta kryesore, të përditshme shqiptare, të paktën 7 (shtate) ditë përpara përfundimit të afatit të paraqitjes së kërkesave. Provimi me shkrim zhvillohet te pakten  7 ditë pas afatit përfundimtar për dorëzimin e kërkesave.

11.9.3 Forma dhe përmbajtja e njoftimit për vendet e lira të punës, si dhe mënyra e administrimit të kërkesave të jenë sipas përcaktimeve të bëra  në pikën 11.8.1/b, shkronja "i" deri "x".

11.9.4 Komisioni i përzgjedhjes do të jetë i njëjtë me komisionin e ngritur sipas përcaktimeve të pikës 11.8.2 shkronja "b".

11.9.5 Procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve, metodat dhe kriteret e vlerësimit do të bëhen në përputhje me përcaktimet e pikës 11.8.1 shkronjat "c" dhe "ç".

11.10 Dispozita të përbashkëta për përzgjedhjen e kandidatëve nga brenda dhe jashtë administratës doganore.

11.10.1 Me perfundimin e konkurimit shpallet lista e kanditeve fitues per vendet e shpallura

11.10.2 Kandidatët që nuk fitojnë mund të paraqesin, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultateve të konkurrimit, ankesat e tyre për zhvillimin dhe rezultatin e konkurrimit pranë Komisionit të Shërbimit Civil.

Emërimet ne Administratën Doganore duhet të mbështeten në meritokraci dhe të realizohen nëpërmjet një konkurrimi të drejtë dhe transparent.

Me përjashtim të vendit të lirë për postin e Zevendes Drejtorit të përgjithshëm, i gjithë personeli doganor, me kualifikimet e kërkuara, ka të drejtë të marrë pjesë në procedurat e rekrutimit nga jashtë, nëse plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 11.8 dhe t'u nënshtrohet të njëjtave procedura, ashtu si dhe kandidatët e tjerë të jashtëm.

11.10.6 Zyrtarët e emëruar nga jashte  në kategoritë C3,C2,C1,B,A i nënshtrohen një periudhe prove 6 mujore.

11.10.7 Administrata doganore siguron që të gjitha fazat e procedurave të emërimit, që kanë të bëjnë me ngritjen në kategori nga brenda administratës doganore dhe rekrutimit nga jashtë administratës doganore, të regjistrohen dhe të dokumentohen në mënyrë të plotë. Të gjitha dokumentet e këtyre proceseve, duke përfshirë fletët e provimit dhe vlerësimet përfundimtare të komisioneve gjatë intervistave, ruhen nga administrata për një afat kohor të paktën 12-mujor dhe nuk asgjësohen përpara se të marrin zgjidhje apelimet përkatëse.

11.11 Ngritjet e përkohshme në kategori

Kur për nevoja operacionale të dokumentuara kërkohet detyrimisht plotësimi i menjëhershëm i një vendi të lirë pune apo i një vendi pune të sapokrijuar, atëherë administrata mund të kryejë një ngritje të përkohshme në kategori të zyrtarëve ekzistues ose te kontraktoje punonjes jashte Administrates Doganore.

Ngritjet e përkohshme në kategori zgjasin vetëm për një afat kohor maksimumi prej tre muajsh, gjatë të cilit administrata duhet të zbatojë procedurat përkatëse dhe aktet ligjore e nënligjore për plotësimin e këtij vendi të lirë pune, në mënyrë përfundimtare.

Për periudhën e ngritjes së përkohshme në kategori, punonjësit gëzojnë të drejtën e pagesës së kategorisë më të lartë, si dhe përfitimet që rrjedhin nga ndryshimi i vendndodhjes së vendit të punës.

Zyrtarët e ngritur në kategori përkohësisht dhe që nuk kanë fituar në procedurën e ngritjes në kategori për postin që ishte dhënë përkohësisht, kthehen përsëri në pozicionin dhe vendndodhjen e tyre fillestare në përfundim të afatit kohor tremujor, ose kur vendi i lirë plotësohet në mënyrë përfundimtare, kurdo që të krijohet mundësia, në të dyja rastet.

