E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton panairin "Baçja e Tironës", në Petrelë

Kryeministri Berisha, vizitoi sot Panairin agro-biznes-turizëm  i organizuar nga disa komuna kufitare të Tiranës.

Qëllimi i organizimit të këtij panairi nga Komunat Farkë, Petrelë, Baldushk, Bërzhitë  është promovimi i prodhimeve tradicionale të zonave të tyre si dhe për të promovuar ketë zone piktoreske në periferi të kryeqytetit, e cila është bërë me e prekshme dhe më e afërt  për turistët vendas dhe te huaj, për shkak të kompletimit të infrastrukturës me rrugët  kombëtare dhe dytësore.

Ky promovim nisi me turin e një grupi motoristësh shqiptarë,  të cilët me Harley Davidson-ët e tyre, përshkruan  rrugët  dytësore,  që lidhin këto  4 komuna me njëra-tjetrën, por që janë ende të pazbuluara nga qytetarët e Tiranës dhe turistët.

Është hera e parë, që në Shqipëri zhvillohet një  tur i tillë për të promovuar bukuritë natyrore dhe infrastrukturën rrugore, që ofrojnë  këto  zona, tur   i cili përfundoi  me panairin në sheshin e komunës  së Petrelës.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetarët  e komunave, ministri i Kulturës  dhe Turizmit Bumçi, ministri i Bujqësisë Ruli dhe deputetë  të zonës  vizitoi nga afër  stendat e të katër komunave,  ku reklamoheshin produktet  karakteristike të secilës prej tyre. "Tirana ka fat të madh që ka komuna nga më piktoresket  dhe me potencial  të jashtëzakonshëm turistik. Të gjitha këto prodhime flasin vetë dhe qeveria do tu mbështesë,  që  ju ti shumëfishoni ato ",u shpreh kryeministri.

Duke përshëndetur  organizimin e këtij Panairi, kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur qytetarë të komunave  Farkë, Petrelë, Baldushk,Bërzhitë,

Të nderuar kryetarë të këtyre komunave,

Të nderuar ministra,deputetë, qeveritarë  vendorë,

Më lejoni t’ju përshëndes  shumë  përzemërsisht, ju fermerëve, drejtuesve të këtyre komunave dhe  të shpreh admirimin dhe respektin tim më të thellë, për punën e shkëlqyer që ju bëni.  Ndryshimet e mëdha që keni  arritur, që paraqiten sot kaq bukur me këtë panair, që kur e viziton mendon se jo disa komuna, por Shqipëria e tërë ndodhet e përfaqësuar këtu.

Fjalët janë të tepërta, me asgjë nuk mund të përshkruhen shijet, paraqitja  e prodhimeve tuaja të mrekullueshme, e gatimeve tuaja të shkëlqyera, ndaj dhe mbetet vetëm t’ju përgëzoj përzemërsisht.  T’ju garantoj  ju, se ne do të bëjmë gjithçka  që në çdo fshat të këtyre komunave, që në çdo fshat të  këtij vendi,  ju njerëzit e punës, njerëzit e tokës, të prodhimit, të keni infrastrukturën e njëjtë me lagjet e qyteteve tona, të keni infrastrukturë  të njëjtë me fshatra dhe komunat e vendeve të zhvilluara Evropiane.  Ndërkohë, ne do të bëjmë gjithçka, të mbështesim traditat tuaja të shkëlqyera.  Këtu në panair,  janë të gjitha frutat që prodhon ky vend, të cilësisë më të lartë.  Nga ullinjtë tuaj që janë të famshëm për shijen dhe vajin e tyre, vaj që ka marrë certifikata  dhe çmime  ndërkombëtare, tek rrushi, arrat, lajthitë, shegët, fiqtë dhe të gjitha prodhimet e tjera. Çfarë kërkojmë ne,  në mënyrën më njerëzore  nga ju?  Ne kërkojmë të dashur fermerë të komunave, Farkë, Petrelë, Baldushk,  Bërzhitë dhe të gjitha komunave të Shqipërisë vetëm një gjë, të vendosim të dhjetëfishojmë, të qindfishojmë,  drurët frutorë në këtë vend.  Kjo është një rrugë e sigurtë, e begatimit të familjeve tuaja.  Kjo është një rrugë e sigurtë, e begatimit të komunave tuaja,  e begatimit të vendit tonë. 

