E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË PRITJEN E KËSHILLIT TË KONFERENCAVE IPESHKVNORE TË EVROPËS

30 shtator 2011

I nderuar Eminenca Juaj, Kardinal Peter Erdo – President i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës,
I nderuar Shkëlqesia Juaj, Imzot Ramiro Moliner Ingles - Ambasadori i Selisë së Shenjtë në Tiranë,
I nderuar Shkëlqesia Juaj Imzot Rrok Mirdita, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë,
Të nderuar Eminenca dhe Shkëlqesi, Presidentë të Konferencave Ipeshkvnore të Vendeve Evropiane,

Sot është një ditë e veçantë dhe një kënaqësi e madhe për mua, që në emër të të gjithë popullit shqiptar, t’Ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në vendin e Nënë Terezës, bamirëses së madhe të mbarë njerëzimit, në vendin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, mbrojtësit të madh të qytetërimit perëndimor, në vendin e bashkëjetesës paqësore të besimeve fetare, të cilat së bashku i mbijetuan persekutimit komunist, me besimin e palëkundur te Zoti, për ta ringjallur atë pas 50 viteve në diktaturë.

Të nderuar Eminenca dhe Shkëlqesi, dëshiroj t’Ju falenderoj që për jubileun e 40-vjetorit të themelimit të Konferencës Ipeshkvnore Evropiane, keni zgjedhur Tiranën për takimin tuaj të radhës! Gjithashtu dëshiroj të rikujtoj se takimi juaj përkon me 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Vatikanit, pikërisht në shtator të vitit 1991.

Ndaj përfitoj nga kjo ngjarje e rëndësishme t’i uroj Konferencës suksese në realizimin e qëllimeve të saj fisnike në shërbim të besimit, harmonisë, paqes dhe demokracisë në kontinentin tonë.

20 vite më parë, në Shqipëri besimi tek Zoti ka qenë i ndaluar me ligj. Fetë dhe Kleri në Shqipëri u përballën me njërën prej diktaturave më të egra të kohës duke dëshmuar se filozofia e dashurisë mbi dhunën, e lirisë mbi tiraninë, triumfoi. Në këtë përballje Kisha Katolike u martirizua si në kohën e katakombeve, por martirët e saj i bëjnë nder kombit, i bëjnë nder Kishës Universale. Ata besuan se aty ku është shpirti i Zotit, aty është liria. Lavdi përjetë atyre! Në këtë rrugëtim plot sfida tragjike, shqiptarët dëshmuan lartësinë e tyre shpirtërore.

Të nderuar miq,

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit kanë rrënjë të hershme në histori dhe e kanë ngjizjen e tyre të madhe në shekullin e 14-të me aleancën ndërmjet Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë, në kohën kur pushtimi otoman ishte një kërcënim i madh për Evropën.

Kujdesi i Vatikanit ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar ka qenë i vazhdueshëm gjatë gjithë etapave të vështira të historisë, në përpjekje për liri, pavarësi dhe integritet territorial.

Prelatët shqiptarë gjetën tek mbështetja e Vatikanit, forcën për të kultivuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Libri i parë i gjuhës shqipe u shkrua nga prifti Gjon Buzuku në vitin 1555, por edhe veprat e shekullit të 16-të të Budit, Bogdanit e Bardhit, u botuan nën mbrojtjen dhe mbështetjen e kardinalëve të asaj kohe.

‘Kuvendi i Arbërit’, që njihet si kuvendi i rizgjimit kombëtar u projektua nga Papa Klementi XI (më 1703), origjina shqiptare e të cilit na bën të ndihemi krenarë.

Gjithashtu shqiptarët, pa dallim feje, ruajnë të paharruar në kujtesën e tyre vizitën e Papa Gjon Palit të Dytë në Tiranë, në 24 prill të vitit 1993. Ne e nderojmë figurën e tij për besimin e fortë, për përvojën e tij unike në histori, për mesazhet e tij të paqes e të lirisë si dhe kontributin e tij të çmuar për çlirimin e popujve të Lindjes nga barbaria e komunizmit.

Prandaj mirënjohja e mbarë shqiptarëve ndaj këtij prelati të lirisë e të besimit, do të jetë e përjetshme.

Kam kënaqësinë e madhe të konstatoj se Kisha Katolike shqiptare ka dhënë një kontribut të veçantë gjatë etapave të zhvillimit të historisë së vendit tonë - në ruajtjen e integritetit të vendit; në konsolidimin e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit; në ruajtjen e identitetit kombëtar, në kultivimin e gjuhës e kulturës, në ngritjen e institucioneve arsimore të popullit tonë si dhe në luftën e përditshme kundër varfërisë dhe mjerimit si dhe në shumë fusha të tjera.

Por kontributi më i madh mbetet vendosja e një klime paqësore dhe bashkëjetese mes besimeve në Shqipëri, si një pasuri e madhe kombëtare, që është ruajtur dhe trashëguar në breza nga krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë.

Personalisht nuk do të resht së bëri të njohur dhe lartësuari gjithmonë dhe kudo këtë vlerë të historisë dhe bashkohësisë tonë.

Sot, Shqipëria është një vend demokratik e laik, mikëpritës dhe respektues i të gjitha besimeve, anëtar i NATO-s, e vendosur në perspektivën e integrimit evropian.

Prandaj shpreh bindjen time të plotë se Vatikani në vijim të traditës së tij historike në sintoni me proceset demokratike e integruese, do të jetë si gjithmonë në krah të përpjekjeve të popullit shqiptar, i cili dëshiron të zerë vendin e tij në familjen e përbashkët evropiane.

Duke përfunduar, më lejoni që nëpërmjet Jush t’i dërgoj përshëndetjet dhe konsideratën time më të lartë Shenjtërisë së tij, Papa Benediktit XVI si dhe të rikonfirmoj ftesën për Shenjtërinë e Tij që të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt!

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›