11.12 Personeli i kategorive D1 dhe D2, i cili përzgjidhet nga komisioni i përbërë nga zëvendësdrejtori administrativ, drejtori i personelit duke zbatuar procedurat standarde të testimit, me intervistë dhe pa iu nënshtruar provimit me shkrim, emërohet nga Drejtori i Përgjithshëm, në përputhje me pikën 3 të nenit 14 të Kodit. Ky personel i nënshtrohet një periudhe prove tremujore, duke filluar nga data e emërimit të tyre.

11.12.1 Marrëdhëniet e punës të personelit të kategorisë D rregullohen nga Kodi i Punës dhe aktet e tjera nënligjore përkatëse.

11.12.2 Nëpunësit, të cilët largohen përkohësisht nga shërbimi doganor për ndjekjen e kurseve apo programeve të avancuara të trajnimit, brenda ose jashtë vendit, nuk e humbasin kategorinë që kanë pasur përpara çastit të largimit.

11.12.3 Kur vendet e punës shkurtohen si rrjedhojë e riorganizimit ose reformave modernizuese, nëpunësve  u ofrohet një pozicion i së njëjtës kategori dhe, kur nuk është e mundur, një pozicion i një shkalle më të ulët, me kusht që ata të plotësojnë kërkesat e pozicionit të ri.

Kur punonjësit e shkurtuar:

- nuk plotësojnë kërkesat e pozicionit të ri;

- dalin mbi numrin e përgjithshëm të vendeve të punës në dispozicion, atëherë administrata doganore siguron që ata të mbesin në një listë pritjeje për punësim, e vlefshme për një periudhë     1-vjeçare, dhe nëse gjatë atij viti rezultojnë vende të reja vakante, atyre u ofrohen ato vende, me kusht që ato të plotësojnë kërkesat e përcaktuara për vendet në fjalë.

11.13 Transferimi brenda së njëjtës kategori

Transferimi brenda së njëjtës kategori, sipas përcaktimit të bërë në nenin 11.11 nënkupton ndryshimin nga një punë, funksion apo vendndodhje e caktuar, në një punë, funksion ose vendndodhje të një kategorie të njëjtë, brenda administratës doganore pavaresisht pozicionit gjeografik ku ndodhet zyra e Administrates Doganore. Transferime të tilla kryhen  për të plotësuar nevojat operacionale, të cilat duhet të jenë të justifikuara dhe të dokumentuara.

Çdo punonjës doganor, kur krijohet një vend i lirë pune, mund të paraqesë kërkesë për tjetër transferim të veçantë në një vend pune, funksion apo vendndodhje, për arsye personale. Në raste të tilla, punonjësi paraqet një kërkesë me shkrim në Drejtorinë e Administrimit të Personelit dhe të Trajnimit, brenda datës 31 janar të çdo viti, e cila është e vlefshme për një vit, nëse i interesuari nuk e tërheq atë.

11.13.1 Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit u komunikon të gjitha zyrave të administratës doganore shpalljet për vendet e lira. Drejtuesit e tyre sigurojnë që këto njoftime t'i komunikohen të gjithë punonjësve që i përmbushin kërkesat.

11.13.2 Çdo punonjës ka të drejtë të paraqesë, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së njoftimit, një kërkesë në Drejtorinë e Administrimit të Personelit dhe të Trajnimit.

11.13.3 Punonjësit mund të përfshijnë në kërkesë çdo arsye personale, duke pasur parasysh se përparësi do t'i jepet nevojave operacionale të shërbimit doganor. Arsye personale të pranueshme mund të jenë statusi civil, vendbanimi familjar i përhershëm, arsye të dëshmuara shëndetësore etj. Në rrethana të tilla, punonjësi duhet të dokumentojë pretendimet e kërkesës së tij.

11.13.4 Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit grumbullon të gjitha kërkesat përkatëse, verifikon saktësinë e të dhënave të depozituara, shqyrton kërkesat në mënyrë të plotë, së bashku me dosjet personale dhe përzgjedh një kandidat për vendin e lirë të punës, në bazë të kritereve të mëposhtme:

i) Kërkesat dhe aftësitë e veçanta, të kërkuara për plotësimin e vendit të lirë të punës;

ii) Aftësitë, përvoja dhe frytshmëria në punë, të treguara zyrtarisht, të vërtetuara e të shoqëruara me vlerësimin e punës së tij. Përbën përparësi çdo kurs trajnimi përkatës, i përfunduar me sukses nga zyrtari;

iii) Dosja disiplinore e punonjësve, për të siguruar ruajtjen e standardeve të larta të frytshmërisë  në punë dhe të profesionalizmit;

iv) Arsyet personale të kandidatëve që kërkojnë të transferohen.

