Kryeministri Berisha viziton në Spitalin Ushtarak të plagosurit nga shpërthimet e djeshme në Gërdec
Kryeministri Berisha ishte sot paradite në Spitalin Ushatark për të vizituar të plagosurit gjatë shpërthimit në Gërdec. Kryeministri u njoh nga afër me gjendjen shëndetësore të tyre, si dhe shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për të dhënë çdo ndihmë të mundshme, si për kurimin e të plagosurve në këto spitale, por edhe në qendra më të specializuara, sikundër edhe për përballimin e situatës së krijuar për gjithë banorët e zonës.
Kryeministri tha se të plagosurit, si në spitalin Ushtarak, në spitalin e Durrësit dhe në Qendrën Universitare Nënë Tereza, me gjithë vështirësitë e natës, janë në tërësi më mirë. Mbrëmë janë nisur për mjekim më të specializuar në Greqi 5 të sëmurë dhe 4 të tjerë për në Itali, ndërkohë që mund të nisen për kurim edhe të tjerë.
Kryeministri u shprehu mirënjohjen më të thellë mjekëve, infermierëve, punonjësve të spitalit "Nënë Tereza", të spitalit të Durrësit, Krujës, si dhe ndaj qindra e mijëra qytetarëve që dje vullnetarisht u ofruan pranë këtyre qendrave për të ndihmuar të sëmurët.
Kryeministri informoi se operacioni i shpëtim - kërkim vazhdon dhe se ka një rritje të numrit të viktimave. Janë gjetur dhe 2 viktima të tjera. Operacioni i kërkimit në zonën përreth po vazhdon dhe po bëhen verifikimet për gjendjen.
Në përgjigje të interesimit të mediave, Kryeministri Berisha, ndër të tjera u shpreh:
“Së pari, isha këtu për t’u informuar për gjendjen e të plagosurve dhe rezulton se të plagosurit si këtu, si në Durrës dhe në Qendrën Universitare Nënë Tereza, me gjithë vështirësitë e natës, janë në tërësi më mirë. Janë nisur mbrëmë për mjekim më të specializuar në Greqi 5 të sëmurë dhe 4 të tjerë për në Itali, ndërkohë që mund të nisen edhe të tjerë dhe mjekët mund ta shfrytëzojnë këtë rast.
Së dyti unë jam sot këtu që të shpreh mirënjohjen time më të thellë mjekëve, infermierëve, punonjësve të këtij spitali, të spitalit Nënë Tereza, të spitalit të Durrësit, Krujës, si dhe ndaj qindra e mijëra qytetarëve që dje vullnetarisht u ofruan pranë këtyre qendrave për të ndihmuar të sëmurët.
Spitali ushtarak ka trajtuar dje 169 të plagosur, situatë ndër më të rëndat. Janë 37 të plagosur që kanë kryer ndërhyrje nga më të komplikuarat dhe të gjitha kanë rezultuar shumë mirë.
Gjithashtu dua t’i shpreh mirënjohjen qeverisë italiane, qeverisë greke, për gatishmërinë që treguan dhe ndihmën që po u japin të plagosurve në këtë ngjarje shumë të rëndë.
Dua t’ju informoj se operacioni i shpëtim - kërkim vazhdon dhe se ka një rritje të numrit të viktimave. Janë gjetur dhe 2 viktima të tjera. Po vazhdon akoma operacioni i kërkimit në zonën përreth dhe po bëhen verifikimet për gjendjen.
Ne po bëjmë çdo përpjekje për të gjetur të lënduarit. Jam informuar pak më parë se janë të pagjetur akoma 10 persona. Nga punëtorët e firmës janë dhjetë punëtorë, të cilët nuk ka qenë e mundur të identifikohen.
Puna po vazhdon me intensitet të madh. Zëvendëskryeministri është në Vorë, ministri Mediu, ministri Nishani e të tjerë janë atje. Unë do të shkoj atje për të ndjekur nga afër të gjithë zhvillimet.
Nuk ka asnjë shqetësim nëpër spitale. Ministri i Shëndetësisë më ka informuar se nuk ka shqetësime, ka 2- 3 raste të rënda, por shpresojmë që të kalojmë situatën. Ne jemi të gatshëm t’i çojmë për mjekim në qendra të specializuara.
Mbrëmë zona është shpallur zonë fatëkeqësie. Është krijuar Komiteti ndërministror për të vlerësuar çdo gjë dhe sot ky komitet do të nisë vlerësimin e të gjithë situatës.