Ministri Pollo mbledh Bordin Drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit
Në fillim të mbledhjes Ministri Pollo ndër të tjera u shpreh per mediat se: “FSHZH, gjatë vitit 2012, financoi punimet për 285 km rrugë dytësore dhe lokale në të gjithë vendin, më konkretisht në 50 fshatra, si dhe financoi 25 skema ujesjellesish. Realizimi i ketyre projekteve ka sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, përmiresimin e sherbimeve sociale, si dhe punësim për komunitetet përfituese. Viti që sapo mbyllëm ishte një vit mjaft i suksesshëm dhe me arritje të rëndësishme. Ndersa gjatë vitit 2013, FSHZH, do të ketë në zbatim rreth 500 km rrugë dytësore në kuader të Programit “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”. FSHZH vijon të tregojë një nivel të lartë profesionalizmi dhe angazhimi për të përmbushur me sukses objektivat strategjikë të Qeverise Shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm në nivel rajonal.”
Në fjalën e tij z. Benet Beci Drejtor Ekzekutiv i FSHZH-se përmendi si arritje të vitit 2012 menaxhimin e suksesshëm të Programeve “Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”, Programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale” dhe “Punët në Komunitet III”.
Projektet kryesore te FSHZH
Programi i Rrugeve Dytesore dhe Lokale ka paraqitur një ecuri të kënaqshme të financimit të tij deri në dhjetor 2012, duke siguruar një mbështetje financiare në vlerën 368 Milionë USD.
Ndërkohë, viti 2012 shënoi përfundimin me sukses të Programit “Punët në Komunitet III”, i cili financoi planifikimin dhe zhvillimin e 45 projekteve infrastrukturore me prioritet zhvillimin e turizmit, për 16 komuna me profil turistik, në 12 Qarqe të vendit.
Nëpërmjet Programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale”, gjate vitit 2012, janë financuar 25 skema ujesjellesish në Qarqet Dibër, Kukës dhe Shkodër, 13 prej të cilave tashme janë venë në funksionim të plotë. Në përfundim të punimeve për të gjitha skemat, do të mundësohet furnzimin me ujë të pijshëm për 40 mijë banorët e këtyre zonave.
Gjatë vitit 2013 është planifikuar edhe një financim i ri nga KfW, i cili parashikon financimin e 17 skemave të reja ujesjellesish ruralë nga të cilët do të perfitojne 18 mije banorë.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është krijuar si agjenci autonome implementuese e “Projektit të Lehtësimit të Varfërisë Rurale” në fillim të vitit 1993, mbi bazën e një marrëveshje midis Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore datë 09. 01. 1993. Me datë 11 Maj, 2009, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin Nr 10130 datë 11. 05. 2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, që i përcakton këtij institucioni një status të veçantë ligjor.
19/02/2013