VENDIM PER SHPALLJEN E LUMIT BUNA DHE TË TERRITOREVE LIGATINORE PËRRETH TIJ “PEIZAZH UJOR/TOKËSOR I MBROJTUR”
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E LUMIT BUNA DHE TË TERRITOREVE LIGATINORE PËRRETH TIJ “PEIZAZH UJOR/TOKËSOR I MBROJTUR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpalljen “Peizazh ujor/tokësor i mbrojtur” të zonës së lumit Buna, së bashku me deltën dhe ishullin e Franc Jozefit, rezervatin e Velipojës, lagunën e Vilunit, plazhin e Baks-Rrjollit, kënetën e Domnit, si dhe territoret përreth tyre, sipas hartës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Peizazhi ujor/tokësor i mbrojtur kufizohet:
Nga Veriu: Me vijën që bashkon daljen e lumit Buna nga liqeni i Shkodrës deri në kufirin verior me Republikën Serbi-Mali i Zi (koordinatat 420 03’08” 190 29’30”, 420 01’31” 190 29’, 420 00’36’’ 190 25’7”, 420 00’ 190 23’45”);
Nga Perëndimi: Me vijën e kufirit shtetëror përgjatë lumit Buna me Republikën Serbi-Mali i Zi;
Nga Lindja: Me vijën që bashkon daljen e lumit Buna nga liqeni i Shkodrës deri te Rëra e Hedhur dhe që kalon nga zona malore (koordinatat: 410 50’30” 190 35’30”, 420 53’15” 190 30’, 410 59’30” 190 31’30”, 420 00’ 190 31’33” , 420 02’15” 190 30’, 420 03’08” 190 29’).
Nga Jugu: Me vijën bregdetare nga Rëra e Hedhur deri te grykëderdhja e lumit Buna (koordinatat: 410 50’57” 190 23’, 410 51’28” 190 27’30”, 410 50’58” 190 30’.
3. Peizazhi ujor/tokësor i mbrojtur i lumit Buna ka një sipërfaqe të përgjithshme 23 027 ha, të përbërë nga:
a) sipërfaqe pyjore dhe shkurrore 7 799 ha;
b) sipërfaqe lagunore 346 ha;
c) duna ranore, bregdetare, 496 ha;
ç) toka të kripura 252 ha;
d) sipërfaqe të tjera (toka bujqësore, zona të banuara) 14 134 ha.
4. Peizazhi ujor/tokësor i lumit Buna ka zonimin e mëposhtëm, që paraqitet në hartën që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4.1. Zona qendrore (zona A)
A.1. Zonë qendrore (në hartë e shënuar me 1a) e përbërë nga:
a) pjesa e lumit Buna dhe brigjet e tij nga bashkimi me lumin Drin deri në fshatin Obot;
b) brigjet e lumit Buna në pjesën perëndimore të rezervatit të Velipojës, nga grykëderdhja e lumit deri përballë skajit verior të ishullit Ada dhe 200 m në brendësi të rezervatit në Lindje;
c) ishulli i Franc Jozefit dhe bregdeti në Lindje të grykëderdhjes, në gjatësi deri 2 km dhe gjerësi 300 m në det, drejt Jugut;
ç) pjesa qendrore dhe veriore e lagunës së Vilunit;
d) gadishulli në plazhin e Baks-Rrjollit dhe një gjerësi 300 m në Jug të
vijës bregdetare deri te Rëra e Hedhur;
dh) pjesa qendrore e kënetave të Domnit dhe të Murtemzës.
Në këtë zonë të zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes, në mbështetje të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”.
