Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me banorë të Durrësit. Duke i përshëndetur dhe falënderuar për mbështetjen e madhe që qytetarët e Durrësit i kanë dhënë Partisë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me banorë të Durrësit. Duke i përshëndetur dhe falënderuar për mbështetjen e madhe që qytetarët e Durrësit i kanë dhënë Partisë Demokratike, Kryeministri theksoi:
"Para së gjithash, ju shpreh mirënjohjen më të thellë ju, qytetarëve të Durrësit, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i dhatë Partisë Demokratike dhe ndryshimit. Më 3 korrik, ju ishit në zenitin e shpirtit tuaj demokrat, të idealeve tuaja fisnike dhe ndjenjave atdhetare.
Sot kam ardhur tek ju për t'ju dhënë fjalën e nderit se me Armand Telitin do të punojmë për çdo borxh që kemi ndaj qytetit e qytetarëve tuaj, ndaj fermerëve e banorëve të komunave tuaja.
Me votën tuaj, me besimin tuaj ne shembëm muret e krimit dhe korrupsionit që pengonin Durrësin e Shqipërinë drejt Evropës. Me votën tuaj u përballëm dhe çmontuam sistemin e kleptokracisë dhe ai dolëm, siç kishim premtuar, të rrisim pensionet më shumë se në 15 vitet së bashku; të rrisim 23 për qind rrogat për arsimtarët; 25 për qind rrogat për infermierët.
Me votën tuaj ne ia dolëm të firmosim në Bruksel Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe të marrim nga Samiti i Rigës mesazhin e madh të ftesës së mundshme për anëtarësim në NATO.
Me votën tuaj ne ulëm taksat, përgjysmuam taksat për biznesin e vogël; ulëm 32 për qind sigurimet shoqërore; ulëm 33 për qind çmimin e energjisë për biznesin.
Me votën tuaj ia dolëm të kontraktojmë punë publike, rrugë, autostrada, ura, porte më shumë se në 50 vitet të marra së bashku. Ne kontraktuam e nisëm punimet në autostradën Durrës-Prishtinë, e cila dyfishon kapacitetin dhe veprimtarinë e portit të Durrësit. Në këtë port inauguruam terminalin dhe një seri projektesh të tjera janë në vazhdim dhe inagurohen këto ditë për qytetin, fshatrat e komunat tuaja.
Unë kam edhe një zotim tjetër, ujësjellësin e ri për Durrësin. Ju kam premtuar ujësjellësin e ri, sepse ju e meritoni plotësisht. Po hapim tenderi për projektin dhe, sapo projekti të përfundojë, do të nisim punimet. Parashikimet për fonde janë bërë në buxhetin e këtij viti. Durrësi brenda vitit do të ketë parkun e tij industrial. Porto Romano do të shndërrohet në polin kryesor energjik të vendit. Këto ditë inagurojmë rrugën e Kënetës, rrugën e Gjirit të Lalzit dhe ju japim fjalën se me Armand Telitin do asfaltojmë e gjelbërojmë të gjitha rrugicat e rrugët e këtij qyteti. Në këtë shesh, 17 muaj më parë, ju premtuam universitetin "Aleksandër Moisiu"dhe ju sot keni një nga universitetet më të mira të vendit.
Të dashur qytetarë të Durrësit,
18 shkurti është festa juaj, është festa e fitores. Energjia dhe entuziazmi i saj po vërshon sot në të 4 anët e Shqipërisë, nga Kukësi, Tropoja, Saranda dhe Gjirokastra, nga Shkodra, Vlora, Korça e Tirana.
18 shkurti është fundi i bastionit të mafias në pushtet, fundi i don Edvinit. ‘Kumbar terri' ia mbathi, do t'ia mbathë dhe don Edvini, se nuk ka rrugë tjetër. Kur të vini në Tiranë, ju ftoj të vizitoni në qendër të qytetit pallatin e Dash Ramës, i cila ka pronësuar rrugën e qytetit. Edhe ‘kumbar terri' ka pronësuar detin. Të dy kanë një fat, rrafsh me tokën qytetarëve do t'u kthehet se deti është i juaji, rrugët janë tuajat, qyteti është juaji. Rivali i kryetar të ardhshëm të baskisë nuk doli nga votimi një anëtar një votë, por nga votimi një pallat një votë, sepse socialistët durrsakë me një anëtar një votë nxorën një tjetër kandidat, por Edvini nxori atë me një pallat një votë.
Edhe një herë ju uroj gëzuar fitoren, fitoren tuaj më të merituar, ju shpreh mirënjohjen e madhe për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe zotohem para jush se do të bëjmë çdo përpjekje për ta shndërruar këtë fitore në një mirësi për çdo qytetar të Durrësit, për çdo qytetar shqiptar."