Nevojat individuale të zyrtarëve duhet të merren në konsideratë, së bashku me nevojat operacionale të shërbimit doganor, me kusht që kriteret e përmendura në pikat i, ii, iii, të mos shërbejnë për të skualifikuar individët që shprehin arsye personale.

Përpara përgatitjes së propozimit, Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit këshillohet me drejtuesit ekzistues të zyrtarit dhe drejtuesit e lartë të vendit të lirë të shpallur.

11.13.5 Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit i dorëzon Drejtorit të Përgjithshëm këto dokumente:

i) listën e kandidatëve të kualifikuar, së bashku me dokumentacionin që vërteton përshtatshmërinë e tyre me kërkesat e paraqitura;

ii) listën e kandidatëve të papërshtatshëm dhe dokumentacionin e nevojshëm që vërteton papërshtatshmërinë e tyre.

Drejtori i Përgjithshëm shqyrton dokumentet e kandidatëve të rekomanduar dhe vendos për kandidatin e përshtatshëm për transferim, sipas kritereve të përmendura në 11.13.4.

Zyrtarët e transferuar, si pasojë e kërkesës dhe e aplikimit të tyre të depozituar përpara shpalljes së vendit të lirë të punës, i përballojnë vetë kostot dhe shpenzimet e përfshira në transferimin e tyre.

11.13.6 Administrata, për nevoja operacionale të dokumentuara, mund të kryejë një transferim të detyrueshëm kur:

a) nga shqyrtimi i kërkesave të paraqitura nuk rezulton me një kandidat të përshtatshëm për të plotësuar vendin e lirë sipas kërkesave të përcaktuara në 11.13.4;

b) në administratë nuk është paraqitur asnjë kërkesë për vendin e lirë të shpallur.

c) kur punonjesi ndeshkohet nga Komisioni Disiplinor me ulje ne kategori.

d) per zyrtarin qe ka zene vendin e punes ne rastet e zbatimit te nje vendimi gjyqesor per rikthim ne pune

11.13.7  Zyrtarët e transferuar me kërkesë të tyre, sikurse parashikohet në pikën 11.13, nuk e gëzojnë të drejtën e pretendimit të shpenzimeve për transportin dhe dietën ditore.

11.13.8  Nëpunësit që kanë punuar të paktën 1 vit pas periudhës së provës në pozicionet që i korrespondojnë kategorive të fituara prej tyre, nëpërmjet procedurave të rregullta, të përcaktuara në këto dispozita, e humbin të drejtën e ushtrimit të kategorisë në fjalë pas 1 viti,  nëse për arsye personale kanë kërkuar me shkrim të transferoheshin në një pozicion që i korrespondon një kategorie më të ulët.

11.14  Zyrtarët, me kusht që të mos kenë çështje disiplinore apo penale në shqyrtim e sipër ndaj tyre, kanë të drejtën e kërkimit të një lejeje të papaguar për një periudhë kohore deri në 1 vit. Në bazë të arsyeve personale të nevojave operacionale të shërbimit doganor, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave autorizon apo refuzon këtë leje.

11.14.1 Zyrtarët, që kanë përfunduar lejen e papaguar, kanë të drejtë të kërkojnë të emërohen në një vend pune që përputhet me kategorinë e mëparshme, pa iu nënshtruar procedurave të rekrutimit. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave vendos se në cilin vend pune do të emërohet zyrtari i kthyer.

11.14.2 Në rast se zgjatja jo e zakonshme e lejes së papaguar nuk jepet me shkrim nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, moskthimi në detyrë, brenda periudhës së përcaktuar, konsiderohet si braktisje e vendit të punës. Zgjatje të tilla jo të zakonshme mund të jepen vetëm për një maksimum kohor tremujor.

11.15 Zyrtarët që, për arsye personale, japin dorëheqjen nga shërbimi doganor dhe dëshirojnë të kthehen përsëri në këtë shërbim, u nënshtrohen procedurave normale të punësimit për kandidatët e jashtëm.

