E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, zotin Menduh Thaçi. Kryeministri Berisha dhe zoti Thaçi diskutuan rreth zhvillimeve më të fundit në Maqedoni dhe për përpjekjet e të dy vendeve për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në Samitin e Bukureshtit.     
Gjithashtu temë e bisedimeve mes Kryeministrit Berisha dhe zotit Thaçi ishin qëndrimet e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni. 

“Me zotin Menduh Thaçi patëm një diskutim të hollësishëm mbi zhvillimet në rajon për qëndrimet e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni dhe përpjekjeve të këtij vendi për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Kemi gjetur mirëkuptim në vendimet e kësaj partie për të mbështetur në mënyrë të palëkundur përpjekjet e Maqedonisë për këtë ftesë, qëndrimin e saj për të parandaluar një krizë të mundshme dhe proces elektoral të panevojshëm në këtë periudhë”, u shpreh Kryeministri Berisha pas takimit.

Kryeministri Berisha u shpreh se e siguroi zotin Thaçi se qeveria shqiptare duke e konsideruar shumë të rëndësishëm për rajonin paqen dhe stabilitetin në Maqedoni mbështet dhe do të mbështesë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke mbështetur të gjitha arritjet e bëra në zbatimin e saj.    
“Ne jemi të sigurtë dhe besojmë se zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, zoti Menduh Thaçi tha se e konsideron shumë të rëndësishëm informimin e kryeministrit Berisha se sukseset e qeverisë shqiptare shihen edhe si suksese të shqiptarëve në tërësi.     

“Ishte tepër e rëndësishme që ta informoj kryeministrin Berisha se sukseset e qeverisë shqiptare ne i shohim edhe si suksese të shqiptarëve dje unë e përgëzoj këtë. E dyta ta informoj për ngjarjet ën Maqedoni dhe përcaktimin definitiv dhe final të Partisë Demokratike Shqiptare besoj dhe të qeverisë së Maqedonisë për këtë proces tepër të rëndësishëm domethënë në Samitin e Bukureshtit për marrjen e ftesës për në NATO”, u shpreh zoti Thaçi. 
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve tha se e kishte siguruar Kryeministrin Berisha se do partia e drejtuar prej tij do të bëjë gjithçka që të mbisundojë paqja, stabiliteti dhe qetësia.  

“Gjithashtu dhashë edhe një sqarim se kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë, Marrëveshja e Ohrit vetë kërkesa që i ka vendosë PDSH janë tashmë pjesë e axhendës së integrimit europian dhe euro-atlantik të Maqedonisë. Po ashtu e falënderova Kryeministrin Berisha për mbështetjen që i jep qeveria shqiptare procesit integrues të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Unionit Europian”, theksoi më tej zoti Thaçi.           

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›