A.2. Zonë qendrore (në hartë e shënuar me 1b), e përbërë nga:
a) pjesa e lumit Buna në një gjatësi brigjesh 3 km në anën e djathtë të lumit, në Veri të fshatit Oblikë;
b) pjesa e lumit nga fshati Obot (e kufizuar në Veri me pjesën e përmendur në pikën A.1) deri në pikën përballë skajit verior të ishullit Ada (e kufizuar në Jug me pjesën e përmendur në pikën A.1), me një gjerësi 200 m drejt Lindjes;
c) gjithë sipërfaqja e rezervatit të Velipojës, me përjashtim të asaj të përfshirë në pikën A.1 më sipër;
ç) pjesa jugore e lagunës së Vilunit (e mbetur nga pjesa e përfshirë në
pikën A.1) dhe gjithë sipërfaqja kënetore, që rrethon brigjet e lagunës;
d) zona e Baks-Rrjollit, e mbetur nga pjesa e përfshirë në pikën A.1 deri në lartësinë 335 m në shpatin e malit Kolaj, në Veri;
dh) pjesa e kënetave të Domnit dhe të Murtemzës, që rrethon atë të
përmendur në pikën A.1.
Në këtë zonë të zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, në mbështetje të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”.
A.3. Zonë qendrore (në hartë e shënuar me 1c), e përbërë nga:
a) pjesa e lumit Buna, me gjatësi brigjesh 2 km, midis fshatrave Shirq dhe Obot, në anën e djathtë të lumit;
b) në gjatësi brigjesh 2 km të lumit Buna, në Veri të fshatit Dajç, në anën e majtë të lumit.
Në këtë zonë të zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, në mbështetje të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”.
Zonë e zhvillimit tradicional (zona B).
B.1. Zonë e zhvillimit tradicional (në hartë e shënuar 2a), e përbërë nga:
a) fushat e Velipojës, me sipërfaqe 2 500 ha;
b) fushat e Pentarit, me sipërfaqe 850 ha;
c) pellgjet (ish-vaskat e peshkut) e fshatit Reç, me sipërfaqe 114 ha;
ç) kullotat e Urës së Gjo Lulit dhe Domnit, me sipërfaqe 2200 ha.
Në këtë zonë të zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes, në mbështetje të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, ku mund të ushtrohen veprimtari me karakter rikrijues, edukativ, ekoturistik, si dhe përdorimi tradicional i tokës, në harmoni të plotë me ruajtjen e natyrës dhe të vlerave shoqërore e kulturore të komunitetit vendas.
B.2. Zonë e zhvillimit tradicional (në hartë e shënuar me 2b), e përbërë nga: territori që fillon nga fshati Pentar, në kufirin me Malin e Zi, vazhdon përmes kënetave të lumit Buna e kodrave të Rrencit dhe zbret në bregdet te Rëra e Hedhur, e cilësuar si korridor migrimi.
Në këtë zonë të zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes, në mbështetje të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, por për karakteristikat që ofron, kërkohen plane të veçanta menaxhimi.
C. Zonë e tranzicionit (zona C).
C.1. Zonë e tranzicionit (në hartë e shënuar me 3), e përbërë nga: plazhi i Velipojës, i kufizuar në Perëndim nga rezervati i Velipojës, në Veri nga rruga automobilistike dhe me shtrirje, në Lindje, deri në 500 m përpara kanalit të komunikimit të lagunës së Vilunit me detin.
Në këtë zonë të zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes, në mbështetje të ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”. Në këtë zonë mund të ushtrohen veprimtari bujqësore, si dhe a mund të përdoret toka për qëllime të ndryshme turistike, sportive, edukative, rikrijuese etj., që nuk cenojnë natyrën dhe biodiversitetin, mbështetur në zhvillimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e burimeve natyrore të zonës.
5. Ngarkohet administrata ekzistuese e zonës së mbrojtur të Velipojës, e cila është në varësi të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, të kryejë funksionet e administratës së peizazhit ujor/tokësor të mbrojtur të lumit Buna.
6. Ngarkohet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, që, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, të hartojë rregulloren e administrimit dhe planin e menaxhimit të peizazhit ujor/tokësor të mbrojtur të lumit Buna.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA