Kryeministri Berisha përshëndeti tubimin e organizuar në nderim të 20 vjetorit të 2 korrikut të vitit 1990
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në një tubim të organizuar në nderim dhe kujtim të 20 vjetorit të një prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e demokracisë shqiptare, 2 korrikut të vitit 1990. Ky tubim shënon, gjithashtu, hapjen e ciklit të aktiviteteve që do të zhvillohen në përkujtim të ngjarjeve që shënuan ndryshimin e sistemeve në Shqipëri dhe sollën demokracinë.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
“Vëllezër dhe motra,
zonja dhe zotërinj,
zonja kryetare e Parlamentit,
zotërinj deputetë dhe zotërinj ministra,
Përshëndetjet më të përzemërta në këtë ditë të madhe të demokracisë shqiptare.
Sot ne jemi mbledhur së bashku për të nderuar dhe kremtuar 20 vjetorin e një prej ngjarjeve më të mëdha në tërë historinë e demokracisë shqiptare, të një prej përpjekjeve më të guximshme të shqiptarëve për liri dhe demokraci, 2 korrikut, dita në të cilën me mijëra djem dhe vajza, të rinj shqiptarë, u vërsulën si luanë të vërtetë dhe shembën murin e Berlinit në Tiranë, duke u shndërruar kështu në maratonomakë të marshit të lirisë së shqiptarëve.
Shqipëria, në korrik në vitit ’90, kishte mbetur diktatura e vetme komuniste në Evropë, vend i zhytur në izolimin më të thellë, në harresën dhe vet’harresën e pashembullt, vend të cilit një fjalë të mirë kërkosh s’ia fliste. Shqipëria e diktaturës Hoxhiste ishte vendi i shtypjes dhe shpërfytyrimit njerëzor, i dhunës, terrorit, torturave barbare; vendi në të cilin ata që tentonin të largoheshin prej tij i prisnin breshëritë e plumbave të ekzekutorëve të pamëshirë; vendi në të cilin rënia e Murit të Berlinit në Gjermani do të shoqërohej me varjen publike të disidentëve në sheshet e qyteteve të tij.
Shqipëria erdhi në vitin ‘90 si një vend ku 2/3 e qytetarëve të saj përjetonin skllavërinë e vërtetë, ndërsa pjesa tjetër ishin transformuar nga qenie shoqërore në qenie shtetërore. Në një kohë kur për shqiptarët pothuajse askush nuk besonte se do të gjenin guxim për të hedhur mënjanë shtypjen mizore, kur të shumtë ishin ata që besonin se Shqipëria do të mbetej si Kuba e Adriatikut, djemtë dhe vajzat e Tiranës me një guxim të pashembullt shndërruan rrugët dhe sheshet kryeqytetit në betejë legjendare për liri dhe dinjitet. Për ditë të tëra ata vazhduan sulmin e tyre drejt botës së lirë.
Ata ishin njerëz të thjeshtë, punëtorë, mëditësa, tornitorë, mekanikë, marangozë, hidraulikë, elektricistë, të papunë, por që të gjithë ishin kreshnikë të vërtetë në guximin e tyre. Të gjithë ata së bashku u ngritën me një guxim dhe trimëri të paparë, u dhanë zemër shqiptarëve që përjetonin tmerrin dhe frikën më të madhe. Ata i dhanë mesazhin Evropës dhe botës: se ky komb nuk ka të ndalur, se ky komb është i gatshëm për çdo sakrificë për lirinë dhe dinjitetin e tij. Ata, me aktet e tyre të burrërisë, i dhanë shpresë këtij populli të pashpresë, i dhanë zemër dhe trimëri njerëzve të cilëve terrori u kishte kallur datën dhe frikën deri në palcë. Ata u dërguan atyre thirrjet, kushtrimin, për tu ngritur njëlloj si popujt e tjerë të Evropës të çliruar nga tirania komuniste.
Ju burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, që me 2 korrik të vitit ‘90 u vërsulët drejt ambasadave të vendeve të lira nuk e dinit, nuk kishit siguri, se do të arrinit botën e lirë apo natën e përjetshme, siç e pësoi i pavdekshmi Artin Basha që ra mbi muret e ambasadave vetëm e vetëm për tu bërë i lirë.
Qytetarë dhe qytetare të Tiranës,
Më 2 korrik, në një betejë të pabarabartë, të rinjtë dhe të rejat e Tiranës mposhtën diktatorin dhe diktaturën. Ata u përcollën në vende të tjera. Regjimi montoi makinerinë e vetë të shpifjes, dhunës, terrorit. Sërish mbushi burgjet, nisi torturat, persekutimin dhe ekzekutimet, ngriti ‘de facto’ Murin e Berlinit, por flaka e lirisë që ndezën heronjtë e 2 korrikut nuk u shua kurrë. Vetëm pak muaj më vonë, këtu, në këtë shesh ku jemi mbledhur sot, në dhjetor të vitit ‘90 do të shpërthente uragani i fuqishëm i lirisë nga zemrat e studentëve dhe studenteve shqiptarë, uragan që nën udhëheqjen e Azem Hajdarit, tribunit të lirisë, do të themelonte në këtë qytet pluralizmin politik, Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe do të vërshonte në mendjet dhe zemrat e mbarë shqiptarëve flladin e lirisë; do të zhdukte më pas me votën e lirë regjimin më të egër, regjimin të cilin Evropa do ta cilësonte si regjimin e Hitlerit të pasluftës, regjimin e Enver Hoxhës.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës, vëllezër dhe motra,
Sot ne përulemi me nderim të madh para heronjve të 2 korrikut, guximtarëve, trimave që shkallmuan dyert e lirisë për shqiptarët, por sot ne festojmë së bashku me ta, me krenari të veçantë dhe legjitime, sepse Shqipëria që nisi marshin e saj të lirisë në vitin ’90, sot, pas 20 vitesh, është jo dekada, por shekuj larg Shqipërisë së 20 viteve më parë.
Vendi që 20 vite më parë renditej i 3 apo 4 në botë për skamje dhe mjerim është shkëputur sot përfundimisht nga grupi i vendeve të varfra dhe ka aktualisht njërën prej ekonomive më të qëndrueshme, më dinamike, më entuziaste, në rajon dhe në Evropë. Vendi që 20 vite më parë ishte i zhytur në izolimin më të thellë, nderon sot bijtë e tij si vend anëtar i NATO-s, si vend që ecën i sigurt drejt integrimit evropian. Vendi që 20 vite më parë ishte i rrethuar me tela me gjemba, sot është në prag të lëvizjes së lirë, pa viza, të qytetarëve të tij në mbarë Evropën. Vendi që 20 vite më parë ishte vendi i lirisë dhe të drejtave të ndaluara, sot është vendi i shtetit ligjor, i zgjedhjeve të lira, i institucioneve demokratike, është vendi i qytetarëve me shpresë dhe besim të madh tek Shqipëria, me shpresë dhe besim të madh tek e ardhmja, me shpresë dhe besim të madh tek Evropa.
Ky 20 vjetor na fton ne të gjithëve të bashkohemi në përpjekjen tonë të ndershme, fisnike, për të shndërruar sa më parë në realitet ëndrrën tonë evropiane, idealet tona evropiane, Shqipërinë evropiane.
Rroftë Shqipëria!
Rrofshi ju!
Nder për jetë djemve dhe vajzave të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që më 2 korrik nisën marrshin e tyre të pandalshme të lirisë, gjunjëzuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës diktaturën barbare dhe hapën dyert e lirisë për shqiptarët.
Rrofshi ju!
Rroftë Tirana!”
01/07/2010