Kryeministri Berisha zhvillon një takim me studentë të universitetit “Universum” të Kosovës
Kryeministri Berisha priti dje, në një takim, një grup studentësh të universitetit “Universum” të Kosovës. Kryeministri pati një bisedë me studentët, të cilët shfaqën interes për zhvillimet e bashkëpunimin mes dy vendeve.
Kryeministri risolli në vëmendje emocionet e publikimit pak ditë më parë, të abetares së parë të unifikuar për të gjithë shqiptarët, duke theksuar se ky moment mbart një vlerë të veçantë, nis një proces ndonëse jo të thjeshtë, për të njësuar të gjitha procedurat e praktikat. “Kombi - theksoi Kryeministri - është një, jeton në dy vende - kjo është diçka tjetër - por shqiptarët kudo që janë duhet të ndihen një komb me dy administrata, me standarde të njëjta, me kushte të njëjta dhe nuk duhet të gjejnë dallim midis Tiranës dhe Prishtinës, midis Prizrenit dhe Kukësi, midis Gjakovës dhe Shkodrës.”
Duke u ndalur në ndryshimet e mëdha që shqiptarët kanë arritur, Kryeministri tha se kombi shqiptar është një komb i ri dhe si i tillë ka dy avantazhe kryesore: është mendje hapur dhe ka energji. “Sot, - tha Kryeministri – ne sërish jemi kombi më i ri në Europë. Detyrat i kemi më të vështira si në Shqipëri dhe në Kosovë, por kemi energji dhe kemi mundësi të madhe. Ne, këtu dhe në Kosovë do të bëjmë gjithçka për shkollimin tuaj, ne do të mund të realizojmë objektivat tona, vetëm kur të vendosim kombin në binarët e dijes.”
Kryeministri e konsideroi të domosdoshme fokusimin në fushën e dijes, duke i ftuar të rinjtë ta konsiderojnë shkollimin investimin më të madh të jetës. Dy vendet kanë potenciale të jashtëzakonshme zhvillimore, ndaj duhet bërë gjithçka për një rritje cilësore, të shpejtë të softit kombëtar të dijes. “Shqipëria - tha Kryeministri - ka fondin e ekselencës dhe unë ju garantoj se secili prej jush dhe çdo shqiptar kudo që ndodhet, të fitojë të drejtën për të ndjekur 15 universitet më të mira të botës, qeveria shqiptare do t’i paguajë bursën me një kontratë, sipas të cilës, po qe student do të kthehet të punojë 7 vjet dhe po qe Doktor i Shkencave, 5 vjet.”
Dy qeveritë, tha më tej Kryeministri, do të përcaktojnë një model të përbashkët arsimimi të fëmijëve. Ne do të bëjmë gjithçka, por shumë gjëra do t’i vazhdoni ju, sepse ky është një projekt i gjatë. “Projekti i bashkimit është ideali i përjetësisë së shqiptarëve, por kjo është një periudhë, ku ne nuk kemi asnjë interes kombëtar në rivizatimin e kufijve të Ballkanit, sepse nuk duhet të pranojmë të humbasim qoftë dhe një pëllëmbë tokë dhe shqiptarët kanë nevojë për një periudhe jo të shkurtër zhvillimi në paqe dhe liri, në mënyrë që të dominojnë territoret që atyre ju përkasin, nuk kanë asnjë pëllëmbë toke të huaj dhe pastaj do të vendosin për interesin e tyre, sepse interesi kombëtar është dinamik. Njëherë ishte përmbysja e diktaturës, më pas çlirimi i Kosovës. Interesi kombëtar është dinamik, vazhdon gjithnjë pasurohet, tani interesi kombëtar është integrimi në Bashkimin Europian,” tha në përfundim Kryeministri, duke ju drejtuar njëherësh të rinjve një këshillë: Në çdo moshë, në çdo situatë, në çdo gjendje, cilido qoftë, njeriu nuk paguan gjë më të shtrenjtë, sesa po mendoi apo e ndjeu veten të lodhur ndaj interesit kombëtar.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është shumë nder dhe kënaqësi për tua, t’ju pres sot këtu, t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë time që takohem me ju dhe të ndaj me ju ndjenjat e mendimet, për zhvillimet më të rëndësishme që na interesojnë ne shqiptarëve.