Duke vizituar panairin, u ndala tek stendat e Vrapit, pashë aty arrat e mrekullueshme dhe pyeta njërin nga fermerët. Cili është potenciali  juaj për arrat? Mu përgjigj, - se ato mund të dhjetëfishoheshin,  qindfishoheshin.   Sot, ne jemi në kushte krejtësisht  të tjera me ato që ishin vite me parë, sot ne jemi në zemër  të tregun më të madh të botës, që është tregu i Bashkimit Evropian.  Ndaj dhe ne,  duhet të bëjmë gjithçka, për të rritur sa më shpejt  prodhimet tona të mrekullueshme.  Unë ju garantoj ju, se nuk ka askund prodhime më të shijshme sesa prodhimet e kësaj toke.  Ullinj prodhohen në shumë vende, por ullinj të shijshme si të Tiranës, Mallakastrës, Bregut, Beratit, Elbasanit, nuk gjenden dhe nuk prodhohen askund, ndaj dhe ne kemi tregun e garantuar.

Të dashur vëllezër dhe motra

Ne jemi një vend i shkëlqyer  për fruti-kulturën, sepse  ne vetëm 20 përqind  të sipërfaqes  sonë tokë, e kemi tokë ara dhe bimë arash.  Por kemi  80 përqind  tjetër,  të cilat deri në lartësinë 800 metra, mund ta shndërrojmë në kopshtin më të madh, më prodhues, më të bukur të Europës.   Ndaj dhe sëbashku, le të punojmë në këtë projekt të madh të ri, le të vendosim ne sëbashku  për të qindfishuar  rrënjët e drurëve frutorë.  Aty ku ka një shelg, le të mbjellim një arrë,  çdo gardh  që kemi  le ti mbjellim  hardhi e lajthi, le te mbjellim ullinj në zonat që bëhet ulliri, le të shohim ne si do të rritet të ardhurat gjithsecilit brenda një kohe shumë të shkurtër.

Zotërinj kryetarë  komunash

Me ministrin e bujqësisë dhe një grup të veçantë, ne po punojmë që tu japim ju, ato kompetenca  që  as qeveria nuk i ka sot,  por i ka vetëm parlamenti, dhe do t’jua  japim ju që të mbillni çdo pëllëmbë të tokës në komunat tuaja, në interesin më të mirë, të çdo familjeje në këtë vend.  Ne po shtrijmë  infrastrukturën, ne do ju garantojmë ju ,rrugë të asfaltuara kudo që jeni, shkolla të njëjta me qytetet kudo që jeni, kanalizime ujësjellësa vaditje kudo që jeni. Por jeni ju zotër  të tokës dhe ju takon ju, ti shndërroni  komunat tuaja në prodhimin më të fuqishëm  të prodhimit në  rrethin e Tiranës dhe në Shqipëri.

Komunat tuaja dhe komunat në mbarë  Shqipërinë  kanë një potencial të madh turistik  për tu zbuluar. Deri më sot në marrim rreth 3.5 milion turistë dhe vizitorë, që normalisht drejtohen drejt detit, se nuk kemi pasur infrastrukturë, por ju garantoj se një fluks po kaq i madh, do të drejtohen drejt komunave, fshatrave, kodrave dhe maleve tona.  Ndaj dhe le të përpiqemi ne të zhvillojmë potencialet  turistike të zonave tona.  Në këtë luginë, në këtë zonë, në këto kodra, janë dhe funksionojnë nga lokalet më të mira të  kryeqytetit, të bëra të famshme për gatimin e tyre, për shërbimin e tyre, për të gjithë  kënaqësinë që ju krijojnë klientëve të tyre.  Dua ti përgëzoj dhe ata për investimin që kanë bërë dhe dua ti garantoj se qeveria, jo vetëm që nuk do të rrisë taksat siç kërkon zoti Rama, me një urrejtje arkaike  ndaj të pasurve. Unë i them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburit, por zgjidhen duke bërë  çdo gjë që edhe të varfrit të bëhen të mëkëmbur dhe në qoftë se ti rrit taksat siç thua , për të shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra-mijëra  vende pune, nuk bën gjë tjetër veçse thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd, por kjo kohë ka perënduar dhe nuk kthehet më. Merru më kujtimet e tua.

Ndaj dhe ju përshëndes dhe ju falenderoj shumë, për këtë kënaqësi të madhe që më krijuat sot, duke vizituar këtë panair të denjë për të përfaqësuar fermerët e këtij vendi, nga Konispoli në Vermosh me prodhimet tuaja, të mrekullueshme të cilësisë më të lartë.

Ju uroj sukses dhe ju garantoj se qeveria, do t’ju mbështesë ju fuqishëm, në mënyrë që të mëkëmbni familjet tuaja, veten tuaj, komunat tuaja. Do të vazhdojmë me projekte, këtë vit kemi dyfishuar shumën për drurët frutorë.  Këtë vit do të vendosim rregulla të tjera dhe më lehtësuese për importet e fidanëve, këtë vit do të bëjmë gjithçka, që të nxisim fidanishtet në mënyrë që ju, me këtë pasion dhe dashuri të re, që ka shpërthyer për drurët frutorë, ti shndërroni komunat tuaja, ta shndërrojmë  Shqipërinë në kopshtin më të bukur, më të madh të Europës.

Faleminderit.

 


13/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›