Kryeministri Berisha uron Presidentin e SHBA-ve Barak Obama, për marrjen e detyrës
- Ju siguroj, se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi tërësisht të vendosur e të angazhuar dhe presim, me padurim, të bashkëpunojmë ngushtësisht me Ju, zoti President, dhe me administratën Tuaj.
Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Barack Obama me rastin e marrjes së detyrës.
“I nderuar z. President Obama!
Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju dërgoj përshëndetjet më miqësore dhe urimet më të përzemërta, me rastin e marrjes, nga ana Juaj, të detyrës më të lartë të planetit, atë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendit të madh të lirisë.
Inaugurimi Juaj si Presidenti i 44-t i SHBA-së është një ngjarje vërtetë epike për kombin dhe vendin tuaj të madh. Por më 20 janar, së bashku me Ju, u inaugurua, si Presidenti i SHBA-së, ëndrra amerikane, ndryshimi i madh i vendit tuaj dhe mbarë botës. Prandaj, dhe me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare, Ju uroj sukses të plotë në misionin tuaj të madh e historik.
Ne, shqiptarët, jemi një komb që, në historinë tonë tejet të gjatë, të mbijetesës së vështirë, kemi përjetuar vuajtje, copëtime, pushtime, diktatura të egra, që kanë kërcënuar identitetin dhe ekzistencën tonë. Por, sërish, ne kemi qenë me fat se, në çastet më kritike, kemi pasur mbështetjen e vendit dhe kombit tuaj të madh, e cila ka qenë përcaktuese për fatet tona, ndaj për këtë, te ne, shqiptarët, ekziston një vetëdije e thellë dhe mirënjohje e pakufishme për vendin Tuaj.
SHBA-ja i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të paçmuar për ndërtimin e demokracisë, bazuar në tregun e lirë, ndërtimin e shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të saj. Për mua dhe qeverinë time, marrëdhëniet me SHBA-në përbëjnë një përparësi madhore. Prandaj shfrytëzoj rastin t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi tërësisht të vendosur e të angazhuar dhe presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtësisht me Ju, zoti President dhe me administratën Tuaj, për të forcuar edhe më tej, në të gjitha fushat, marrëdhëniet e shkëlqyera, miqësore e luajale, që lidhin dy vendet tona dhe popujt tanë miq, si në kuadrin dypalësh, edhe në kuadrin shumëpalësh, në veçanti, në kuadër të Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Shqipëria është dhe mbetet e vendosur të mbështesë SHBA-në, aleatin më të madh e strategjik të kombit shqiptar dhe NATO-n, në të gjitha përpjekjet për paqe e siguri, në rajon e më gjerë.
Duke Ju dërguar edhe një herë urimet e mia më të përzemërta, për sukses në detyrën Tuaj të lartë, shfrytëzoj rastin t’Ju ripohoj, zoti President, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Juaji Sali BERISHA”
20/01/2009