Rektori Gorani theksoi se këto djem dhe vajza janë kritik. Njeriu modern është vetëm kritik. Ky është tipari kryesor i një njeriu modern dhe ne duhet ta zhvillojmë kritikën, ta mbajmë atë, si një mjet shumë të rëndësishëm për të nxitur ndryshimet. Ne shqiptarët më shumë se çdo komb tjetër, kemi nevojë të ndryshojmë, kemi nevojë të kapim kohën e tmerrshme që kemi humbur, sepse po të vështrosh kohën edhe koha ndalet, kohën e ndalin diktaturat, kohën e ndalim pushtimet. Tjetër shpejtësi ka ajo në vendet e lira, tjetër është koha e vendeve siç ishim ne në një diktaturë të paimagjinueshme dhe që bëhet gjithnjë e më e paimagjinueshme e po kështu shqiptarët në trojet e tyre në ish-Jugosllavi, në një pushtim të gjatë, të egër, mizor, i cili në të gjitha variantet kishte operativ ose në sirtarë, platformat e shkatërrimit të tyre, te pakësimit të tyre e dobësimit të tyre. Por kjo është një e shkuar. E shkuar nga e cila ne si komb kemi dhe një hipotekë jo të lehtë, kemi një trashëgimi jo të lehtë, por nga ana tjetër ne si komb kemi dhe arritje, të cilat janë të pashembulltat në Europë dhe çlirimi i Kosovës është i pashembullt është arritja absolute më e madhe e shqiptarëve, nga luftërat e Skënderbeut dhe pavarësia, që nuk ishte luftë por ishte një kryengritje dhe kishte një karakter tjetër.
Ndryshimi i statusit në mes të Europës, i status-kuosë, kjo është merita më e jashtëzakonshme, realizimi më i madh që kanë bërë shqiptarët dhe që sot janë të lirë kudo që janë. E thotë Nice: Njeriu i lirë është fëmijë i natyrës, njeriu i shtypur është turpi i tij, dhe unë e kam dashur shumë këtë filozof, pavarësisht nga interpretimet që mund ti jenë bërë, e vërteta është se ky në gjithë filozofinë e tij nuk ka asnjë synim tjetër, veçse të ftojë njeriun që të kapërceje veten e tij çdo ditë, të behët më i fuqishëm, të behët me optimist, të besojë më shumë tek vetja, ky është thelbi i tij. Ka shkruar dhe për Krishtin. Ato që shkruan për Krishtin nuk i ka se ai ishte i anti-krishterë, jo. Mendonte se kryqëzimi është një shenjë dorëzimi dhe ai me këtë nuk pajtohej. E thashë këtë se në gjithë këtë histori, ne kemi shumë dhimbje të shkuara, shumë drama. Dje mendoja abetaren. Janë shkruar ndoshta 160 abetare nga e para deri më sot, por vetëm kjo mundi të ishte e përbashkët, jo se shqiptarët nuk donin, do të kishin dashur që në Lidhjen e Prizrenit ta vendosin, por nuk mundnin dhe nuk i lejonin.
Është e rëndësishme që shoqëria shqiptare, këtu në Kosovë në Maqedoni dhe kudo që është, administratat të bëjnë gjithçka për të njësuar çdo gjë dhe ky nuk është një proces i thjeshtë, jo. Ky është një proces shumë voluminoz, një proces që kalon në mijëra përpjekje procedura dhe praktika, por më vjen shumë mirë që u nis me abetaren dhe do bëjmë gjithçka që të vazhdojë me çdo gjë tjetër. Kombi është një, jeton në dy vende kjo është diçka tjetër, por shqiptarët kudo që janë duhet të ndihen një komb me dy administrata me standarde të njëjta, me kushte të njëjta dhe nuk duhet të gjejnë dallim midis Tiranës dhe Prishtinës, midis Prizrenit dhe Kukësi, midis Gjakovës dhe Shkodrës. Pra, ky është një proces i cili ka qenë i bllokuar për arsye nga më të shumtat. Këtë proces ne duhet ta çojmë përpara.
