E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi rajonal për TIK në Tiranë. Ministri Pollo: Ambicia jonë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, është zbatimi i projektit Shqipëria Digjitale

Përfaqësues të biznesit dhe të shteteve të rajonit të Evropës Juglindore morën pjesë sot në një takim rajonal për Shoqërinë e Informacionit, organizuar nga USAID dhe shoqata AITA. Ndër folësit kryesorë në këtë takim ishin z. Genc Pollo Ministër për Inovacionin dhe TIK, z. Joseph Williams drejtori i Misionit të USAID-it në Shqipëri, z. Dritan Mezini kryetar i shoqatës AITA, si dhe znj. Roberta Mahoney nga zyra USAID Washington.

Gjatë fjalës së tij Ministri Pollo prezantoi disa nga arritjet e Shqipërisë në teknologjinë e informacionit e komunikimit, si “Zbatimi i projektit e-schools, në 2005-ën, me pajisjen e shkollave dhe universiteve me laboratorë komjuterikë, të lidhur me internet. Gjithashtu, - përmendi Ministri, -është digjitalizuar procesi i pranimeve në universitete, duke rritur efikasitetin dhe uljen e mundësisë së akteve korruptive. Ne jemi përpjekur këta pesë vitet e fundit të kthejmë çdo aktivitet qeveritar në një e-shërbim dhe kemi qenë të asistuar edhe nga USAID, Banka Botërore e partnerë të tjerë.”

“Një nga projektet madhore për të cilën po punojmë aktualisht është Interoperabiliteti, që do të thotë që të gjitha ministritë dhe agjencitë qeveritare, që disponojnë një databazë duhet të jenë të ndërlidhura dhe të shkëmbejnë informacionin mes tyre, pra të ndërveprojnë, duke kursyer kohë. Sot këto veprime kërkojnë ditë, pas këtij projekti, këto veprime do të kërkojnë disa sekonda dhe ky është një përmirësim revolucionar në mënyrën se si agjencitë i shërbejnë qytetarëve dhe bizneseve.”

“Por, - vijoi Ministri, -në mënyrë që të avancojmë me gjithë këto projekte duhen kapacitete njerëzore dhe aftësi të caktuara. Dhe kjo është arsyeja pse vitin e fundit është katër-fishuar numri i studentëve që studiojnë në fushën e TIK. Ne kemi ngritur, në bashkëpunim me USAID-in dhe partnerë të tjerë, qendrën PROTIK, që do të jetë operativ këtë shtator. Kjo qendër do të trajnojë profesionistë në këtë fushë, do të krijojë mundësi networking-u me IT në gjithë botën dhe do të jetë vendi ku do të shkëmbehen përvojat më të mira në këtë sektor.”

“Në mënyrë që ta bëjmë internetit të aksesueshëm në gjithë vendin, së bashku me Postën shqiptare, po zbatojmë projektin Pikat e Aksesit Publik (PAP), ku qytetarët në gjithë Shqipërinë mund të navigojnë në internet, falas, në 550 zyrat e Postës shqiptare. Këtë viti numri i pikave të internetit falas do të rritet në 1000 në gjithë vendin.”

“Avancime janë bërë edhe në rregullimin e kuadrit të duhur ligjor, në përputhje me Acquis Communautaire dhe në bashkëpunim me rregullatorin AKEP. Rregullimet ligjore,  p.sh:, në fushën e telekomunikacionit, në një fushë ku dora e fshehtë e konkurrencës nuk është e mjaftueshme, kanë bërë të mundur uljen e çmimeve të bisedave telefonike, që para disa vjetësh në Shqipëri kanë qenë më të larta se në Francë apo Gjermani.”

“Sa i përket transferimit nga sistemet analoge në digjitale, ne kemi hartuar një strategji që presim ta miratojmë pas konsultimit final me operatorët radio-televizivë. Ky kalim do të krijojë dividentin digjital, pra breza frekuencash të lira për të zhvilluar komunikimet elektronike për të gjithë operatorët e interesuar.”

“Lidhur me mbrojtjen kibernetike, Qeveria ka krijuar ALCIRT-in, një agjenci në Kryeministri, e cila në bashkëpunim me Carnegie Mellon, i kontraktuar nga USAID për të na mbështetur, do të zhvillojë sistemet tona mbrojtëse, kapacitetet njerëzore, shkëmbimin e njohurive të duhura për fushën përkatëse, në mënyrë që sistemet online, që po zhvillojmë, të jenë të mbrojtura nga çdo ndërhyrje jomiqësore.”

Ministri Pollo e mbylli fjalimin e tij duke përsëritur se në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ambicia e Qeverisë është zbatimi i plotë i projektit të Shqipërisë Digjitale. Dhe për këtë, përfundoi Ministri, kemi parashikuar buxhetin përkatës, por do të na ndihmojnë edhe partnerët tanë dhe forume të këtij lloji.


18/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›