E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u mblodh sot grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Shpreh kënaqësinë për numrin e shtuar të zonjave në këtë legjislaturë dhe zotohem se në legjislaturën tjetër do të ketë edhe më shumë. Ky është fillimi.

Në këtë mbledhje unë dua të theksoj se reformat, reformat dhe vetëm reformat, janë alpha dhe omega e veprimtarisë dhe programit tonë. Qeveria dhe ju, me ligjet që keni votuar javën e kaluar në Parlament, keni sjellë një kontribut të madh, në mënyrë të veçantë në përmirësimin e klimës së biznesit. Ishte një arritje e madhe vendosja e parimit "heshtja është miratim" për TVSH-në për biznesin, si dhe një seri ligjesh të tjera, në të cilat mbrohet biznesi nga rëndimet e pamerituara të autoriteteve shtetërore.

Unë dua të garantoj të gjithë drejtuesit e bashkive dhe komunave se qeveria është e gatshme që, mbi bazën e projekteve, të financojë qindarkë për qindarkë ato shuma që ata mund të pretendojnë se iu ulën për shkak të vendosjes së nivelit jo më të lartë se 10 për qind luhatje nga ajo që caktoni ju në parlament për taksat vendore. Në mënyrë absolute, kjo qeveri nuk do të japë asnjë qindarkë për fryrjen e administratës, siç ka ndodhur. Nëse  ndokush e konsideron administratën si ndërmarrje punësimi ky është koncepti  më i gabuar dhe më i rëndë për taksapaguesit shqiptarë te administratës. Ajo, qoftë qendrore dhe qoftë lokale, nuk është dhe nuk mund të jetë ndërmarrje punësimi, ndaj edhe njëherë, duke përshëndetur autoritetet vendore të të gjithë spektri politik, dua t'i garantoj se qeveria shqiptare është e vendosur të rrisë në mënyrë të ndjeshme grantin për qeveritë vendore.

Në këtë kontekst, unë dua t’ju informoj se në buxhetin e ardhshëm do të organizohet Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, fond i cili në mënyrën më transparente do të përfshijë të gjitha investimet që me buxhetin e shtetit do të bëhen në qarqe bashki dhe komuna nga rrugët, ujësjellësit, kanalizimet, shkollat, qendrat shëndetësore, pyllëzimet dhe çdo investim tjetër, ku qeveritarët vendorë do të jenë të pranishëm do të jenë anëtarë të bordit të këtij fondi dhe aty do të duket qartë do të dalë në dritën e diellit shtimi i madh që kjo qeveri do t’u bëjë financimeve të projekteve për të ndryshuar jetën e qytetarëve shqiptarë aty ku ata banojnë. Qeveria qendrore nuk do të ketë më autoritet t’i adresojë ndryshe financimet, veçse nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, ku do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e rajoneve, mbi bazën e shoqatave që ata kanë realizuar bashki, komuna, qarqe dhe me radhë. Me këtë reformë shumë të rëndësishme, ne mendojmë të përballemi dhe t’u përgjigjemi në mënyrën më të harmonizuar dhe më të vendosur të gjithë problematikës në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, por edhe zhvillimit të komunave, bashkive, rretheve dhe qarqeve ku ata jetojnë.

