E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.502, DATË 16.4.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ADMINISTRIMIN E KONVIKTEVE TË SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR”

V E N D I M

PER

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.502, DATË 16.4.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ADMINISTRIMIN E KONVIKTEVE TË SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR”


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11, të ligjit nr.8652,     datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryhsuar, të  nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I :


1. Pas pikës 5, të vendimit nr.502, datë 16.4.2008, të Këshillit të Ministrave, të shtohen pikat 5.1 dhe 5.2, me këtë përmbajtje:

“5.1.  Njësive të qeverisjes vendore, për administrimin e konvikteve të sistemit arsimor parauniversitar, t’u shtohen, respektivisht, 151 punonjës edukativë, sipas listës, që bashkëlidhet këtij vendimi, të cilët pakësohen nga numri i përgjithshëm i punonjësve, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Efektet financiare për këta punonjës të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2009, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, të cilat të kalojnë si pjesë e grantit të pakushtëzuar në buxhetin e njësive të qeverisjes vendore.

5.2. Punonjësit edukativë, që shtohen, të jenë me arsim të lartë për mësuesi.”.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.


Ky vendim hyn në fuqi më 1.1.2009 dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


29/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›