E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaratë për shtyp e Ministres së Integrimit, njëkohësisht Zëdhënëse e Qeverisë, znj. Majlinda Bregu

Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve kosovare, të dalë nga zgjedhjet e suksesshme të 17 nëntorit 2007; Presidentin, z. Fatmir Sejdiu, Kryetarin e Parlamentit, z. Jakup Krasniqi, Kryeministrin, z. Hashim Thaçi, si dhe votëbesimin e kabinetit të tij qeveritar, duke vlerësuar karakterin multietnik të saj, në shenjë të respektimit të të drejtave të minoriteteve. 

Qeveria shqiptare e konsideron  votëbesimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës si një hap shumë të rëndësishëm në fazën vendimtare dhe përmbyllëse të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, që pritet të kurorëzohet së shpejti me shtetin e pavarur të saj.

Njëherësh, qeveria vlerëson se zhvillimi me qetësi, maturi dhe në unitet të plotë i këtij procesi, dëshmoi se ecuria e proceseve demokratike në Kosovë është e pakthyeshme.

Arritjet e deritanishme dëshmojnë se Kosova, së bashku me komunitetin ndërkombëtar, ka kapacitetet e duhura për të ndërmarrë hapin e nevojshëm dhe vendimtar për shpalljen e pavarësisë së saj.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë konfirmon mbështetjen e saj të fuqishme për Presidentin e Kosovës, parlamentin e ri dhe drejtuesit e tij, Kryeministrin dhe kabinetin qeveritar, duke ju uruar atyre sukses të plotë në përmbushjen me dinjitet të misionit të tyre të lartë dhe realizimit të aspiratës shekullore të qytetarëve të Kosovës për shtetin e tyre të pavarur, demokratik, plotësisht funksionues dhe të integruar në strukturat euroatlantike.

Qeveria shqiptare  gjen rastin të shprehë bindjen se me vullnetin dhe angazhimin e përbashkët dhe të vazhdueshëm ndërinstitucional, marrëdhëniet miqësore dypalëshe, që fatmirësisht ekzistojnë, do të thellohen e zhvillohen pareshtur, duke i ngritur në nivelet më të larta, në të mirë të dy vendeve tona, të paqes dhe sigurisë në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›