Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e sezonit turistik në Shëngjin dhe inaugurimin e veprave infrastrukturore
Kryeministri Berisha vizitoi dje pasdite, komunën e Shëngjinit, në qarkun e Lezhës, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, si dhe në çeljen e sezonit turistik për këtë vit. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Eugen Wollfarth dhe kryetari i komunës së Gjakovës.
Inaugurimet më të reja në komunën e Shëngjinit, të cilat përbëjnë investime me vlerë prej 1 miliardë lekë (të reja), përfshijnë punime të përfunduara, fillim punimesh, si dhe punime të tenderuara për vepra infrastrukturore që do të fillojnë së shpejti.
Më konkretisht, sot filloi puna për rikonstruksionin e Shëtitores “Willson” me vlerë 160 milionë leke, si dhe përfunduan punimet për rikonstruksionin e rrugës Autostrade-Ishull Shëngjin, me vlere 30 milionë lekë. Ndërkohë që pritet të nisin brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe, punimet për ndërtimin e rrugës Shëngjin – Kune, me gjatësi 5.3 km dhe vlerë 4 milionë euro, e cila është tenderuar tashmë, si dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ në zonën e Shëngjinit me vlerë 4 milionë dollarë.
Këto investime, që iu bashkohen një sërë investimeve të kryera vitet e fundit në komunën e Shëngjinit, kompletojnë më së miri infrastrukturën e saj me standardet moderne e bashkëkohore të rrugëve europiane, duke e shndërruar Shëngjinin në një qendër turistike mjaft tërheqëse për vizitorët e huaj dhe ata vendas.
Në qarkun e Lezhës, gjatë këtyre viteve të fundit investimet janë 15 herë më të larta, sesa në qeverisjet e mëparshme. Në të gjithë qarkun janë ndërtuar mbi 330 kilometra rrugë, ku vetëm në rrethin e Lezhës janë 178 kilometra, nga të cilat 25 kilometra autostradë. Gjithashtu janë ndërtuar 69 shkolla, 26 ujësjellës, 32 qendra shëndetësore e ambulance dhe janë subvencionuar mbi 400 hektarë në pemëtari, ullinj, vreshta e bimë are.
Duke vendosur në mënyrë simbolike gurin e parë në fillimin e punimeve për shëtitoren e qytetit, Kryeministri u shpreh se ajo do të jetë nga shëtitoret më moderne të brigjeve të Shqipërisë.
Në përshëndetjen drejtuar banorëve dhe autoriteteve lokale, jo vetëm të qarkut të Lezhës, por edhe atyre të ardhur nga Kosova, Kryeministri uroi për një sezon turistik sa më të mbarë dhe shprehu angazhimin e qeverisë për të bërë gjithçka që kushtet e jetesës dhe të mikpritjes për banorët e zonës të përmirësohen çdo vit e më shumë. “Unë jam sot këtu për tu premtuar ju se në vitet që vijnë investimet për ju, për Lezhën , për Kurbinin, për Mirditën dhe mbarë Shqipërinë do të shumëfishohen, ndaj dhe le të bëjmë gjithçka që ky sezon turistik të jetë sezoni më i bukur që miqtë tanë nga të gjitha vendet që vijnë në Shqipëri të kenë përjetuar ndonjëherë.”
Kryeministrit Berisha iu akordua nga banorët e komunës titulli i mirënjohjes së qytetit të Shëngjinit me motivacionin “Për vëmendjen dhe përkushtimin e veçantë që keni dëshmuar si kryeministër dhe si lider politik për zhvillimin e komunës së Shëngjinit nëpërmjet mbështetjeve dhe financimeve të një morie projektesh me vlerë.”
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të çelim sot së bashku, këtu në Shëngjin sezonin turistik të vitit 2012. Le të urojmë së bashku një sezon të mbarë. Le të urojmë të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë dhe të huaj që përzgjedhin Shëngjinin, brigjet shqiptare, malet e saj dhe mbarë Shqipërinë për të kaluar pushimet, pushime sa më të mbara. Gjithashtu jam sot këtu për tua angazhuar para jush se qeveria do të bëjë gjithçka që çdo vit kushtet e mikpritjes suaj, kushtet e banimit, të jetesës, të argëtimit, të miqve e vizitorëve, por edhe tuajat të bëhen gjithnjë e më të mira.
Turizmi është shndërruar sot në një degë kryesore të ekonomisë shqiptare, nga një diçka pothuajse e parëndësishme. Kështu, 7 vjet më parë, Shqipëria priste gjithsej 300 mijë turistë dhe vizitorë, ndërsa vitin që kaloi, Shqipëria priti mbi 4 milion turistë dhe vizitorë. Vitet e fundit Shëngjini, me mikpritjen e tuaj, bujarinë tuaj, qytetarinë tuaj dhe vlerat e mëdha që ka bregu dhe mjedisi i tij, ujërat dhe i tërë kompleksi është shndërruar në një pol të fuqishëm të turizmit në Shqipëri. Vetëm Shëngjini dhe Lezha kanë pritur vitin e kaluar turistë dhe vizitorë, aq sa ka pritur e gjithë Shqipëria, në vitin 2004.
