Kryeministri Berisha viziton familjen e Artin Bashës, i cili humbi jetën, teksa më 2 korrik ’90, përpiqej të hynte në ambasadën Gjermane
Kryeministri Berisha vizitoi sot familjen e Artin Bashës, i cili humbi jetën teksa më 2 korrik të vitit 1990, përpiqej të hynte në ambasadën gjermane.
Kryeministri Berisha i shprehu nderimet e tij nënës dhe familjarëve të Artinit. “Artin Basha ra 20 vjet më parë, për t’u bërë i pavdekshëm, nga plumbat e policisë dhe Sigurimit të Shtetit, në përpjekjen e tij për t’u bërë i lirë. Artini ishte një i ri si qindra e mijëra të tjerë, të cilët, në një kohë terrori dhe shtypje mizore, guxuan dhe morën vendimin më të mençur, më të guximshëm, të luftojnë për lirinë e tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri e cilësoi vrasjen e Artinit në muret e ambasadës gjermane një akt kriminal të shëmtuar dhe përpjekjen e regjimit për të manipuluar këtë ngjarje. “Vrasja e tij në muret e ambasadave ishte një akt kriminal i shëmtuar, por po kaq e shëmtuar ishte përpjekja e diktatorit dhe sejmenëve të tij për të manipuluar, për të fajësuar ambasadën gjermane për vdekjen e tij, e cila në të vërtetë e dërgoi atë në spital që në minutat e para, pas plagosjes dhe nuk e mbajti ditë të tëra, siç u përpoq diktatori Ramiz Alia ta paraqesë atë, në mbledhjen e intelektualëve”, u shpreh Kryeministri.
Duke e konsideruar 2 korrikun, një ditë të madhe në historinë e vendit, Kryeministri Berisha u shpreh “sot është një ditë në të cilën djem dhe vajza të thjeshtë, familjarë, njerëz që siguronin kafshatën e gojës me një mundim shumë të madh ose ishin të papunë, u dëshmuan se, pavarësisht nga ky anonimat, ata përbënin guximtarët e kombit, se, pavarësisht nga moshat e tyre, pavarësisht nga profesionet, ata të gjithë ishin vëllezër dhe motra në guximin e madh. Dhe e vërteta është se me atë guxim dhe trimëri, hapën rrugën e lirisë”.
Kryeministri Berisha, duke shprehur përuljen me nderim të madh ndaj Artin Bashës, nderoi njëkohësisht edhe sakrificën sublime, trimërinë, guximin dhe heroizmin e djemve dhe vajzave të 2 korrikut të vitit ’90.
02/07/2010