Në Shqipëri në Kosovë, ne si shqiptarë, kemi plot probleme dhe trashëgimi të vështira, por kemi dhe avantazhe shumë të mëdha. Avantazhi i parë është mosha që ka kombi. Ju e keni të vështirë, profesori e di sesi ka qenë Shqipëria 22 vjet më parë. 22 vjet më parë unë prita në shtëpinë time Adem Demaçin, kishte bërë 28 vjet burg dhe ato 28 vjet i kishte bërë çdo ditë duke u lutur për Zotin dhe bacën Enver, sepse Ademi ishte një patriot , një qendrestar dhe që si të gjithë shqiptarët në atë kohë kishte një ëndërr, bashkimin e trojeve shqiptare dhe kur erdhi këtu, më bëri disa pyetje për lëvizjen dhe për Partinë Demokratike dhe unë i thashë që të zgjedhë cilëndo pjesë të Shqipërisë që të shkonte dhe ta vizitonte , të shkonte në veri, apo në jug ku të donte dhe kur të kthehej të bisedonim. E bëri këtë dhe kur u kthye më tha, se as në luftë nuk mund të ishte shkatërruar vendi në këtë mënyrë dhe e tha edhe publikisht këtë.
Jua thash këtë, sepse po të më pyesësh mua sesi ka mundësi që brenda 20 vjetësh vendi të ketë ndryshuar kaq shumë. Nuk ka ndonjë vend tjetër që të ketë ndryshuar më shumë sesa Shqipëria, absolutisht, në shifra në fakte dhe në çdo gjë. 204 dollarë kanë qenë të ardhura për frymë në vitin 1992, i ka pasur më të ulta se Shqipëria, Angola dhe Uganda, kurse në vitin ‘89 ka qenë vetëm Shqipëria dhe Angola. Kjo ishte situata në të cilën e katandisi hiperkolektivizmi total, por gjithë këto ndryshime janë realizuar sepse ishim komb i ri. Cilat janë avantazhet e një kombi të ri. Dy janë më kryesore, është mëndje hapur dhe ka energji, nuk ka gjë më të rëndësishme. Kështu që sot sërish ne jemi kombi më i ri në Europë, detyrat i kemi më të vështira si në Shqipëri dhe në Kosovë, por kemi energji dhe kemi mundësi të madhe. Ne këtu dhe në Kosovë, do të bëjmë gjithçka për shkollimin tuaj, ne do të mund të realizojmë objektivat tona, vetëm kur të vendosim kombin në binarët e dijes, nuk ka asgjë më jetike për zhvillimin tonë, për arritjen plotësisht në familjen e kombeve të zhvilluara sesa dija dhe vendosja e kombit në shinat e dijes. Ndaj dhe unë shpreh nderim tim për ju, për studentët dhe studentet e Shqipërisë dhe Kosovës kudo që janë. Natyrisht, ky është një proces, i cili nuk konsolidohet përnjëherë, por kur qeveritë e mbajnë prioritet, në epiqendër, qeveritë ndikojnë. Qeveritë mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme në rritjen e shoqërisë. Vendosja e shoqërisë në binarët e dijes, kjo ka edhe statistika, në SHBA rreth 32% e popullatës është me shkollë të lartë, në vendet e e veriut, Europa e ka pak më ulët është rreth 25-26%, në Shqipëri është rreth 7% ka, qenë 2.8% dhe po ecën, por do kohë. Kjo është sasi, sepse cilësia pastaj është një etapë tjetër e rëndësishme.
