Kryeministri Berisha vizitoi qendrën Burimore për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri

Kryeministri Berisha vizitoi sot qendrën Burimore për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri, e njohur si qendra ProTIK. Qendra ProTIK, e krijuar si një partneritet publik - privat midis qeverisë shqiptare, qeverisë amerikane, kompanive ndërkombëtare dhe atyre shqiptare, si Microsoft, Cisco dhe Albtelekom, synon të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Shqipëri. Ajo ofron një mjedis teknologjik bashkëkohor ku biznese, sipërmarrës, akademikë, studentë apo profesionistë të TIK mund të punojnë, bashkëveprojnë e takohen. Qëllimet e saj janë promovimi i inovacionit dhe sipërmarrjes, stimulimi i kërkesës për TIK dhe promovimi i partneriteteve dhe rrjetëzimit profesional.
Kryeministri Berisha, pasi vizitoi dhe u njoh më nga afër me mjediset dhe mundësitë që qendra ofron, shprehu angazhimin se qeveria do të mbështesë me të gjithë mundësitë e saj veprimtarinë e suksesshme të ProTIK. Kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi arritjet e Shqipërisë në këtë fushë, u shpreh se “në rast se në vitin 2006 objektivi ynë ishte “Shqipëria dixhitale”, sot objektivi ynë është “Shqipëria - një superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”.
Gjatë vizitës në qendrën ProTIK, Kryeministri Berisha u takua edhe me një grup fëmijësh, të moshës 10 - 15 vjeç, të cilët vinin në këtë qendër një herë në javë dhe në tre ardhjet e para ata kishin ndërtuar dhe komandonin në disa mënyra një robot. Kryeministri Berisha u njoh, gjithashtu, edhe me iniciativën e ndërmarrë nga një grup studentësh për një program për personat me aftësi të kufizuar, si dhe krijimin, nga një grup tjetër studentësh, të një portali për informimin e qytetarëve në kohë reale, për të gjitha ngjarjet që zhvillohen në Tiranë dhe në mbarë vendin.
Në fjalën e tij, mbajtur në përfundim të vizitës në qendrën ProTIK, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dua të përshëndes përzemërsisht drejtoreshën e kësaj qendre dhe ekipin e saj, të cilët në një afat të shkurtër kohor arritën të shënojnë sukseset e para në këtë qendër. Ata justifikuan plotësisht ndihmën bujare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fondit Shqiptaro-Amerikan, Albtelekomit, kompanive Microsoft dhe Cisco, të cilët unë sot dua t’i falënderoj me mirënjohje.
Zonja dhe zotërinj,
Historiku i ICT-së në Shqipëri është i shkurtër. Mund t’ju kujtoj se në vitin 2005 shkalla e përdorimit të internetit ishte ndër më të ulëtat në botë, vetëm 4.8 përqind. Fluksi i internetit ishte 0.5 GB, por nevojat ishin të jashtëzakonshme. Mosha dixhitale ishte mosha jetike për të shkëputur Shqipërinë me shpejtësi nga një prapambetje e pamerituar që ajo trashëgonte. Pas kaq vitesh, Shqipëria është krejtësisht tjetër. Shqipëria është tani një vend që e ka mbi 60 përqind shkallën e përdorimit të internetit. Është një vend, i cili në disa aspekte u bë pionier i procedurave dixhitale në botë. Falë ndihmës së USAID-it, Shqipëria u bë vendi i parë me prokurime 100 përqind elektronike. Falë përpjekjeve të gjithanshme, Shqipëria u rendit e dyta në botë, pas Vietnamit, për gatishmërinë e rrjetit. Tirana këtë vit ishte një ndër 20 qytetet më smart dhe u përzgjodh nga një forum serioz ndërkombëtar. Pra Shqipëria ka bërë hapa të mëdha, por asnjë fushë dhe asnjë sektor nuk ka dinamizmin e ICT-së. Askund nuk mund të mbetesh më lehtë mbrapa sesa në këtë fushë. Në rast se në vitin 2006 objektivi ynë ishte “Shqipëria dixhitale”, sot objektivi ynë është “Shqipëria - një superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”. Ambicioz, por plotësisht i mundshëm. Edhe 7 vjet më parë, kur thamë “Shqipëria dixhitale”, përsëri kishte nënqeshje dhe buzëqeshje në sallë. Edhe tani “Shqipëria – superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”, gjithnjë ka nënqeshje dhe buzëqeshje. Unë kam bindjen më të thellë se ky start i fuqishëm në këtë qendër dhe, natyrisht, një kompleks tjetër masash do të bëjnë që Shqipëria në vitet që vijnë të ngjitet në krye të inovacionit, në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin në tërësi. Shqipëria e informacionit është Shqipëria e dijes, Shqipëria e informacionit do të jetë Shqipëria e dijes, fushë që ka rol përcaktues në zhvillimin e gjithanshëm, por në radhë të parë në zhvillimin ekonomik të vendit. Ndaj edhe unë dua të përgëzoj këtë qendër.
