Kryeministri Berisha takon Kryetarin e LSDM-se, zotin Branko Crvenkovski
Në vijim të takimeve të zhvilluara sot në Maqedoni, Kryeministri Berisha u takua me Kryetarin e LSDM-së, zotin Branko Crvenkovski.
Gjatë takimit, zoti Crvenkovski vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke theksuar se ekziston mundësia për forcimin e tyre të mëtejshëm. Në këtë kontekst, zoti Crvenksovski u shpreh se forca politike e drejtuar prej tij i konsideronte shumë të rëndësishme këto marrëdhënie.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e partisë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe theksoi se këto marrëdhënie janë të destinuara që të jenë shumë të mira, pavarësisht krahut politik që qeveris të dy vendet. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë ka si qëllim, zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, mes dy vendeve, në fusha me interes të përbashkët. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve infrastrukturore mes dy vendeve, heqjen e barrierave burokratike si dhe krijimin e një hapësire ekonomike mes vendeve të rajonit.
Gjatë takimit, u diskutua ndër të tjera për proceset integruese që po kalojnë të dy vendet, ku theksi u vu tek nevoja e një qëndrimi mbështetës dhe jo bllokues i të gjithë spektrit politik, në favor të reformave që mundësojnë integrimin.
Kryetari i LSDM, Zoti Branko Crvenksvski u shpreh se pavarësisht se forca që ai udhëheq është në opozitë, ajo mbështet çdo reformë që synon integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE.
09/11/2011