Asgjë nuk më rëndësi sesa të vendosim kombin mbi binarët e dijes dhe ekonomia, e cila përcakton prosperitetin dhe zhvillimin e saj duhet të bazohet mbi dijen, në mënyrë që të krijojë vlera më të mëdha. Ndaj e shoh me shumë interes, sa më shumë të hapemi në drejtim të shkollimit të të rinjve, sa më shumë të investojmë për ekselencat, për më të mirët prej jush, Shqipëria ka fondin e ekselencës dhe unë ju garantoj se secili prej jush dhe çdo shqiptarë kudo që ndodhet, të fitojë të drejtën për të ndjekur 15 universitet më të mira të Botës, qeveria shqiptare, do ti paguajë bursën me një kontratë, që po qe student do të kthehet të punojë 7 vjet dhe po qe Doktor i Shkencave 5 vjet. Po bëjmë gjithçka që të sjellim softin tonë në Shqipëri, softin tonë në perëndimi. Unë isha në Itali, 26 mijë student shqiptarë janë në universitete italiane, absolutisht më të shkëlqyerit janë, më thonë italianët dhe kjo është e vërtetë. Po kështu kemi me dhjetëra e mijëra në vende të tjera. Ne duhet të bëjmë çdo gjë, që të bëhemi sa më tërheqës për një rritje cilësore të shpejtë të softit tonë kombëtar të dijes, sepse ne potencialet i kemi të jashtëzakonshme.
Shqipëria dhe Kosova janë vende shumë të pasura në rrafshin natyrore, me burime natyrore të mëdha për çdo vend të madh, por këto duhet të shndërrohen në vlera dhe vlerat shndërrohen nëpërmjet dijes dhe investimeve, kështu që për ne mbetet dhe do të mbetet përparësi investimi për rininë dhe në arsimimin e tyre, për në mbetet dhe do të mbetet përparësi njësimi i të gjitha praktikave, Do t’ju tregoj diçka. Isha në Izrael dhe presidenti Shimon Peres më flet mirë për palestinezët, më thotë se këta janë njerëz të zot, dhe po të shkosh në Ramallah, atje gjen një qytet perëndimor. Kur dola nga takimi kisha gazetarë më vete dhe ju thash atë që më tha presidenti Peres. Ata të nesërmen në mëngjes ishin nisur dhe kishin shkuar në Ramallah dhe më thanë se kur kishin shkuar atje nuk kishte postbllok asgjëkund, ndërsa ne për të shkuar në Prizren kemi postbllok. Jua dhashë këtë shembull, se ne do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar çdo gjë që të mos ketë as njëlloj dallimi, se je në Gjakovë apo je ne Bajram Curri, je në Prishtinë apo je në Tiranë, kjo jo vetëm sepse është një detyrim madhor kombëtar, sepse shqiptarëve ndarjen jua kanë imponuar të tjerë, nuk është se i kanë dashur vetë, por kjo është e rëndësishme për çlirimin dhe efiçensën e energjisë kombëtare për zhvillimin e vendit, sepse në këtë mënyrë krijohet një treg shumë më i gjëra, në këtë mënyrë mendimi lëviz shumë më lirshëm, në këtë mënyrë zhvillimi i Shqipërisë dhe Kosovës merr shpejtësi të reja
Dhe njëherë dua t’ju falenderoj shumë përzemërsisht, t’ju siguroj që ne do të bëjmë gjithçka që të ecim dhe të punojmë për idealin e Bashkimit Kombëtar . Ëndrra e Bashkimit Kombëtar ka qenë ëndrra më fisnike e tyre, ideali i bashkimit të shqiptarëve është ideali i përjetësisë së tyre, sepse shqiptarët po ti vështroni historinë kanë ditë të jenë të bashkuar, është shumë interesante dhe e dhimbshme historia jonë, por ka dhe disa aspekte të interesante. Për ju është shumë e vështirë ta imagjinoni, por ne realisht kemi qenë komb i izoluar.