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Sot prita në zyrë , një ekip televiziv të një vendi mik , të cilët kishin ardhur nga larg pwr tw qëndruar disa ditë në Shqipëri. E pyeta gazetarin se -ç’të shtyu të vish në Shqipëri-, dhe ai mu përgjigj - erdha sepse lexova në një gazetë të madhe gjermane, një shkrim me titull “Shqipëria, misteri i Evropës për tu zbuluar” dhe unë sot,- më thotë gazetari-me ekipin tim kam kaluar disa ditë këtu dhe jam mahnitur me bukuritë e rralla që nuk i kisha parë kurrë më parë. Gjeta një vend me bukuri jashtë imagjinatës sime, me brigje, me male, me njerëz të mrekullueshëm dhe mikpritës. Por, ndwr tw tjera ky mik më thotë - e tërë kjo bukuri e cila pret për tu njohur nga Evropa dhe bota e ka një problem dhe ky problem janë hedhurinat, të cilat i kap syri rëndom aty ku s’duhet. Unë ju përgjigja - keni të drejtë, ky është problemi ynë, por i thashë se jam optimist që ne do të dimë gjithnjë e më shpejt e më mirë ta trajtojmë këtë problem, do të dimë që ashtu siç mbajmë të pastra shtëpitë tona, ashtu siç mbajmë të pastra lokalet tona, ashtu siç mbajmë të pastra restorantet tona, të mbajmë të pastër dhe mjedisin përreth. Ndaj dhe thirrja ime ndaj jush, ndaj të gjithë shqiptarëve, burrave dhe grave, fëmijëve dhe të moshuarve, është të mendojmë se si ta mbajmë sa më pastër mjedisin përreth shtëpive tona, buzë rrugëve tona, para dyqaneve tona, restoranteve tona, le ti japim Shqipërisë ne, atë pastërti që meriton. Një kthesë ka filluar dhe unë jam i bindur se së bashku do ta bëjmë Shqipërinë një nga vendet më të pastra të rajonit. Shqipëria është vendi më i bukur dhe e meriton këtë.
Zoti kryetar,
Kam kënaqësinë që sot së bashku inaugurojmë punime të përfunduara, fillim punimesh, punime të tenderuara rreth 1 miliard lekë të reja të investuara këto në një nga shëtitoret më moderne të brigjeve të Shqipërisë që nis ndërtimin sot, të investuara në një sistem kanalizimesh të domosdoshëm për këtë qytet prej rreth 4 milion dollarë , të investuara në rrugën që sapo inauguruam Autostradë-Ishull Shëngjin, me vlerë 30 milionë dhe të investuara në rrugën e bukur që do të fillojë brenda 10 ditëve ndërtimi i saj, rrugë e cila është tenderuar tashme Shëngjin-Kune me një vlerë 4 milion euro.
Gjatë këtyre viteve në qarkun e Lezhës me financimet e qeverisë janë ndërtuar janë ndërtuar mbi 330 km rrugë, ku vetëm në rrethin e Lezhës janë 178 km nga te cilat 25 km autostrade. Gjithashtu janë ndërtuar 69 shkolla, 26 ujesjellesash, 32 Qendra shëndetësore e ambulance dhe janë subvencionuar mbi 400 hektarë ne pemëtari, ullinj, vreshta e bime are.
Unë jam sot këtu për tu premtuar ju se në vitet që vijnë investimet për ju, për Lezhën, për Kurbinin, për Mirditën dhe mbarë Shqipërinë do të shumëfishohen, ndaj dhe le të bëjmë gjithçka që ky sezon turistik të jetë sezoni më i bukur që miqtë tanë nga të gjitha vendet që vijnë në Shqipëri të kenë përjetuar ndonjëherë. Dua të përshëndes përzemërsisht kryetarin e komunës së Gjakovës, të përshëndes qytetarët e këtij qyteti, ti ftoj ata dhe mbarë qytetarët e Kosovës të kalojnë pushimet në Shqipëri, por tu ftoj ju, mbarë qytetarëve shqiptarë të vizitoni Prizrenin, Pejën, malet e Sharrit, Grykën e Rugovës, Prishtinën, të vizitojnë Drenicën dhe do të shohin, do të zbulojnë bukuritë mahnitëse. Në këtë mënyrë ne ndajmë së bashku edhe gëzimet që meritojmë.
19/05/2012