Kryeministri Berisha uron Kancelaren Merkel në 20 – vjetorin e rënies së Murit të Berlinit
Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh urimi Kancelares gjermane Angela Merkel me rastin e 9 nëntorit, ditës përkujtimore të rënies së Murit të Berlinit
“E dashur Znj. Kancelare, Angela Merkel!
Sot kombi i madh dhe mik gjerman, së bashku me qytetarët e lirë në mbarë botën, festojnë 20-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, ngjarjen më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore për kombin Tuaj, por edhe për lirinë e njerëzimit.
Sot është një ditë e madhe, në të cilën gjermanët dhe qytetarët e lirë në mbarë botën nderojnë së bashku burrërinë, trimërinë dhe guximin e jashtëzakonshëm të mijëra e mijëra djemve e vajzave, burrave e grave të Gjermanisë Lindore, që, më 9 nëntor të vitit 1989, me zjarrin e lirisë në shpirt dhe zemër u vërsulën si luanë mbi Murin e Berlinit, e shembën atë duke hapur jo vetëm dyert e bashkimit të kombit Tuaj, por edhe dyert e lirisë për qindra milionë qytetarë të Evropës, të cilët vuanin nën tiranitë komuniste.
Shembja e Murit të Berlinit i dha zgjidhje përfundimtare çështjes gjermane, e cila, siç do të theksonte Presidenti amerikan Ronald Regan ishte njëkohësisht çështje e lirisë së njerëzimit. 9 nëntori i vitit 1989 bëri të mundur që kombet evropiane, ndër të cilat dhe kombi shqiptar, të shtypura nga diktaturat komuniste, të ngrihen njëri pas tjetrit dhe të shembin regjimet e egra totalitare në vendet e tyre, duke realizuar kështu përmbysjen me shpejtësi, në mbarë Evropën, të sistemit socialist, eksperimentit më tragjik, që njerëzimi ka njohur në tërë historinë e vet.
Sot një nderim i veçantë dhe mirënjohje e thellë u takon personaliteteve botërore, Ronald Reganit, Helmut Kohlit, Xhorxh Bushit, Mikail Gorbacovit, Papa Gjon Palit të Dytë, të cilët, me vizionin e tyre, u dëshmuan misionarë, promotorë dhe arkitektë të shembjes së perdes së hekurt dhe të bashkimit të Gjermanisë.
Këto 20 vite Gjermania e bashkuar në liri u shndërrua në promotorin kryesor të zhvillimit dhe integrimit evropian. Shqiptarët kanë pasur dhe kanë privilegjin e madh të jenë në krye të listës së ndihmës dhe të solidaritetit të vendit tuaj, mik e bujar. Unë Ju garantoj se do t’Ju jemi gjithmonë mirënjohës.
Znj. Kancelare, kombi gjerman feston 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit si njërën nga ngjarjet më të mëdha të historisë së tij, nën udhëheqjen Tuaj, që sapo merituat mandatin e dytë, e që 20 vjet më parë ishit një studiuese, në anën e errët të Murit të Berlinit. Ky është dhe simboli më i ndritshëm i mrekullisë së lirisë.
Me urimet më të përzemërta,
Sali BERISHA”09/11/2009