Kryeministri Berisha: Monedha shqiptare i qëndroi me dinjitet, cunamit financiar botëror

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në çeljen e ekspozitës me monedhat shqiptare, në mjediset e Muzeut Kombëtar, me rastin e 85 vjetorit të emetimit të monedhës së parë shqiptare.
Ekspozita, nëpërmjet paraqitjes së monedhave shqiptare që prej vitit, kur u emetua monedha e parë, dëshmon historinë dhe ecurinë e monedhës shqiptare. Kryeministri Berisha, duke e quajtur monedhën pasaportën e shtetit, u shpreh se monedha në Shqipëri ka ndjekur fatin e kombit dhe zhvillimin ekonomik. “Në themelimin e saj e gjer në fundin e luftës, ajo ia doli të renditet me dinjitet, krahas monedhave të tjera të rajonit, ia doli të shndërrohet gjithashtu në një promotor dhe në një garant të fuqishëm të zhvillimit të vendit,” u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal në disa nga etapat më të rëndësishme në historinë e lekut shqiptar, duke e parë atë të lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërsa vitet e fundit, Kryeministri i konsideroi si vitet e provës më të madhe në historinë e lekut shqiptar. “Ajo që spikat dhe që ngjall admirim të madh, - u shpreh Kryeministri - është monedha shqiptare në vitet e cunamit financiar botëror. Kjo monedhë, e përballur me dy nga monedhat më të fuqishme të planetit, dollarin dhe euron, qëndroi me dinjitet të madh para tyre dhe presioneve të paimagjinueshme të luhatjeve të kursit të këtyre monedhave”.
Kryeministri përshëndeti Bankën e Shqipërisë dhe koleksionistët e monedhave që bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes në 85 vjetorin e emetimit të monedhës së parë të shtetit modern shqiptar, së pari, ata burra e gra që morën vendimin për të pajisur shtetin e ri me pasaportën e tij. Monedha është pasaporta e shtetit. E tillë ka qenë ajo në të gjitha kohërat. Përshëndes guvernatorin, koleksionistët dhe të gjithë ata, të cilët bënë të mundur çeljen e kësaj ekspozite, me vlerat monetare të 85 viteve të fundit.
Monedha është një simbol, krahas himnit dhe flamurit të një shteti. Monedha është një gjallesë e vërtetë, sado që e prerë në metal apo letër. Asgjë nuk ndjek më besnikërisht udhën e shtetit, të kombit apo shoqërisë. Asgjë nuk ndjek më besnikërisht zhvillimin dhe pulsin e ekonomisë dhe zhvillimit në tërësi. E tillë ka qenë udha e lekut shqiptar.
Monedha në Shqipëri ka ndjekur fatin e kombit, ka ndjekur zhvillimin ekonomik. Në themelimin e saj e gjer në fundin e luftës, ajo ia doli të renditet me dinjitet, krahas monedhave të tjera të rajonit, ia doli të shndërrohet gjithashtu në një promotor dhe në një garant të fuqishëm të zhvillimit të vendit. Pas luftës, monedha u ndry dhe shteti ngjante me një shtet me pasaportë të burgosur. Faktikisht, ajo u shndërrua në një letër me vlerë fiktive. Për 48 vjet, ajo nuk shprehu as edhe një ditë të vetme, të vërtetën e ekonomisë, zhvillimit dhe pulsit të saj, por ndër të parat që u vu nën urdhrat dhe çizmet e diktaturës. Menjëherë, kur vend u hap, monedha dëshmoi e para se ku ishte katandisur ekonomia shqiptare. Të gjithë këtu i kujtojnë vitet ‘90-’92, se si ajo u rrokullis në ato hapësira që kishte notuar për 40 e ca vite me radhë. Por, krahas zhvillimit të iniciativës së lirë të shqiptarëve, proceseve themelore të saj kohe që transformuan ekonominë e rënë, të falimentuar totalisht dhe hiperkolektiviste, në një ekonomie të tregut të lirë, të iniciativës së lirë, monedha e rimori veten dhe doli nga ajo agoni gjysmë shekullore, ku kishte mbijetuar dhe u shndërrua në një monedhë të respektuar, në një avokate e një simbol i zhvillimit ekonomik të vendit.
Vitet e fundit kanë qenë vitet e provës më të madhe në historinë e lekut shqiptar. Një nga vendimet e para të qeverisë, pas viti ’92, ka qenë liberalizimi i kursit. Shqipëria vjen 20 vite si vendi me monedhë me kurs të lirë dhe kjo i bën nder qëndrimit të autoriteteve ndaj monedhës dhe lirisë së saj, pasi edhe monedha ka lirinë e vet. Por ajo që spikat dhe që ngjall admirim të madh është monedha shqiptare në vitet e cunamit financiar botëror. Kjo monedhë, e përballur me dy nga monedhat më të fuqishme të planetit, dollarin dhe euron, qëndroi me dinjitet të madh para tyre dhe presioneve të paimagjinueshme të luhatjeve të kursit të këtyre monedhave. Pra, leku u provua lek i vërtetë. Këtë duhet ta themi. Këto vite, në dallim nga të gjitha monedhat e tjera të rajonit, sigurisht që u luhat, por shumë herë më pak se të gjitha simotrat e saj dhe qëndroi si një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Ajo u përball me një agresion shumë të pandershëm politik, sepse të sulmosh çdo ditë monedhën, në kohëra të vështira për sistemin monetar europian dhe botëror, do të thotë të sulmosh çdo ditë xhepat dhe kontot e qytetarëve shqiptarë, sepse mbi këto kursime, mbi këto të ardhura e mbi këtë monedhë, më shumë se në çdo gjë tjetër, përcaktohet mirëqenia e tyre, përcaktohet mundësia reale e tyre e përballimit të jetës së përditshme. Kur je i mëkëmbur nuk e ndjen, por, kur je nën mesatar apo i varfër, kjo të krijon dhimbjet më të mëdha.
Me gjithë këtë, leku u dëshmua lek i vërtetë. Kapërceu të gjitha këto situata dhe vjen sot jo si një ndër monedhat më të vjetra të Europës, por vjen këtu, në këtë ekspozitë, si një monedhë dinjitoze, si një monedhë që qëndron denjësisht edhe monedhave simotra të rajonit, monedhave më të mëdha e të fuqishme të Europës e botës dhe ne duhet të shprehim nderimin më të madh. Vjen si një monedhë, e cila ecën drejt sistemit europian monetar me dinjitet të vërtetë. Në ditën që do të hyjmë në atë familje, hyjmë si një zonjë sovrane që ka vendosur të bashkohet me sistemin europian monetar, në interesin më të mirë të kombit, të shtetit, pasaportë e të cilit ajo është.”
31/03/2011