Kryeministri Berisha uron z. Herman Van Rompay me rastin e zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të ri i BE-së
Kryeministri Berisha i ka dërguar sot një mesazh urimi Kryeministrit belg z. Herman Van Rompay, me rastin e zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të ri të Bashkimit Evropian.
Në këtë mesazh urimi Kryeministri Berisha shprehet:
“Shkëlqesi,
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në këtë çast historik për Bashkimin Evropian dhe për mbarë kontinentin tonë, në këtë stacion kulmor për të gjithë ata që ëndërruan dhe iu përkushtuan idesë për një Evropë unike e të bashkuar, t’Ju dërgoj, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, në ditën e zgjedhjes Suaj me unanimitet të plotë President i parë i Këshillit Evropian, përshëndetjet më të përzemërta e urimet, më të ngrohta e miqësore, për sukses të plotë në misionin fisnik dhe në detyrat e rëndësishme, që shtrohen përpara jush. Qytetërimi evropian do ta kujtojë këtë ditë përherë si një ditë të shënuar në historinë moderne të tij.
Kam ndjekur me kënaqësi e admirim karrierën Tuaj dhe mbetem me bindjen e thellë, se, me integritetin, që ju karakterizon, kompetencën prej politikani me përvojë, me vizionin dhe besimin e palëkundur prej evropianisti, të madh e të shquar, që keni dëshmuar në vijimësi, zgjedhja juaj në krye të Bashkimit Evropian shënon një ditë të lumtur për një të ardhme më të shkëlqyer të Evropës. Jam i sigurt se në udhëheqjen Tuaj, Bashkimi Evropian do të arrijë përparim të mëtejshëm, si dhe nivele edhe më të larta në rrugëtimin e vet, për një bashkim, gjithnjë e më të ngushtë, të popujve të Evropës, bazuar në vlerat e lirisë, të demokracisë e të shtetit ligjor, promotor të paqes e prosperitetit për qytetarët e vet.
Shqiptarët kanë përcaktuar integrimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian si projektin më madhor kombëtar të këtij shekulli, ndaj shfrytëzoj rastin t’Ju pohoj angazhimin tim, personal e të qeverisë shqiptare, për të punuar ngushtësisht me Ju, për të çuar përpara të gjitha çështjet e axhendës sonë të përbashkët integruese, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe të qytetarëve të BE-së, si dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht me Ju e institucionet e BE-së, për konsolidimin e mëtejshëm të paqes, stabilitetit, sigurisë e bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore.
Duke shprehur edhe një herë urimet më të mira për Ju dhe për Evropën, shfrytëzoj rastin t’Ju ripohoj, i dashur mik, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Juaji
Sali BERISHA” 20/11/2009