Me këtë reformë ne besojmë se do të ecim më shpejtë dhe më të sigurt në projektin tonë të Shqipërisë evropiane,  sepse pa ujë, pa rrugë të asfaltuara, pa kanalizime, pa shkolla moderne, Shqipëria evropiane është një Shqipëri për t'u realizuar, por jo se është realizuar. Ndaj dhe e vlerësoj shumë të rëndësishme këtë reformë. Sikundër, dua t’ju informoj që një nga përparësitë më absolute e jona do të jetë qëndrimi ndaj popullatës që jeton në varfëri dhe atyre që jetojnë në mjerim. Së pari, ne do të ndërtojmë një skemë të re të ndihmës ekonomike, në të cilën të keni bindjen se asnjë familje shqiptare nuk përballet me mjerimin. Unë nuk them se ne mund të zhdukim varfërinë, varfëria për fat të keq shoqëron edhe vendet më të zhvilluara, por mjerimi zhduket. Ka pasur një rënie të madhe sipas studimit të Bankës Botërore, por sërish janë me mijëra dhe mijëra familje në mjerim. Skema për të cilën ju ftoj edhe ju të kontribuoni, per te cilen do te bëjmë edhe një seri takimesh me autoritetet vendore, synon që t'u japë garanci të plotë për t'i nxjerrë jashtë mjerimit të gjitha familjet shqiptare, aty ku janë. Shqipëria nuk eshte në atë gjendje sa të lejojë të tjerët të vuajnë për kafshatën e gojës, apo për gjërat më elementare.

Me ndihmën ekonomike ka një abuzim të jashtëzakonshëm. Gjatë këtyre kohërave, kam takuar shumë kryetarë komunash, kam biseduar me ta, me specialistë të këtyre çështjeve dhe më rezulton një abuzim i pallogaritshëm. 20 dynym tokë ka tjetri dhe, për efektet të ndihmës ekonomike, e ndan djalin me 500 metra katrorë, televizorin, veturën dhe të gjitha ia regjistron një tjetri dhe përpiqet të marrë ndihmë ekonomike dhe faktikisht merr ndihmë ekonomike. Kjo është e papranueshme. Absolutisht unë nuk jam për të mos e ndihmuar këtë zotëri, por ndihma më e madhe që mund t'i japim atij është që, në ato 20 dynym tokë që ka, të mund të marrë maksimumin, t'i japim kredi, t'i japim mbështetje tjetër, por jo ndihmë ekonomike.  Ndihmën ekonomike ne e kemi në buxhet rreth 150 milionë dollarë dhe, absolutisht, ne mund ta bëjmë atë edhe 200 edhe 300 po qe se eshte e nevojshme, por jo për abuzimet, sepse kjo nuk ndihmon, kjo pengon, përkundrazi kjo thellon varfërinë. Duke i dhënë njëlloj atij që ka dhe atij që s'ka, faktikisht nuk bën gjë tjetër veçse thellon varfërinë e atij tjetrit. Mendoj se kriteret do të shqyrtohen dhe duhet të shqyrtohen. Ne nuk pengojmë njeri që të lëvize vendbanim nga fshati, komuna, vendi ku jeton, jo. Jemi tërësisht të hapur dhe këtë e vlerësojmë si një zhvillim pozitiv për vendin. Por ne jemi të detyruar të asistojmë, jemi të detyruar të bëjmë çdo përpjekje për të krijuar kushte normale jetësore të të gjithë atyre që jetojnë në vendbanimet e tyre.                 

            
Zotërinj deputetë!

Kjo është një reformë shumë e rëndësishme, është edhe komplekse dhe ndihma juaj, eksperiencat tuaja te mëparshme, janë jashtëzakonisht të dobishme për vendin. Qeveria ka një projekt shumë serioz për zhvillimin e Shqipërisë rurale dhe ne po e faktojmë dhe do e faktojmë këtë çdo ditë. Ne kemi përcaktuar objektivat më ambicioze që vendi ka pasur ndonjëherë, por plotësisht të mundshme, siç është; infrastruktura për të gjitha komunat, bashkitë, fshatrat, ne menyre që, në një kohë prej 15- 25 minutash, qendra e komunës të lidhet me rrugë kombëtare, që qendra e fshatit të lidhet me qendrën e komunës, që të ndërtojmë edhe qindra e qindra ujësjellës të tjerë, që të rikonstruktojmë dhe të ndërtojmë të gjitha shkollat e mbetura dhe shkollat e reja, që të shumëfishojmë grantet dhe kredinë e butë. Pra, ne e marrim si një sfidë jashtëzakonisht serioze mbështetjen për Shqipërinë rurale por si kudo, si në Shqipërinë urbane ashtu edhe në atë rurale, ne kemi një të keqe të madhe me të cilën duhet të përballemi me tolerancën zero dhe ky është informaliteti. Une e dhashë rastin: kryetari i komunës më thoshte: e ndau djalin dhe nga 20 dynyn tokë që kishte i dha 500 metra. Këtë ne nuk mund ta pranojmë, por per këtë duhet t’i themi atij zotërisë se, me  20 dynym ne do të bëjmë çmos që ai të marrë dyfishin e prodhimit. Por nuk mund t’i marrë kafshatën atij tjetrit, pasi edhe ai do të ketë një kafshatë, sepse ai nuk ka as 20 dynym, ai nuk ka as 500 metra. Ai mendon tre vaktet se çfarë do t’u japë fëmijëve. Ndaj dhe do ta nisim nga kjo reformë, në mënyrë që të mos dëgjohen më sirena mjerimi askund në Shqipëri. Do të shohim format më të përshtatshme, por duhet të sigurohemi se asnjeri nuk vuan për ushqimet bazë, veshjet, shërbimin shëndetësor, shkollimin e fëmijëve. Të gjitha këto janë detyrime të shtetit dhe të politikës së tij sociale.

