E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton shkollën “7 marsi”, në ditën ndërkombëtare të romëve

Kryeministri Berisha viziton shkollën “7 marsi”, në ditën ndërkombëtare të romëve

- Kryeministri thekoi se kjo ditë është një ditë apeli për të gjithë shoqërinë shqiptare, dhe për të gjithë shqiptarët, që të mund të japin kontributin e tyre. “Ky komunitet, që ka derdhur lumej djerse në këtë vend, në punë, ndër më të rëndat, të ketë si shpërblim një përpjekje të madhe kombëtare, për të zhdukur pasojat e diskriminimit që kanë ekzistuar.”

- Kryeministri u shpreh se qeveria do të bëjë përpjekje maksimale për shkollimin, strehimin dhe punësimin e komunitetit rom.

Kryeministri Berisha, në kuadër të ditës ndërkombëtare të popullsisë rome, vizitoi sot, shkollën “7 marsi” në kryeqytet, në të cilën janë hapur klasa të posaçme, ku mësojnë fëmijë romë, të moshave të ndryshme, që nuk kanë frekuentuar asnjëherë shkollën.

Pasi vizitoi disa mjedise ku zhvillohet mësimi, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore, të Tiranës, si dhe pjesëtarë të stafit pedagogjik, u takua dhe bisedoi me nxënësit romë. Duke i përshëndetur ata, kryeministri u shpreh se sot është dita kur mbarë bota nderon romët, një popullatë e mrekullueshme me talente të mëdha, me dhunti të veçanta, por edhe një popullatë e cila ka nevojë të domosdoshme që të mbështetet fuqishëm nga qeveria shqiptare dhe çdo qeveri në botë.

Kryeministri u shprehu nxënësve gatishmërinë e qeverisë, për të bërë përpjekjet maksimale, që ata të shkollohen në kushtet më moderne e bashkëkohore. “Erdha sot këtu tu përshëndes ju, tu siguroj ju dhe prindërit tuaj se do të bëjmë çdo përpjekje, që ju të shkolloheni siç duhet, të ndërtoni të ardhmen, në kushte shumë të mira, në kushtet që meritoni.”

Kryeministri Berisha e cilësoi shumë të rëndësishëm rolin e Ministrisë së Arsimit, ne aspektin e shkollimit, si kusht themelor që kjo shtresë e shoqërisë të çlirohet njëherë e përgjithmonë, nga pasojat e varfërisë dhe veçimit të trashëguar. “Ministri i Arsimit dhe Ministria e Arsimit ka një rol shumë të madh, në një përpjekje të madhe, për ta bërë shoqërinë tonë më të drejtë, sepse shoqëria bëhet më e drejtë kur ju, të çliroheni nga pasojat e trashëgimisë së rëndë të varfërisë dhe të skajimit shoqeror. Kusht themelor është shkollimi juaj. Shpreh kënaqësinë se ky problem dhe ky proces po merret gjithnjë e më seriozisht.”

Duke qëndruar tek shkollimi, si investimi më imediat për këtë shtresë, Kryeministri tha se Ministria e Arsimit duhet të krijojë çdo lehtësi që këta fëmijë të ndjekin shkollën, që përfshin si pajisjen me libra e mjete të tjera mësimore, po ashtu dhe lehtësira për sa i përket ushqimit. “Ne i kemi të gjitha mundësitë. Zoti Ministër i Arsimit, duhet ta ndërmarrim një program ushqimor për të gjithë fëmijët romë që ndjekin shkollën. Një projekt i tillë duhet të shtrihet në të gjitha rrethet,në mënyrë që shkollën dhe ndjekjen e saj tua bëjmë më të lehtë. Sot ne kemi rrethe siç është Lezha në të cilin të gjithë fëmijët romë ndjekin shkollën, po kështu Korça, Fieri ka bërë progres të madh, por në krye të tyre duhet të qëndrojë Tirana, në krye të kësaj përpjekje për shkollimin tuaj duhet të jetë Tirana dhe unë ju garantoj se Ministria e Arsimit, Drejtoria Arsimore, drejtoritë e shkollave, mësuesit do të bëjnë gjithçka që të gjithë vëllezërit dhe motrat tuaja, shokët dhe shoqet tuaj atë ulen në bankat e shkollës, të mësojnë të shkollohen dhe të mund të ndërtojnë jetën shumë më mirë dhe në kushtet që e meritojnë.”

