E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e Presidentit Topi me Top-Channel nga Kosova.

26 qershor 2010

Top-Channel: Zoti President, ju jeni ideatori i këtij samiti nëse mund ta quajmë. A mund të na thoni pse ky lloj formati?

Presidenti Topi: Ju e keni fjalën besoj për takimin e Vlorës, që u zhvillua ekzaktësisht një vit më parë. Ka qenë një nismë ndonëse thatë personale, por ka qenë një nismë mbi bazën e një komunikimi paraprak me të gjithë presidentët, të cilët kanë qenë të pranishëm edhe në Vlorë, edhe sot. Erdhi si nevojë e një hapi të ri drejt pjesëmarrjes së Presidentit të Kosovës në tryezat rajonale. Ju e keni vënë re që ka pasur një lloj skepticizmi nga organizatorët e tryezave të ndryshme të vendeve ballkanike, apo të vendeve të Evropës Juglindore për të mos e ftuar Kosovën që të jetë e pranishme. Në fakt, takimi i katër presidentëve tregon që situata në rajon është ndryshe. Ka filluar një komunikim njerëzor, një komunikim institucional, besoj edhe personal, në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve dhe mund t’ju them që brenda një viti ka pasur arritje tepër të rëndësishme në komunikimin midis vendeve tona, kam parasysh këtu njohjen e Kosovës, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, shkëmbimin e ambasadorëve, miratimin e disa marrëveshjeve me interes reciprok midis Kosovës dhe vendeve të rajonit. Kjo natyrisht që nuk merr në konsideratë pozicionin e Shqipërisë, e cila që nga fillimi e në vazhdimësi ka intensifikuar marrëdhëniet me Kosovën si dy vende fqinjë, që kanë shumë gjëra të përbashkëta. Por, më e rëndësishmja është që të gjitha vendet tona kanë komunikuar mbi bazën e konsolidimit të këtyre marrëdhënieve institucionale duke pasur të njëjtën ëndërr, ëndrrën e integrimit euroatlantik. Edhe ky takim vjen si një risi, si një vazhdimësi e takimit të Vlorës dhe të Ohrit. Kjo ka qenë arsyeja që sot ne kemi diskutuar një tematikë të veçantë, atë të lëvizjes së lirë të njerëzve. Ju e keni parë që flitet për statusin e lëvizjes së lirë të njerëzve. Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë arritur në 1 janar të vitit 2010. Shqipëria është shumë afër marrjes së vendimit zyrtar. Por, nga ana tjetër nuk kemi dëgjuar të flitet për qytetarët e Kosovës. Kjo ka qenë arsyeja që ne disa herë, edhe sot, e kemi rikonfirmuar qëndrimin tonë që nuk mund të ketë të izoluar në Ballkan. Qytetarët e Kosovës sigurisht që nuk mund të jenë qytetarë të dorës së dytë, janë njësoj si gjithë të tjerët dhe besoj që politika evropiane, duke parë dhe angazhimin e presidentëve dhe të institucioneve të tjera, edhe të institucioneve, të cilat merren në mënyrë specifike me këtë punë, do të jenë më të prirë, që Kosova të jetë pjesë e një vendimmarrjeje për të gjithë popujt e Ballkanit.

Top-Channel: Zoti President, a është e mundur që në të ardhmen kjo tryezë të jetë më gjithëpërfshirëse në mënyrë që në këtë tryezë të jenë pjesë edhe presidentë të tjerë të vendeve të Ballkanit, si Presidenti i Serbisë, Tadiç, apo Presidenti i Bosnjës?

Presidenti Topi: Unë nuk besoj që Kroacia ka qenë jashtë mundësisë së përfshirjes në tryeza të tilla. Kam parasysh pozicionimin e ish-Presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiç, i cili ka qenë shumë konvergjent në të gjitha iniciativat për të qenë së bashku. Besoj që edhe Presidenti i ri i Kroacisë, Ivo Josipoviç, besoj është i njëjtë në linjë, për një komunikim intensiv mes vendeve të rajonit. Dhe kemi bërë një apel të gjithë së bashku sot, edhe për Serbinë. Ndonëse ekzistojnë disa paragjykime të shprehura, apo të pashprehura përmes pjesëmarrjes, apo tentativave për të prishur ftesat që vijnë në drejtim të Kosovës, unë besoj që Ballkani sot operon mbi bazën e një lidershipi, i cili tenton të shkojë drejt standardeve perëndimore dhe mospërfshirja, mungesa e ftesës nuk do i shërbente kësaj klime kaq të mirë, që ekziston midis vendeve tona në rajon. Ne e kemi thënë dhe vazhdojmë të themi që jemi të hapur për komunikim edhe me Serbinë, për rregullimin e marrëdhënieve bilaterale. Edhe Kosova duhet të bashkëbisedojë me Serbinë dhe po ashtu e kemi thënë edhe në takime dhe në konferencë për shtyp, duke filluar me një stad të respektimit të sovranitetit të secilit vend, si vend të lirë, të pavarur dhe pastaj çështjet që mund të diskutohen në tavolinë, mund të jenë çështje të karakterit politik, çështje të shkëmbimeve ekonomike, për marrëdhëniet doganore, çështjeve fiskale, pra, sikurse ekzistojnë marrëdhëniet midis dy vendeve fqinjë.

Top-Channel: A mund të na shpjegoni idenë e krijimit të zonës mini-shengen, duke qenë se bëhet fjalë vetëm për katër shtetet fqinje?

Presidenti Topi: Unë besoj se ka qenë një dëshirë e shprehur prej kohësh. Në mos gaboj, gjatë vizitës sime zyrtare në Kosovë kemi diskutuar me Presidentin Sejdiu për krijimin e një klime të mini-shengenit, ç’ka do të thotë që i njëjti format që realizohet sot në Evropën e bashkuar, ai format mund të realizohet midis vendeve tona, të cilat realisht e kanë komunikimin e lirë dhe do të tingëllonte paradoksale në rast se Kosova, sikurse e thashë pak më parë, do të përjashtohej momentalisht për të pasur më vonë mundësinë e fitimit të statusit të lëvizjes së lirë. Shprehja e vullnetit të katër presidentëve sot, që është shprehur dhe nga institucionet respektive të të gjitha vendeve për të pasur mundësinë e komunikimit të lirë, duke përfituar nga të gjitha beneficet, që ka statusi i vendeve të shengenit evropian, do të bënte të mundur që njerëzit të komunikojnë të lirë, mallrat të komunikojnë të lirë dhe vendet tona, duke përjashtuar lëvizjen, të ishin më efikase në kontrollin e kontrabandës në nivel ballkanik.

Top-Channel: Zoti President, ju faleminderit!

Presidenti Topi: Dhe unë ju falënderoj!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›