Kryeministri Berisha viziton Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë
Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha dhe Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Ksera, vizituan sot Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë.
Duke i uruar të moshuarve këtë ditë kryeministri i shprehu atyre mirënjohjen më të madhe për punën dhe kontributin që ata dhe e gjithë gjenerata e tyre kanë dhënë, si dhe i siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka për tu përmirësuar kushtet dhe shërbimet në qendrat e përkujdesit ndaj tyre.
"Ne jemi shumë të vendosur që të bëjmë gjithçka për tua ndryshuar për mirë kushtet e jetës dhe kushtet e përditshme. Ne do të investojmë kudo që të kemi qendrat me të mira të kemi programet ditore javore më të mira për ta, sepse është në detyrimin moral të qeverisë, te shoqërisë, të shtetit", theksoi kryeministri.
Kryeministri siguroi se investimet nuk do te ndalen dhe se qeveria do të bëj gjithçka për moshën e tretë. "Për pensionet 6 vjet më parë fondi në total ishte 50 miliardë lekë ndërsa sot është 106 miliardë. Për ilaçet fondi më parë ishte 5 miliardë lekë dhe sot është 25 miliardë dhe në këtë kuadër ,mosha e tretë është mosha që përfiton më shumë nga subvencioni që ne ju bëjmë ilaçeve. Pra jemi përpjekur dhe përpiqemi të shprehim ndjeshmërinë dhe respektin që ne ndiejmë për ju dhe mbarë shoqërinë" u shpreh kryeministri Berisha.
Kjo moshë, tha kryeministri, është një moshë që kërkon më shumë se çdo moshë tjetër, kërkon dhe meriton respekt, kërkon dashuri dhe meriton dashuri, kërkon përkujdesje dhe meriton përkujdesje, ndaj dhe duhet te punojmë bashkërisht që çdo vit jeta e këtyre qytetareve të vendit tonë, jeta e të moshuarve të bëhet gjithnjë e më e lehte dhe me këndshme në shtëpitë e kujdesit për qytetarët e moshës së tretë dhe kjo jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë Shqipërinë, përfundoi kryeministri.
Gjatë kësaj vizite u shpërndanë edhe dhurata, të cilat përmbanin artikuj të ndryshëm dhe veshmbathje për 50 të moshuarit e kësaj qendre.
Gjatë përshëndetjes së mbajtur kryeministri Berisha më gjerësisht u shpreh:
Së pari dëshiroj tu përshëndes, tu përqafoj të gjithëve ju këtu, të gjithë bashkëmoshatarët tuaj kudo që ndodhen, në qendrat e kujdesit shtetëror apo në shtëpitë e tyre. Kjo ditë është një ditë e nderimit të madh për ju, për sakrificat tuaja, për kontributin, për ndihmesën që ju keni dhënë në këtë vend, për veten, familjen, shoqërinë shqiptare në tërësi. Ju këtu jeni në një detyrim madhor të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare.
Kam ardhur tek ju para 5 vitesh dhe kam bërë një vizitë. Përfaqësuesit tuaj më shtruan problemin se shtëpitë e kujdesit të të moshuarve ju mbanin atyre 80 përqind të pensionit, sot kjo vlerë është përgjysmuar. Pensionet sot siç e dini nuk janë më nën 100 dollarë dhe si qeveri kemi rritur fondin e pensioneve nga 50 miliardë në vit që ishte 5 vjet më parë, në 106 miliard që është sot. Por, po në këtë drejtim për të dëshmuar gatishmërinë tonë, respektin tonë, ndjeshmërinë tonë ndaj jush, ne kemi pesëfishuar fondin e ilaçeve. Nëse 5 vjet më parë subvencionimi i ilaçeve ishte gjithsej 5 miliardë, sot subvencionimi i ilaçeve është 25 miliardë. Këto janë disa hapa, por ne do të bëjmë gjithçka për hapa të tjera, në mënyrë që ju në këto shtëpi të kujdesit, të keni të gjithë kujdesin e merituar, në mënyrë që ju, ditët ti keni në ditë të këndshme, në mënyrë që ju këtu, javën, muajin ta keni sa më të këndshëm dhe të shëndetshëm.
Unë e kuptoj se ka prej jush që ndihen të brengosur që janë në këto shtëpi dhe nuk janë në vatrat e tyre familjare, por një gjë duhet tu them. Këtu me njëri-tjetrin jeni më ngrohtë në një kuptim, mos harroni se janë me qindra dhe mijëra familje, që fëmijët i kanë në të katër anët e botës dhe kalojnë jetën pa ta. Në këtë rrafsh ju këtu keni njëri- tjetrin, sigurisht keni dhe njerëzit tuaj, por dita është me e lehtë se në një vetmi qoftë ajo edhe në një vatër familjare. Ju siguroj se ky kujdes do të vijë gjithnjë duke u rritur duke u shtrirë më shumë, pasi ky është edhe detyrimi i shoqërisë ndaj jush për kontributin e madh qe keni dhënë.
Ministri më informon se ketë shtëpi do ta rindërtojë. Unë i kërkoj drejtorit që sëbashku me ju, të diskutojë të gjithë planin e rindërtimit të saj, në mënyrë që ta bëjnë sa më të përshtatshme për ju. Duke ju uruar ju, shumë shëndet gëzime dhe jetë te këndshme dua të shpreh një mirënjohje të thellë ndaj të gjithë punonjësve të kujdesit për ju dhe shtëpive të kujdesit social në tërësi, ti falenderojmë përzemërsisht për punën e shkëlqyer që bëjnë. Ata përfaqësojnë mbarë shoqërinë shqiptare tek ju, përfaqësojnë njerëzit e kësaj shoqërie, të cilën e kanë detyrim madhor ndaj jush. Përfaqësojnë ndjenjat familjare, përfaqësojnë ndjenjat miqësore, ndjenjat njerëzore, ndaj dhe dua ti përgëzoj dhe ato në këtë ditë për ndihmesën që japin në kujdesin ndaj jush.
Edhe një herë urimet më të mira më të përzemërta më vëllazërore.
01/10/2011