Kryeministri thekoi se kjo ditë është një ditë apeli për të gjithë shoqërinë shqiptare, dhe për të gjithë shqiptarët, që të mund të japin kontributin e tyre. “Ky komunitet, që ka derdhur lumenj djerse në këtë vend, në punë, ndër më të rëndat, të ketë si shpërblim një përpjekje të madhe kombëtare, për të zhdukur pasojat e diskriminimit që kanë ekzistuar.”

Kryeministri u shpreh se përveç shkollimit, edhe strehimi e punësimi i tyre zënë një vend të veçantë në masat e qeverisë për ti ardhur në ndihmë këtij komuniteti. Kështu Kryeministri tha se qeveria po ndërmerr hapa konkrete për strehimin e tyre, në zonat ku ky komunitet është më i përqendruar. Duke u ndalur tek punësimi, Kryeministri kërkoi nga pushteti vendor një angazhim më të madh, për të konsideruar me përparësi punësimin e tyre. Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga institucionet kredidhënëse, që me përparësi të kreditojnë biznesin rom. Ndër të tjera, kryeministri theksoi se janë arritur rezultate shumë të mira, në punën për regjistrimin e fëmijëve, ndërkohë që do të bëhet çdo përpjekje që zonat e tyre të kenë një urbanizim të plotë.

“Qeveria ka marrë dhe po merr masa të mëdha për strehimin e tyre dhe në zonat kur komuniteti rom është më i pranishëm, ne kemi dërguar dhe dërgojmë investime për strehimin e tyre. Ne do përpiqemi të ndihmojmë për punësimin e tyre. E vërteta është që problemet e tranzicionit ky komunitet, I përjetoi më dhimbshëm se të gjithë të tjerët. është edhe detyrë e të gjithë qeverive vendore të konsiderojnë me përparësi punësimin e tyre. Unë do tu kërkoj të gjithë institucioneve kredidhënëse që me përparësi të kreditojnë biznesin e vogël rom, duhet të bëjmë çdo përpjekje që zonat e tyre të kenë një urbanizmi të plotë. Po bëhet regjistrimi I fëmijëve dhe kjo përbën një nga arritjet e rëndësishme, një detyrim madhor. Do të bëjmë bashkërisht çdo përpjekje, që të ulim në kopshtet dhe në bankat e shkollës fëmijët romë. Kjo është shpëtimtare për të dhe kjo ua lehtëson jetën, si dhe I mbron nga dukuri shumë negative dhe të rrezikshme.

Kryeministri falënderoi gjithashtu edhe për kontributin e pazëvendësueshëm të shoqërisë civile, në trajtimin e cështjes së luftës, kundër pasojave të diskriminimit të kësaj shtrese, që ka zgjatur me shekuj.

“Dua të shpreh nderimin dhe respektin tim më të madh për kontributin e pazëvendësueshëm të shoqërisë civile në trajtimin e këtij problem madhor sepse çështja e luftës kundër pasojave të një diskriminimi që ka zgjatur me shekuj është një çështje e dorës së parë. Ne kaluam një ligj kundër diskriminimit dhe ky ligj ka një fushë shumë të gjerë aplikimi, por një nga fushat më kryesore është pikërisht në komunitetet më të rrezikuara, sic janë romë dhe egjiptianë, ndaj dhe ne duhet të insistojmë vazhdimisht me një punë persistuese dhe të zvogëlojmë cdo ditë e më shumë, pasojat e rënda te nje diskriminimi, jo dhjetravjecar, por shekullor, duke qenë të vetëdijshëm se qeveria kë një detyrim madhor ndaj familjeve të tyre, sepse ata kanë derdhur lumenj djerse për këtë vend.”

Ne përfundim, kryeministri Berisha shpërndau dhurata për nxenesit.


08/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›