E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton Panairin e 5-të të Produkteve Turke të organizuar nga Dhoma e Tregëtisë së Stambollit

Kryeministri Berisha vizitoi sot Panairin e 5-të të Produkteve Turke i cili organizohet nga Dhoma e Tregëtisë së Stambollit në Pallatin e Kongreseve. Në këtë ekspozitë, në të cilën do të takohen bizneset turke dhe ato shqiptare e ku do të prezantohen produktet turke të eksportit, marrin pjesë rreth 60 kompani turke.

Duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë, Dhomës së Tregtisë së Stambollit, anëtarëve dhe presidentit të saj por dhe Qeverisë turke dhe kryeministrit Erdogan si dhe ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, për vendimin e tyre dhe angazhimin për të hapur këtë panair sot në Tiranë, kryeministri theksoi se ky panair është një ngjarje shumë e rëndësishme për jetën ekonomike të vendit, bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

Kryeministri shprehu kënaqësinë se investimet turke në Shqipëri janë rritur mbi 5 herë, të cilat janë ndër më të rëndësishmet e vendit dhe që shtrihen në të gjitha fushat, telekomunikacion, banka, metalurgji  dhe shumë të tjera. Ai theksoi se ky panair, dëshmon zhvillimin e madh dhe të pa përmbajtshëm që Republika e Turqisë dhe Stambolli në përgjithësi kanë marrë gjatë këtyre viteve. 

Gjatë fjalës përshëndetëse në këtë panair, kryeministri  Berisha theksoi: 

I nderuar zoti  Kryetar i Grupit të Miqësisë  Turko- Shqiptare në Parlamentin e Republikës  së Turqisë.

I nderuar zoti  Ambasador.

I nderuar zoti  Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Stambollit.

Shkëlqesi  Ambasadorë.

Të nderuar pjesëmarrës, biznesmen e biznesmene, pjesëmarrës  në panairin e pestë  të Stambollit në Shqipëri.

Zonja dhe zotërinj.

Sot ne inauguruam panairin e pestë që Dhoma e Tregtisë së Stambollit hap në Shqipëri.  Shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tim të thellë, Dhomës së Tregtisë së Stambollit, anëtarëve të saj dhe presidentit të saj.

Qeverisë turke dhe kryeministrit Erdogan , ambasadorit të Turqisë në Shqipëri, për vendimin e tyre dhe angazhimin për të hapur këtë panair sot në Tiranë.  Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për jetën ekonomike të vendit, bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve. 

Dy kombet dhe vendet tona  i lidhin mijëra  e mijëra fije miqësore në histori.  E kaluara e tyre, pothuajse bashkëqeverisëse  në njërën prej perandorive më të mëdha të kohës, lidhjet e ngushta  dhe miqësore në periudhën post  inperiale, përpjekja  e tyre e përbashkët për të ndërtuar shoqërinë e lirë, prosperitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendeve të tyre.

Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, por duhet të shpreh kënaqësinë time të madhe se këto vitet e fundit, marrëdhëniet ekonomike kanë njohur një zhvillim të madh.  Investimet turke në Shqipëri janë rritur mbi 5 herë.  Ato janë ndër më të rëndësishmet e vendit, shtrihen në të gjitha fushat, telekomunikacion, banka, metalurgji  dhe shumë të tjera dhe ato të gjitha janë histori të vërteta suksesi të madh.

Zoti Ambasador,

Dua të theksoj këtu se nuk është e rastit që metropoli ekonomik i vendit tuaj hap për të pestën herë panairin në Tiranë.  Stambolli sot ka shqiptarë më shumë se Tirana, ata janë qytetarë të përkushtuar të Republikës së Turqisë, por në thellësi të shpirtit të tyre, ata ruajnë të pashuar mallin dhe dashurinë për vendin e origjinës, ndaj dhe unë shfrytëzoj rastin tu dërgoj një përshëndetje te përzemërt e  vëllazërore të gjithë   qytetarëve të Stambollit me origjinë shqiptare dhe miqve të tyre turk dhe të të gjitha etnive të tjera, të cilët sëbashku kanë ndërtuar kanë zhvilluar, njërin nga qytete dhe qendrat më të rëndësishme të civilizimit dhe qytetërimit të sotëm.

Duke e mbyllur këtë fjalë, edhe njëherë ju falënderoj me shume mirënjohje, për një panair, i cili në shikimin e parë dëshmon zhvillimin e madh dhe të pa përmbajtshëm që Republika e Turqisë dhe Stambolli në përgjithësi kanë marrë gjatë këtyre viteve.  Prodhime të shumëllojta, të cilësive më të larta, të cilat  jam i sigurtë se do të pëlqehen shume nga vizitorët shqiptarë.

Dhe njëherë faleminderit shumë.  


31/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›