Para diktaturës, po të shkoni në Gramsh ju gjeni atje një larmi kostumesh popullore të barabarta me të një shtet, ose po të shkoni në Tropojë. Pse? Se e gjithë bota e Tropojës shtrihej deri në Gjakovë, ose e gjithë bota e Gramshit maksimumi shtrihej deri në Elbasan. E thotë një studiues i madh Jonas Hahn, në një libër të shkruar në 1843, flet për kombin e izolimit dhe kombin e emigrimit, dy të vërteta të mëdha për ne. Pse izolim? Sepse nuk kishim infrastrukturë. Ju jeni student ekonomie. Një profesor i shquar që erdhi nga Lidhja e Kombeve për të studiuar ekonominë shqiptare në vitin 1922, Albert Kalme thoshte se për prodhimet e Vlorës, shkodranët duhet të shkojnë në Bari të Italisë për t’i blerë, se nuk mund të shkojnë nga Shkodra në Vlorë se nuk kanë rrugë por dhe vlonjatët prodhimet e Shkodrës duhet të shkonin në Bari për ti blerë. Pra mungesa e një infrastrukturës si dhe vendimi i shqiptarëve për të jetuar në male jashtë rreziqeve ka bërë që ne të jemi realisht dhe të vijmë në ditët e vonshme si një komb i izolimit dhe tani kjo ka marrë fund, kjo i përket së shkuarës dhe tani me energji të çliruara, ne do të ecim më shpejt se çdo komb tjetër.
Ndaj dhe ju siguroj që ne do të punojmë shumë në këtë drejtim. Është ndërtuar rruga duhet të ndërtohet hekurudha është e domosdoshme hekurudha, sepse transporti me kontejnerë është transporti më i leverdishëm tokësor dhe kontejner është më lehtë me trena. Ata që e ndërtuan e çuan drejt Malit të Zi, ata shmangën Kosovën në një akt antikombëtar, por dhe një akt shumë anti-ekonomik, sepse është tjetër hekurudha që kalon maleve dhe është tjetër hekurudha që kalon nga Morina deri në Berlin dhe kalon fushave. Pra, duhet të ndërtojmë hekurudha.
Duhet të njësojmë tekstet duhet të njësojmë arsimin para universitar. Ne po punojmë për modelin filandez. E kemi përzgjedhur modelin finlandez, sepse ka qenë një vend i varfër 30-40 vjet më parë, ka disa vite që qëndron në krye të botës përsa i përket arsimit parauniversitar. Të dy qeveritë do të ulen dhe do të përcaktojnë një model të përbashkët arsimimi të fëmijëve. Ne do të bëjmë gjithçka, por shumë gjëra do t’i vazhdoni ju, sepse ky është një projekt i gjatë. Projekti i bashkimit është ideali i përjetësisë së shqiptarëve, por kjo është një periudhë ku ne nuk kemi asnjë interes kombëtar në rivizatimin e kufijve të Ballkanit, sepse nuk duhet të pranojmë të humbasim qoftë dhe një pëllëmbë tokë . Shqiptarët kanë nevojë për një periudhe jo të shkurtër zhvillimi në paqe dhe liri, në mënyrë që të dominojnë territoret që atyre ju përkasin, nuk kanë asnjë pëllëmbë toke të huaj dhe pastaj do të vendosin për interesin e tyre, sepse interesi kombëtar është dinamik. Njëherë ishte përmbysja e diktaturës, më pas çlirimi i Kosovës. Interesi kombëtar është dinamik, vazhdon gjithnjë pasurohet. Tani interesi kombëtar është integrimi në Bashkimin Europian.
Do ta mbyll me një këshillë miqësore. Në çdo moshë, në çdo situatë, në çdo gjendje, cilido qoftë, njeriu nuk paguan gjë më të shtrenjtë, sesa po mendoi apo e ndjeu veten të lodhur ndaj interesit kombëtar. Ai është interesi i të gjitha interesave dhe po e mendoi ndryshe, e paguan shumë shtrenjtë, po i qëndroi absolutisht e ka shumë më të lehtë ndërtimin e jetës së tij dhe perspektivën e tij. Ndonjëherë kërkon sakrifica, por sakrificat janë themeli i arritjeve njerëzore.
Unë ju falenderoi shumë për këtë vizitë dhe ju uroj shumë suksese”.
19/05/2012