Kryeministri Berisha viziton zonat e rrezikuara nga përmbytjet në Shkodër
Pas vizitës së tij në zonat e përmbytura të qarkut të Lezhës, Kryeministri Berisha vizitoi qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e tij për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet në këtë qark.
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha dhe ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, vizitoi digën dhe hidrocentralin e Vaut të Dejës, si dhe Shtabin e Komandimit të Makinerive.
Më pas Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave. Kryeministri Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkoi evakuim të menjëhershëm për banorëve të këtyre zonave. Kryeministri Berisha kërkoi zbatimin me përpikmëri të urdhrave dhe kërkesave të ekspertëve të digave dhe hidrocentraleve.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
"Zotërinj qeveritar vendor,
Zotërinj ministra,
Së pari, dua t’u përcjellë qytetarëve të Shkodrës urimin tim më të përzemërt për Vitin e Ri. Ju uroj një vit me gëzime, me suksese, me mbarësi në çdo vatër dhe për çdo qytetar të këtij qarku.
Së dyti, unë dua t’ju përgëzoj ju, të përgëzoj Shtabin e Emergjencave Civile, ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Mbrojtjes, sepse gjatë gjithë këtyre ditëve keni qenë në lartësinë e detyrës, pasi për ditë me radhë një kërcënim serioz ekziston nga reshjet, por në veçanti edhe nga kaskada e Drinit, prurjet e të cilit, sidomos në Koman, kanë qenë të përmasave shumë të mëdha. Theksova në Koman, sepse liqeni i tij është një liqen modest. Tani që po flasim ai po rritet me 8 centimetra në orë. Ai është liqen i ngushtë.
Ju dhe ministritë keni qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë gjithë këtyre ditëve me komunën e Dajçit, me Obotin, me Anën e Malit dhe me të gjithë zonën e kërcënuar nga përmbytja. është bërë përpjekje maksimale për të shmangur sa të jetë e mundur një përmbytje më të gjerë, por erdha këtu sepse jemi përpara një momenti kritik, moment në të cilin ne do të detyrohemi të bëjmë shkarkime të mëdha nga të tre liqenet: Fierza, Komani dhe Vau i Dejës.
Parashikim sinoptik është shumë i pafavorshëm, parashikohen së paku dhjetë ditë rrebeshe, shira, të cilat në zonat e Alpeve dhe në basenin e Drinit sjellin prurje të pallogaritshme. Në këtë kontekst dy zonat e kërcënuara të qarkut tuaj Ana e Mali dhe Dajçi, Guri i Zi, duhet të evakuohen me çdo kusht dhe sa më shpejtë, sepse ne do të detyrohemi që në një kohë fare të shkurtër, të hapim tunelet e shkarkimit për shkarkime të mëdha. Banorët do të sistemohen në kushtet më të mira të mundshme.
Zoti Prefekt, gjendja e jashtëzakonshme nënkupton marrjen në dispozicion të gjitha aseteve dhe mjeteve të domosdoshme për përballimin e saj. Qeveria do të paguajë në qoftë se do të marrim hotelet për akomodimin e banorëve. Pra, do të merren të gjitha hotelet dhe në rast se ato nuk mjaftojnë do të përdoren konviktet. Ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Brendshme do të bëj disponibël sa më shpejtë dy konvaleshenca. Nuk kemi pse t’i fusim njerëzit në stadiume. Kemi transport, kemi autobuza, kemi mjete dhe i vendosim banorët në kushte optimale, në konvikte, hotele dhe konvaleshenca. Ne kemi kapacitete të mëdha për t’i sistemuar.
Ministria e Arsimit do të shtyjë fillimin e mësimit në universitetin “Luigj Gurakuqi” edhe për disa ditë, sepse fillimisht do të zien konviktet, më pas do të lirohen dhe do t’u sillen në gjendjen e përshtatshme studentëve.