U mrekullova gjatë kësaj vizite. Unë gjeta një grup fëmijësh të moshës 10 - 15 vjeç, të cilët vinin këtu një herë në javë dhe në tre ardhjet e para ata kishin ndërtuar dhe komandonin në disa mënyra robotin. Gjeta studentë, të cilët punonin me përkushtim të madh për një program për personat me aftësi të kufizuar. Një ide thellësisht humane, por edhe shumë e dobishme, sepse u mundëson këtyre personave të lexojnë në gjuhën e shenjave, në gjuhën e tyre, literaturë nga më të rëndësishmet për formimin e tyre profesional. Grupe të tjera studentësh po punojnë për një portal, i cili do të informojë shqiptarët në kohë reale për të gjitha ngjarjet dhe evenimentet që zhvillohen, jo vetëm në Tiranë, por në mbarë vendin. Pra qendra po zien dhe kjo është një gjë shumë pozitive.
Ajo çka ne do të donim shumë është që edhe universitetet, departamentet e tyre, të frymëzohen nga veprimtaria e kësaj qendre. Askund nuk mund të pritet më shumë sesa nga universitetet që të qëndrojnë në krye të inovacionit. Dhe ata mund të përfitojnë. Edhe qeveria mund të përfitojë më shumë nga eksperienca e ProTIK, për të përshtatur format e punës ProTik, për të mbështetur këto forma në universitetet e vendit. Sot ne kemi 4 mijë studentë vetëm në vitin e parë në këtë degë, në informatikë dhe shkencat e lidhura me të. Eksperienca e shkëlqyer e kësaj qendre në fushën e inovacionit mund të bëhet një shembull frymëzues dhe udhëheqës për të gjitha institucionet tona.
Me Fondin Shqiptaro - Amerikan ne kemi një diskutim pozitiv dhe do të bëjmë çmos që të krijojmë Tirana ICT Park. Tirana ICT Park do të jetë një zonë në kryeqytet ku sipërmarrësit dhe sipërmarrjet do të kenë mundësi të punojnë në kushtet më të mira të mundshme, të çliruar nga të gjitha llojet e taksave. Edhe kjo, si kusht shumë i rëndësishëm që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt destinacionit të saj “Shqipëria -superfuqi e hightech-ut në rajon”. Gara në këtë fushë është shumë e egër, por më të rinjtë e kanë fituar dhe do ta fitojnë gjithnjë këtë garë. Ndaj dhe shqiptarët janë më të rinjtë si komb në rajon. Nuk ka diskutim që ata do të ngjiten më shpejt se kombet e tjera në destinacionet e tyre. Nuk duhet të harrojmë se transformimet më epokale në këtë fushë i kanë bërë 20-22 vjeçarët. Pak muaj më parë isha në vizitë në një vend mik dhe Kryeministri i këtij vendi më thotë – Sali, ne e bazojmë shumë të gjithë përqendrimin tonë tek të rinjtë. Unë nuk kam asgjë për moshat e tjera, përveçse respekt. Dhe kur dëgjova këtë, në mendjen time erdhi Bill Gates, Steve Jobs, të cilët transformuan botën në moshën e tyre 20-22 vjeçare.
Edhe një herë, faleminderit shumë të gjithëve, sponsorëve dhe të gjithë pjesëtarëve të këtij partneriteti të mrekullueshëm. Ekipit i uroj shumë sukses dhe i siguroj ata se qeveria do të mbështesë me të gjithë mundësitë e saj veprimtarinë e suksesshme të ProTIK.
Faleminderit!”
19/02/2013