Kryeministri Berisha: “Virtuozët e Tiranës”, ambasadorët më të shkëlqyer të gjenisë krijuese të kombit

Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja ndoqën sot në mbrëmje koncertin e harqeve “Virtuozët e Tiranës” në Teatrin e Operas dhe Baletit (TOB). Në këtë koncert, i organizuar nga TOB në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe nën kujdesin e Kryeministrit Berisha, performuan nën drejtimin e Mjeshtrit të Madh Zhani Ciko, instrumentistët më të talentuar shqiptarë, që luajnë në skena të njohura europiane dhe botërore.
Në përshëndetjen drejtuar instrumentistëve, Kryeministri Berisha i cilësoi ata ambasadorët më të shkëlqyer të gjenisë krijuese të popullit shqiptar. “Sot, këta janë artistë virtuozë në skenat më të mira të Europës e të botës, janë ambasadorët më të shkëlqyer të gjenisë krijuese të kombit, por, sërish, ruajnë lidhjen me vendin, kombin dhe skenën nga e cila dolën.”
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Koncerti juaj hap dy evenimente të mëdha, vitin artistik të kombit dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme për një komb sesa jeta e tij artistike, gjenia e tij krijuese dhe vlerat e tij artistike. Por ky vit është i veçantë, sepse ka mbledhur këtu artistë, instrumentistë virtuozë, të cilët ishin ose u bënë në një moment të caktuar dallëndyshet e para të ndryshimeve të mëdha që do të pësonte Shqipëria. Shumë vite më parë, ky grup, bëri udhëtime në Itali, Hungari e vende të tjera dhe përcolli në ato skena mesazhin shpresës se edhe ky vend e ky komb do të ndryshojë.
Në fakt, sot këta artistë hapin vitin e ri artistik, por njëkohësisht i bëjnë një homazh veprës së tyre, për të cilën shqiptarët kanë respekt të madh. Sot, këta janë artistë virtuozë në skenat më të mira të Europës e të botës, janë ambasadorët më të shkëlqyer të gjenisë krijuese të kombit, por, sërish, ruajnë lidhjen me vendin, kombin dhe skenën nga e cila dolën. Ne jemi shumë krenarë me ju dhe jemi shumë të lumtur që sonte asistojmë në koncertin tuaj.
Ministri i Jashtëm më kërkoi të rikujtoj se Ministria e Jashtme donte gjithashtu një konotacion tjetër të këtij koncerti, atë të hapjes së viti diplomatik, një ide e gjetur kjo. Nuk e refuzova për faktin, sepse ju jeni ambasadorët më të mirë të këtij vendi dhe t’i urojmë suksese diplomacisë shqiptare në përpjekjet e saj për shndërrimin në realitet të dy projekteve më të mëdha të vendit dhe kombit tonë, integrimin në NTAO dhe Bashkimin Europian.”
20/01/2009