E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi u shpreh ngushëllimet personalisht familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik rrugor në Gojan, Gjegjan, Shkozë e Fushë Arrëz.

19 korrik 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi sot familjarët e viktimave të aksidentit tragjik rrugor të ndodhur dy ditë më parë, ku humbën jetën katërmbëdhjetë persona dhe u plagosën dymbëdhjetë të tjerë duke u shprehur personalisht atyre ngushëllimet e tij.

Fillimisht, Kryetari i Shtetit u ndal në fshatin Gojan, ku u takua me familjarët e Zef Mark Gjergji, shoferit të autobusit, duke u shprehur atyre ngushëllimet më të përzemërta dhe respektin njerëzor për njeriun e shtrenjtë, para përcjelljes së tij për në banesën e fundit.

Në vijim, Presidenti Topi ndau dhimbjen e thellë për humbjen e pazëvendësueshme dhe tepër të parakohshme të së dashurve të tyre, me të afërmit e viktimave të tjera në fshatrat Gjegjan e Shkozë dhe në Fushë Arrëz. Në shtëpitë e këtyre njerëzve të goditur nga tragjedia, Presidenti i Republikës shprehu mbështetjen e tij institucionale për familjarët, duke theksuar se në të tilla momente tepër të vështira jetësore, gjithë vëmendja, kujdesi dhe dhembshuria njerëzore e qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve shtetërore është përqendruar tek ata me nderim të thellë, human, solidaritet shpirtëror dhe angazhim maksimal për ndihmesën e vazhdueshme ndaj tyre në këtë situatë fatkeqe.

Ndalesën më të gjatë Presidenti Topi e pati në familjen Mustafa, e cila ka qenë më e prekura në këtë tragjedi me humbjen e tre familjarëve, ndërkohë që tre të tjerë ende gjenden të lënduar në spital. “ I kam takuar dje familjarët tuaj në spital dhe mund t’ju garantoj se mjekët atje po bëjnë maksimumin”, - u shpreh Presidenti Topi. “Tragjedia për ju është më e rënda. Fëmijët që kanë mbetur jetimë kanë nevojë për mbështetje dhe tani kujdesi maksimal nevojitet për të sëmurët, ndërkohë që duhet ndihmë e kualifikuar psikologjike për ta”, - vuri në dukje Kryetari i Shtetit duke uruar nga zemra për një shërim të shpejtë të tyre.

Në këto vizita, Presidenti Topi shoqërohej nga Zëvendëskryetari i Komunës Gjegjan, Zef Cacku, nga deputetë dhe ish-deputetë, zotërinjtë Ndue Kola, Rexhep Uka, Sali Shehu, Frok Gjin, nga Kryetari i Këshillit të Qarkut të Fushë Arrëzit dhe nga anëtarë të Kabinetit të tij.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›