E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vijim të vizitave të tij në rrethe, gjatë ditës së sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me banorë të Rrëshenit dhe të Lezhës. Në përshëndetjen dre

Në vijim të vizitave të tij në rrethe, gjatë ditës së sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me banorë të Rrëshenit dhe të Lezhës.

Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të Rrëshenit, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:

"Dua të përulem me shumë nderim, me shumë mirënjohje para jush, para të gjithë mirditorëve, për mbështetjen e madhe që ju i keni dhënë Partisë Demokratike, mbështetje të cilën ne jemi përpjekur ta kthejmë në mirësi dhe respekt ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë. Me këtë mbështetje ne ia dolëm të shembim muret e korrupsionit dhe të krimit, që kishte bllokuar rrugën tonë drejt Europës dhe firmosëm, së bashku, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ne ia dolëm të luftojmë korrupsionin, këtë kancer të keq dhe të arrijmë që në një vit të mbledhim, të shpëtojmë nga kthetrat e abuzimit, jo100 apo 200 milionë, por 600 milonë euro, të cilat realisht kemi dashur që të jenë të prekshme për të gjithë qytetarët.

Ne vendosëm pensionin minimal 100 mijë lekë në qytet dhe 50 mijë lekë në fshat. Nga këto 600 milionë euro, 94 milionë prej tyre u janë dhënë pensionistëve të fshatit dhe të qytetit, rreth 30 milionë të tjera kanë shkuar për të rritur pagat e invaliditetit dhe pensioneve familjare, 36 milionë të tjera kanë shkuar për të subvencionuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, 220 milionë u përdorën për të ulur taksat. Ne premtuam përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël dhe nuk ka biznesmen të vogël sot në Shqipëri që nuk sheh përgjysmimin e taksave. Ne ulëm çmimin e energjisë për biznesin me 33 përqind, ulëm sigurimet shoqërore me 32 përqind.

Të gjitha këto, u bënë të mundura vetëm në sajë të politikës të duarve të pastra. Kjo na bëri të mundur të hapim dyert e universiteteve tona për të rinjtë shqiptarë, të dyfishojmë numrin e tyre në universitete. Unë ju jap fjalën se do të dyfishojmë numrin e nxënësve në shkollat e mesme. Këtu në Mirditë dhe në çdo qendër tjetër të rëndësishme të vendit, do të ndërtojmë konvikte për të mundësuar që nxënësit të kryejne shkollën e mesme, në të katër anët e vendit.

Ne qëndrojmë pas interesave tuaja, përpiqemi të plotësojmë nevojat tuaja. Interesi juaj është shkollimi i fëmijëve tuaj, është rritja e pensioneve. Unë ju jap fjalën dhe ju siguroj se edhe ne i kemi këto interesa të parat. Interesi juaj janë shërbime sociale cilësore dhe ne do t'i përmirësojmë ato, me ato para që mblodhëm nga politika e duarve të pastra.

Ne rritëm rrogat e mësuesve 23 përqind dhe sot nuk ka më mësues në Mirditë dhe në Shqipëri që nuk merr 23 përqind më shumë se një vit më parë. Zotohemi para mësuesve mirditorë se këtë vit do të rriten 20 përqind dhe ne do t'ia arrijmë kësaj. Rritëm rrogat e infermierëve 25 përqind dhe ato do të dyfishohen gjatë këtij mandati. Të gjitha këto, sepse ne duam që mësuesit tanë të kenë të gjitha mundësinë për të mësuar nxënësit tanë siç duhet, ne duam që infermierët tanë kenë të gjitha kushtet për të na mjekuar siç duhet.

Ne prokuruam dhe nisëm vepra rrugore dhe publike më të mëdha se në 50 vitet e fundit. Pasi kemi prokuruar korridorin me 4 korsi, trajektoren e tij që lidh Durrësin me Prishtinën, javën që vjen, së bashku me Gjon Dedën, me inxhinierin dhe intelektualin e shkëlqyer, do të presim shiritin e fillimit të punimeve të segmentit prej 27 kilometra Rrëshen-Milot.

Ju ftoj të votoni për Gjon Dedën dhe ju siguroj se qeveria do të mbështesë çdo projekt të tij për këtë qytet, çdo projekt të tij për infrastrukturën, shkollat, shërbimet sociale, aktivitete kulturore, aktivitete të tjera për rininë e Rrëshenit.

Së fundi, dua t'ju siguroj se një interes i madh në rritje vjen për pasuritë tuaja nëntokësore, ku kompani të mëdha po tregojnë gjithnjë e më shumë interes. Unë jam i bindur se ato pasuri, të cilat këtu në Mirditë janë shfrytëzuar në shekuj e mijëvjeçarë, do të shfrytëzohen në shekuj e mijëvjeçarë të tjerë.

Vëllezër e motra! Dielli është dritë, shiu është fitore. Sa herë kemi ardhur në këtë qytet dhe na ka zënë shiu, çdo radhë kemi fituar dhe do të fitojmë. Përfaqësuesit të opozitës i premtoj një sallë të re operacioni, të ushtrojë siç duhet profesionin e tij si kirurg i këtij rrethi. Fitorja është e Gjon Dedës".

* * *

Kryeministri u ndal më pas në një takim me banorë të Lezhës. Duke ftuar qytetarët lezhianë të votojnë për kandidatin e mazhorancës, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:

"Çdo votë për Pashkë Përvathin do të jetë votë për rritjen e rrogave të mësuesve që mësojnë fëmijët tuaj, do të jetë votë për rritjen e pensioneve për pensionistët e Lezhës, do të jetë votë për shëtitoren e qytetit të Lezhës, do të jetë votë për legalizimin dhe shpronësimin e qindra e qindra qytetarëve që kanë ardhur në këto troje.Çdo votë për Pashkë Përvathin dhe Luigj Prelën do të jetë votë për Lezhën, për portin e Shëngjinit dhe për turizmin.

Në 18 shkurt votoni Pashkë Përvathin dhe unë ju garantoj se do të financoj çdo projekt të tij për Lezhën. Nuk u ndala sot të inauguroj ujësjellësin për këtë zonë, por ju premtoj banorëve të komunave, ujë, rrugë, drita, shkolla moderne. 18 shkurti është fitorja juaj, fitorja e Lezhës dhe gjithë Shqipërisë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›