E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (NAAC)

18 maj 2012
Nju-Jork, SHBA

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune me Drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (NAAC) Riçard Lukaj, Martin Shkreli dhe Louis Fundo në të cilin ishin të pranishëm gjithashtu anëtarë të këtij Këshilli të rëndësishëm që përfaqësojnë dhe lobojnë në Amerikë për të drejtat dhe interesat e shqiptarëve kudo ku ndodhen.

Duke shprehur kënaqësinë e veçantë të këtij takimi, Presidenti Topi vlerësoi kontributin e pandërprerë të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në mbrojtjen e çështjeve të shqiptarëve dhe ndjekjen në vijueshmëri të proceseve demokratike në Shqipëri. Me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se “një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë luajtur dhe luajnë edhe organizatat serioze e jofitimprurëse si NAAC-u, të cilat japin një ndihmesë të çmuar edhe për mbarë diasporën shqiptare”.

Duke bërë një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve më të fundit në vend, kryesisht atyre politike, Presidenti Topi shprehu besimin në përparimin e pandalshëm dhe prosperitetin e Shqipërisë demokratike në të gjitha drejtimet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të institucioneve dhe klasës politike shqiptare për të dhënë kontributin e duhur në vazhdimin e reformave jetike për vendin, sidomos për të përmbushur standardet integruese dhe realizimin e aspiratës së mbarë popullit për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Nga ana e tyre, Drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, zoti Riçard Lukaj, Martin Shkreli dhe Louis Fundo falënderuan Presidentin Topi për bisedën e ngrohtë e miqësore, duke vlerësuar lart rolin institucional, kushtetues dhe moderator të Kreut të Shtetit jo vetëm në ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese shqiptare, por edhe të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe në shërbim të forcimit të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan.

Zoti Lukaj bëri një paraqitje të detajuar të aktiviteteve të Këshillit dhe të punës së vazhdueshme në ndihmë të çështjeve të shqiptarëve pranë institucioneve përkatëse amerikane, duke nënvizuar si të një rëndësie të veçantë jo vetëm rolin dhe kontributin e çmuar të shtetit shqiptar, por dhe atij të Kosovës e të faktorit shqiptar në Maqedoni, Mal të Zi e më gjerë, në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›