KREU VI

Shkeljet dhe masat disiplinore

16.  Në përputhje me pikën 6 të nenit 16 të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë, me ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil" dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, si dhe çdo ndryshim të mëtejshëm të tyre, ky kre përcakton shkeljet disiplinore, procedurat për zbatimin e masave disiplinore, si dhe procedurat e apelimit ndaj vendimeve disiplinore administrative.

16.1  Llojet e shkeljeve disiplinore përcaktohen në përputhje me pikën 1 të vendimit nr.306, datë 13.6.2000 të Këshillit të Ministrave "Për disiplinën në shërbimin civil". Çdo ndryshim i mëtejshëm i këtij vendimi, për pasqyrimin e shkeljeve, i shtrin efektet edhe mbi këtë dispozitë.

Pavarësisht nga paragrafi i parë, shkelje disiplinore do të konsiderohet edhe çdo thyerje e dispozitave të Kodit Doganor dhe dispozitave zbatuese të tij, si dhe e urdhrit të Ministrit të Financave për rregullat e etikës në shërbimin doganor shqiptar.

17.  Komiteti disiplinor

17.1 Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ngre komitetin disiplinor, i cili përbëhet nga 3 anëtarë, përkatësisht nga Zevendes Drejtori i Përgjithshëm Administrativ, me atributet e kryetarit dhe nga 2 zyrtarë të kategorisë A . Zyrtarët e kategorisë A zëvendësohen çdo vit me zyrtarë të tjerë të së njëjtës kategori. Rolin e sekretariatit të Komitetit Disiplinor e luan sekretarja e Zëvendes Drejtorit Administrativ. Komiteti disiplinor i merr vendimet me shumicë votash. Detyrimisht ne mbledhjet e Komitetit Disiplinor merr pjese pa te drejte vote ne rolin e keshilltarit ligjor nje specialist jurist nga Drejtoria Juridike.

17.2  Komiteti disiplinor merret me të gjithë personelin doganor, me përjashtim të Drejtorit të Përgjithshëm apo, Zevendes Drejtorët e Përgjithshëm, për të cilët masat disiplinore merren nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave, dhe nga Ministri i Financave, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm.

17.3 Komiteti disiplinor garanton zbatimin e rregullave dhe të procedurave disiplinore të parashikuara në këtë vendim, mbështetur në parimet e drejtësisë dhe të barazisë, në trajtimin e punonjësve.

17.4 Në rast se anëtari i komitetit e ka të pamundur paraqitjen në mbledhjet e komitetit, ai zëvendësohet në përputhje me dispozitat përkatëse të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999 "Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë".

17.5 Në rastet kur anëtarët e komitetit disiplinor janë drejtuesit raportues të zyrtarëve të akuzuar apo ata vetë janë nën akuzë, atëherë këta anëtarë duhet të zëvendësohen sipas dispozitave të përcaktuara në pikën 17.4 dhe shërbejnë vetëm si zyrtarë raportues në procedurën disiplinore.

17.6 Vendimet disiplinore merren kur sigurohet shumica e votave të të gjithë anëtarëve të komitetit për një linjë të veçantë veprimi.

17.7 Për të gjitha mbledhjet, seancat dëgjimore dhe procedimet disiplinore, të zhvilluara nga komiteti disiplinor mbahet regjistrim i hollësishëm, i dokumentuar. Regjistrimet nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e komitetit dhe janë konfidenciale.

18. Masat disiplinore

18.1  Çdo person që dyshon se një punonjës doganor ka kryer një shkelje disiplinore, pa rënë ndesh me dispozitat e Kodit Penal dhe aktet e tij nënligjore, njofton shefin e zyrës përkatëse, drejtorin e drejtorisë apo të drejtorisë rajonale.

18.1.1  Në rast shkeljesh, drejtuesi i përmendur në pikën 18.1 kryen një hetim paraprak për të vërtetuar faktet dhe, kur është e nevojshme, merr deklarime nga çdo dëshmitar i mundshëm. Rezultatet përmblidhen në një raport vlerësimi. Nëse nga hetimi disiplinor vërtetohet se është bërë një shkelje disiplinore, eprori direkt e njofton punonjësin menjëherë, me shkrim, për shkeljen/t që rëndojnë mbi të.

