E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti Kryetaren e Parlamentit të Islandës znj. Asta Johannesdottir

- Kryeparlamentarja  e Islandës përgëzoi Kryeministrin Berisha për pranimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat për në BE, si dhe për procesin e  liberalizimit të vizave me vendet e BE-së.
- Kryeparlamentarja theksoi se bojkoti i institucioneve demokratike është një akt që zhgënjen dhe dëmton besimin e qytetarëve shqiptarë që votuan që deputetët e tyre t’i përfaqësojnë ata në Parlament, prandaj opozita duhet të shkojë në Parlament.
Kryeministri Berisha priti sot Kryetaren e Parlamentit të Islandës znj. Asta Johannesdottir dhe delegacionin që e shoqëronte.
Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri , Kryeministri Berisha e falenderoi znj. Asta Johannesdottir për mbështetjen e fuqishme që Islanda i dha Shqipërisë për integrimin në Nato, si dhe për interesin e jashtëzakonshëm që qeveria, Parlamenti dhe institucionet  e  Islandës  po tregojnë për konsolidimin e marrëdhënieve, zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë në të gjitha fushat.
Kryeparlamentarja znj. Asta Johannesdottir, e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore.  Ajo vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, duke i shprehur njëkohësisht kryeministrit Berisha mbështetjen  e plotë të vendit të saj, si për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve e bashkëpunimit në kuadrin dypalësh në të gjitha fushat, ashtu edhe për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian, për të cilin po punojnë të dyja vendet. Znj Asta Johannesdottir ka shprehur njëkohësish angazhimin dhe vendosmërinë e parlamentit dhe qeverisë së Islandës për të ofruar ndihmën dhe mbështetjen veçanërisht nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, për hapat e mëtejshëm të integrimit.
“Jemi shumë të lumtur, - theksoi Kryeparlamentarja znj Asta Johannesdottir, - që Shqipëria është sot vend anëtar i NATO-s dhe do të punojmë që edhe në kuadër të Aleancës, institucionet e dy vendeve tona të punojnë ngushtësisht. Gjithashtu,  Kryeparlamentarja  e përgëzoi Kryeministrin Berisha për pranimin e kërkesës për statusin e vendit  kandidat për në BE, si dhe për procesin e  liberalizimit të vizave me vendet e BE-së.
Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën paszgjedhore dhe vendimin e opozitës për të bojkotuar institucionet demokratike. Kryeparlamentarja Asta Johannesdottir dhe deputetët e tjerë të parlamentit e konsideruan vendimin e opozitës për bojkot si një akt jo normal e absurd për një vend demokratik.  Gjithashtu duke ju referuar kërkesës se opozitës për rinumërim te votave u theksua se ne asnjë rast nuk mund te ndërhyhet politikisht  për te ndryshuar vendimet e gjykatave.
Deputetët e Parlament të Islandës theksuan se në këtë stad të zhvillimit të vendit, kur Shqipëria ka hedhur një hap të madh  e jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së  për të pranuar kërkesën për statusin e vendit kandidat, vendimi për bojkot është i gabuar dhe uruan që qytetarët shqiptarë të mos ndikohen nga qëndrime të tilla të një individi të vetëm, por të mbështesin rrugën e reformave evropianizuese dhe institucionet demokratike në përpjekjet e tyre për të përafruar sa më shpejt vendin me BE-në.
Kryeparlamtentaj theksoi se bojkoti i institucioneve demokratike është një akt që zhgënjen dhe dëmton besimin e qytetarëve shqiptarë që votuan që deputetët e tyre t’i përfaqësojnë ata në Parlament, prandaj opozita duhet të shkojë në Parlament.
Në takim u shpreh vendosmëria dhe angazhimi për të intensifikuar bashkëpunimin midis dy vendeve në të gjitha fushat, në veçanti në sektorin e energjisë, turizmit, si dhe në nxitjen e investimeve islandeze në Shqipëri.20/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›