Rezervat e shtetit do marrin masa që, aty ku është e nevojshme, të bëjnë të gjithë furnizimin. Kësaj here furnizimi nuk do të jetë vetëm me ushqim, por me plaçka, me veshje, me të gjitha çfarë duhen për fëmijët e vegjël dhe foshnjat. Kjo periudhë duhet të kalohet me sa më pak lëndime.
Zoti Prefekt, është e domosdoshme që të identifikohet çdo sipërfaqe e mbjellë. KESH-i është i detyruar të zhdëmtojë, por kjo kërkon kushtin e vlerësimit të ndershëm dhe objektiv. Nëse toka është e mbjellë me grurë, apo diçka tjetër, KESH-i do t’i përgjigjet dhe është i detyruar t’i përgjigjët, vetëm se me lutjen që kjo të bëhet në mënyrën më objektive. Kështu është rregulli.
Mendoj që gjendja e emergjencës është e shpallur në këto zona. Policia, në rast nevoje dhe ushtria, do të bëjnë evakuimin. Do të kontrollohet çdo shtëpi dhe në marrëveshje me autoritetet vendore në rast se mund të rri një njeri i vetëm, por dhe ai që do të rri duhet të ketë një mjet komunikimi dhe nuk mund të rri në shtëpi në kat të parë. Do të merret çdo njeri. Nuk mund të pranojmë njeri që të marr rrezikun e vdekjes. Ajo nuk mund të ndodhë. Forcat e xhenios janë këtu, mund të sjellim repartet ushtarake dhe ne i kemi të gjitha mundësitë, mjetet e gjithanshme, që këtë situatë emergjente ta kapërcejmë me sa më pak probleme dhe dhimbje. Kjo është një situatë, e thash dhe njëherë, ku ne duhet detyrimisht të shmangim rreziqet e mëdha. Ne nuk mund të pranojmë që të rrezikohet Shkodra, nuk mund të pranojmë që të rrezikohet Lezha dhe ultësira tjetër. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti dhe besoj se është gjëja më normale.
Unë kam komunikuar vazhdimisht me ju dhe jam informuar se disa prej tyre mund të pretendojnë se janë të përgatitur, se kanë varka, por mund të rrijë një njëri nëse e ka shtëpinë dy katërshe. Ndërsa fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes do t’i sjell ti ketë të sigurt dhe pa asnjë lloj problemi.
Ky është një sistem për të hapur tunelet dhe ekspertët, specialistët e digave, mendojnë se çdo orë është e padëshirueshme që ta vonojë këtë vendim të tyre. Hidrovorët aty ku janë do të jenë në kontroll të vazhdueshëm. Unë mendoj se ju i keni të gjitha mundësitë për ta përballuar këtë situatë me gjakftohtësi dhe eficencë të plotë. Qeveria do të vër në dispozicion çfarëdo që ju nevojitet, çdo mjet dhe çdo gjë tjetër.
Situatë jo të favorshme kemi dhe në Lezhë ku deti është ngritur dhe në Mat po shkarkojmë shumë ujë. Kjo nuk është fare nga Mati, e tëra është nga ngritja e shpejtë dhe e fuqishme e detit, i cili ka marrë përpara bunkerë, prita dhe gjithçka. Dhe atje po punohet shumë që të mund të vendosim një prit më të sigurt. Sidoqoftë, kjo është një situatë që ne duhet të funksionojmë siç kemi funksionuar. Ne kemi funksionuar mirë. Unë e kam ndjekur dhe ju e keni ndjekur me shumë vëmendje dhe me shumë përkushtim situatën. Ne duhet të zbatojmë atë që thonë specialistët dhe ekspertët e digave, sepse kjo është detyra jonë. Ne duhet të krijojmë siguri, sepse për ndryshe të dy liqenet, sidomos Komani, është në rritje të shpejtë.