18.1.2  Raporti që përmban informacionet e përmendura në pikën 18.1.1, si edhe raporti i vlerësimit duhet të dërgohet nga shefi i zyrës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për shkeljen, në komitetin disiplinor, i cili duhet ta vlerësojë çështjen brenda 30 ditëve nga marrja e raportit. Komiteti mund t'i kërkojë zyrës doganore përkatëse që të sigurojë të gjitha të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kësaj çështjeje.

Pas shqyrtimit të plotë të dokumentacionit përkatës, komiteti disiplinor organizon një seancë zyrtare disiplinore, gjatë së cilës zyrtari ka të drejtë ta shtrojë çështjen dhe të përgjigjet për akuzat e bëra. Zyrtari i hetuar gëzon të drejtën e një ndihme ligjore, me shpenzimet e veta. Ai njoftohet përmes fletëthirrjes për të marrë pjesë në seancën disiplinore. Dëshmitarët e çështjes, gjithashtu, njoftohen përmes fletëthirrjeve, të cilat duhet të përfshihen në dosjen e seancës së komitetit, siç përmendet në pikën 17.7.

Bazuar në faktet e vërtetuara dhe në të dhënat e grumbulluara, sipas natyrës dhe rëndësisë së shkeljes, komiteti disiplinor i  rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave hedhjen poshtë të çështjes apo vendosjen e njërës prej masave të përcaktuara në pikën 3 të nenit 25 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil".

Per rastet e konstatimit te marrjes se ryshfetit aplikohet aplikohet ne menyre te drejtperdrejte masa e parashikuar ne Nenin 25, pika 3, shkronja d 25 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil".- Largim nga puna

18.3 Kur i njëjti punonjës merr masa disiplinore të përsëritura, komiteti disiplinor mund t'i propozojë Drejtorit të Përgjithshëm largimin nga puna të zyrtarit në fjalë.

18.4 Drejtori i Përgjithshëm ka autoritetin ligjor që, brenda 15 ditëve:

a) të pranojë rekomandimin e komitetit disiplinor, rast ky në të cilin ai nxjerr një vendim përfundimtar me shkrim. Drejtoria e Administrimit të Personelit dhe e Trajnimit përgjigjet për zbatimin e vendimit dhe për njoftimin e zyrtarit të përfshirë; Administrata e njofton, me shkrim, zyrtarin e përfshirë për të drejtat e tij të apelimit dhe për kufijtë kohorë përkatës. Kopja e vendimit të marrë arkivohet në dosjen e çështjes;

b) të mos pranojë rekomandimin e komitetit disiplinor dhe t'ia kthejë çështjen për rishqyrtim këtij komiteti, për arsye të dokumentuara të mungesës së provave, të të dhënave apo të hetimit shtesë të kërkuar.

c)  të mos pranojë rekomandimin e komisionit disiplinor, pas rishqyrtimit, kur arsyet për këtë vendim mbështeten nga një raport me shkrim.

18.5 Vendimi për masë disiplinore, i marrë ndaj punonjësit doganor, pasqyrohet në dosjen e tij personale.

18.6  Afatet e shuarjes së masave disiplinore

Me kusht që ndaj nëpunësve të mos jenë zbatuar masa të tjera disiplinore të mëvonshme, masat e dhëna shuhen nga dosja personale e punonjësve , brenda:

i) 1(një) viti, për masat disiplinore që përcaktohen në shkronjat "a" dhe "b" të pikës 3 të nenit 25 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil".

ii) 18 muajve, për masat disiplinore që përcaktohen në shkronjat "a" dhe "b" të pikës 3 të nenit 25 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil".

 18.7 Kur shkelja disiplinore u nënshtrohet dispozitave të Kodit Penal, administrata doganore siguron që hetimi i plotë dhe i duhur për të pranuar apo për të refuzuar një shkelje të tillë të kryhen nga autoritetet përkatëse.

19. Procedurat e apelimit ndaj vendimeve disiplinore të administratës doganore rregullohen me ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil" dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

20. Vendimi numer 222 date 16.04.2004 dhe çdo dispozite tjetjer qe bie ne kundershtim me keto dispozita shfuqizohet

21. Dispozita tranzitore

I gjithë personeli doganor që, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ushtron funksionet e kategorisë C3 e merr automatikisht këtë kategori, pa iu nënshtruar procedurave të testimit.".

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kryeministri

Sali Berisha

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›