E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, në nderim të ish Presidentit Kiro Gligorov

Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe dhe shprehu ngushëllime në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, për ndarjen nga jeta të ish Presidentit Kiro Gligorov. Kryeministri Berisha la një shënim në librin e ngushëllimeve, të çelur me këtë rast nga ambasada, ku vlerësoi kontributin ish Presidentit Gligorov në paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë, të rajonit të Ballkanit jugor, si dhe në bashkëpunimin rajonal.

Pas homazheve, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat:

“Erdha për t’i shprehur nderimin tim, ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së ish Presidentit Kiro Gligorov, qeverisë së Maqedonisë dhe mbarë qytetarëve të këtij vendi. Kiro Gligorov ishte shtetari që me mençurinë, guximin, urtësinë dhe vendosmërinë e tij shkëputi në rrethana shumë të vështira Republikën  e Maqedonisë nga Federata Jugosllave që po shpërbëhej dhe e shkëputi atë në mënyrë paqësore.

Ai ishte Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Republikën e Maqedonisë. Me politikën që ndoqi, me qëndrimet dhe maturinë e tij, ai dha një kontribut të madh në paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin e jugut.

Vdekja e tij është një humbje e madhe për Maqedoninë mike dhe për të gjithë miqtë e saj në rajon e kudo në botë. Gligorov lë emrin e themeluesit të Maqedonisë së lirë, por dhe të shtetarit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”.


04/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›