Në rast se është e nevojshme le të bëjnë lartësimin me fasë të digës në Dajç. Ushtria të merret me vendosjen e thasëve, 5000 deri në 10000 thasë mund të duhen, në rastet e nevojshme, nëse e gjykojnë specialistët të nevojshme. Ne duhet të jemi realist, sepse shqetësimi për prurjet në kaskadën e Komanit dhe të Fierzës është shumë serioz, që do të thotë se mund të detyrohemi për shkarkime të mëdha. Nuk ka asnjë kërcënim për ndonjë zonë tjetër, përveç zonës në fjalë, por mund të jemi të detyruar të rrisim progresivisht shkarkimet në përputhje me prurjet. Për prurje shumë të mëdha duhet të bëjmë shkarkime shumë të mëdha. Jemi në fillim, kështu që edhe argjinaturën mund ta lartësojmë, në qoftë se e gjykojnë specialistët.
Më informuan se një sasi e madhe e thasëve janë në Pukë dhe duhet të sillen me urgjencë. Madje të çohen ku mund të mbushen, se mund të mos ketë material në Dajç. Le të sillen ku të jetë më afër, por të fillojnë. Të fillojnë t’a lartësojnë, të fillojnë të përgatiten. Kjo mbase është një punë e panevojshme, por më mirë rrimë ne të qetë.
Shërbimi shëndetësor duhet të jetë 24 orë. Spitali të përforcohet me mjek dhe me infermier, po ashtu dhe Qendrat Shëndetësore. Ne duhet të jemi shumë të gatshëm që kjo të kapërcehet në një mënyrë sa më pak traumatike, sa më pak lënduese.
Ju keni bërë punë shumë të mirë, por problemi është se sinoptika është jashtëzakonisht jo premtuese dhe ne duhet të përgatitemi mirë. Janë dy liqene, sidomos Komani është një liqen qe mbushet shumë shpejtë se është një liqen i vogël. Detyra jonë është të parandalojmë, detyra jonë është të parashikojmë, por evakuimi do fillojë, sepse ne brenda pak orëve mund të detyrohemi të dy ose trefishojmë shkarkimin, në varësi të kërkesës së ekspertëve. Të jem i sinqertë me ju, nuk do mund të ngadalësojmë asnjë kërkesë të tyre. Janë ata që do të komandojnë, sepse atyre u’a jep të drejtën rregulli dhe ata do të komandojnë portat dhe tunelet e shkaktimit.
Qeveria ka detyrat e veta dhe po merr të gjitha masat, për të cilat ne jemi mbledhur këtu. Ndërsa specialistët kanë detyrë të shmangin me çdo kusht, nëpërmjet manovrimit me tunelet dhe portat, një rrezik madhor për hidrocentralet. Rritja e Komanit me një nivel mbyt komplet sallën e turbinave në Fierzë. 175.8 është pika kritike, hyn në ujë turbinat dhe bllokohen. Tani fjalën tërësisht e kanë vetëm specialistët e digave dhe hidrocentraleve. Ne do marrim masat. Ne u kërkojmë atyre sigurinë maksimale për të parandaluar çdo lloj problemi madhor. Kjo është kërkesa e qeverisë ndaj tyre. Ne do zbatojmë me përpikëri çdo vendim të grupit të emergjencës së digave dhe hidrocentraleve. Për çfarë të vendosin ata qeveria do të thotë vazhdoni. Jemi në limitet e asaj që ne duhet të zbatojmë. Edhe ata fermerë duhet t’a dinë që këto kanë qenë minimale dhe tani do të detyrohemi të bëjmë derdhje të mëdha, ndoshta 3 - 4 fishin e këtyre. Të fillojnë që tani veprimin, sepse, edhe njëherë, shkarkimet mund të 3 -4 fishohen brenda orëve dhe në mënyre absolute ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të përpiktë të urdhrit apo kërkesës të komisionit të digave dhe liqeneve.”
02/01/2010