E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një Delegacion të Asamblesë së Rajoneve të Evropës

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të ngrohtë përfaqësues të Asamblesë së Rajoneve të Evropës të kryesuar nga znj. Mishele Sabban, zv/Presidente e këtij institucioni.

Në këtë takim znj. Sabban e njohu Kryeministrin Berisha me organizimin, aktivitetin edhe prioritetet e Asamblesë së Rajoneve të Evropës. Ajo theksoi se Asambleja e shikon me mjaft simpati progresin e shpejtë që Shqipëria ka realizuar në adresë të respektimit të identiteteve dhe zhvillimit rajonal. Së bashku me partnerët shqiptarë, edhe pse në një periudhë të shkurtër, - u shpreh ajo, - kemi realizuar një seri aktivitetesh të cilat synonin inkurajimin e zhvillimit të rajoneve shqiptare, si dhe përafrimin e tyre me simotrat evropiane.

Kryeministri Berisha, gjatë takimit, u shpreh se “për qeverinë Shqiptare, konsolidimi i qeverisjes vendore, decentralizimi, partneriteti dhe zhvillimi integruar rajonal ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet më të mëdha. Modeli shqiptar i bashkëpunimit rajonal shkon në akord të plotë me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, si dhe Dokumentet e tjerë që normojnë Demokracinë dhe Autonominë Lokale”.

Më tej, Kryeministri u shpreh se qeveria po punon për përsosjen e konceptit të zhvillimit dhe riorganizimit të rajoneve. Qeveria, - u shpreh Kryeministri, - ka krijuar një klimë mjaft favorizuese për zhvillimin rajonal, duke katërfishuar fondet për investime, duke modernizuar infrastrukturën, ka rritur shkallën e decentralizmit të taksave vendore, ka transferuar të gjitha pronat, pyjet e kullotat, ka decentralizuar shërbimet publike në ujë të pijshëm e kanalizime, si dhe i ka mundësuar akses njësive vendore në politikat e kreditimit dhe huamarrjes publike.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se partneritetin rajonal qeveria e ka vendosur mbi bazën e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve dhe Fondit të akorduar prej tij. Fondi i Zhvillimit Rajonal, - theksoi Kryeministri, - po plotëson më së miri normat e Komunitetit Evropian dhe garanton një ritëm më të lartë, më të ekuilibruar, më bashkëkohor dhe më të qëndrueshëm të zhvillimit social-ekonomik në rajonet e Shqipërisë, në përgjithësi, dhe zonat periferike ne veçanti.


02/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›