Edhe njëherë, këtu para jush, une gjej rastin të ftoj opozitën të shfrytëzoje parlamentin për të dhënë kontributin e vet në të gjitha këto reforma, pavarësisht se ato kërkojnë apo nuk kërkojnë 3/5 apo 2/3, por ato kërkojnë që të gjitha dhe e kanë të mirëpritur oponencën në parlament dhe e garantoj opoziten se zëri i saj do të dëgjohet me seriozitetin më të madh, e garantoj se në reformën zgjedhore, me ato rekomandime që bëhen në raportin e  OSBE/ODIHR-it, opozita do të ketë zë kryesor. Këtë gje opozita nuk e  vë në dyshim sepse e ka pasur në reformën e deritanishme. Ata kanë qenë përcaktues dhe unë sërish do të pranoj që ata të jenë përcaktues. Nuk mund të them se kjo nuk funksionoi, pasi ajo funksionoi  dhe do të funksionojë, se ata nuk sollën asgjë që bie ndesh në tërësi me standardet, përveç përbërjes së komisioneve që pati një problem. Por në tërësi, në Kodin Zgjedhor janë vendosur norma të pranueshme për standardet ndërkombëtare, që kanë nevojë edhe për një përmirësim të mëtejshëm. Prandaj e ftoj opoziten të vijë e t'i përmirësoje. E ftoj të vijë gjithashtu edhe për të treguar me praninë e saj se mbështet liberalizimin e vizave, se liberalizimi i vizave do të bëhet. Ne do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe kriteret, por është në interesin më të mirë të opozitës që të dëshmojë, me praninë e saj, se nuk është kundër këtij procesi, por se është në mbështetje të këtij procesi . Është gabim t'i lësh të gjithë meritën njërës palë. Opozita le të urdhërojë, sepse ka shansin për të kontribuar në këtë proces. Axhenda është intensive, janë me dhjetëra e dhjetëra ligje jashtëzakonisht të rëndësishme që trajtojnë probleme të shumta.

Unë dua t'ju falënderoj ju për të gjithë angazhimin. Eshtë menduar që këtë vit, në këtë legjislaturë, komisioneve t'u jepet kohë më e madhe, në mënyrë që ligjet të mund të shqyrtohen, përpunohen, përmirësohen edhe më shumë në parlament. Ky parlament ka 18 vjet që prodhon, bën ligje, voton ligje demokratike, por është e domosdoshme që të synohet një cilësi e re në këto ligje. Ju i keni të gjitha kapacitetet, keni të gjithë ekspertizën fatmirësisht, ndaj edhe kohën e mjaftueshme duhet ta keni si komisione. Më vjen shume mirë për mënyrën serioze se si po i diskutoni ligjet në komisionet tuaja. E kam ndjekur kete gje dhe është shumë pozitive.


05/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›