Ministri i Shtetit z. Genc Pollo pret Drejtorin e komanduar të USAID z. Sean Huff
Ministri i Shtetit z. Genc Pollo, i cili është dhe koordinatori i qeverisë për programin Prag të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit (SHBA), priti sot Drejtorin e komanduar të Misionit të USAID z. Sean Huff.
Zoti Huff njoftoi zyrtarisht Ministrin Pollo për rezultatin e tabelës së pikëve (Scorecard) të publikuar nga Korporata, sipas së cilës Shqipëria ka shënuar progres në të gjitha fushat dhe në mënyrë të veçantë në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu zyrtari amerikan theksoi se një rezultat i tillë i hap rrugën dhe ofron mundësitë për programe më të mëdha e të rëndësishme siç është ai i Compact.
Ministri Pollo shprehu falënderimet e tij për qeverinë e SHBA-ve dhe taksapaguesit amerikanë, Korporatën dhe USAID-in për ndihmën e deritanishme përmes së cilës janë realizuar QKR, QKL, Prokurimi Elektronik, përdormi elektronik i dokumenteve tatimorë si dhe do të realizohen Gjykatat Administrative, deklarimi dhe pagesa elektronike e tatimeve, Agjencia e planifikimit të territorit (që zgjidh problemin e lejeve të ndërtimit) Njësia e Përbashkët e Investigimit etj; projekte këto që reduktojnë korrupsionin, pakësojnë varfërinë dhe nxisin zhvillimin social dhe ekonomik.12/11/2009