E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një takim me z. Pieter Feith, drejtues i Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe përfaqësues i BE në Kosovë

Kryeministri Berisha u takua sot me drejtuesin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe përfaqësues i Bashkimit Europian në Kosovë, zotin Pieter Feith.  

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, zoti Feith u shpreh se ndodhet këtu me misionin për të mbështetur shtetin më të ri të Europës, Republikën e Kosovës, institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të konsoliduar demokracinë, shtetin ligjor, respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, si dhe për të punuar me prioritet maksimal për perspektivën euroatlantike të Kosovës si e ardhmja më e mirë dhe e sigurt për Kosovën dhe për paqen e stabilitetin në rajon. Në këtë kontest, zoti Feith e falënderoi Kryeministrin Berisha për vizitën e tij zyrtare në Kosovë, duke e cilësuar këtë vizitë dhe mesazhet që Kryeministri dha si një inkurajim të madh për punën e autoriteteve të Kosovës, por edhe të organizmave si Grupi Drejtues Ndërkombëtar në përpjekjet e përbashkëta për të ndihmuar shtetin më të ri të Europës, Republikën e Kosovës.

Kryeministri Berisha e falënderoi për pritjen e përzemërt dhe i shprehu mirënjohjen tij të thellë për të gjithë punën që zoti Feitth dhe Grupi që ai drejton po bën, për ndihmën e Bashkimit Europian që ai gjithashtu përfaqëson, për kontributin e tyre në konsolidimin e institucioneve në Kosovë dhe ndihmën që ata po japin që Kosova të eci përpara me reformat në të gjitha fushat e të njihet sa më shpejt pavarësia e saj, si dhe për ta përgatitur Kosovën për perspektivën e saj të integrimit në NATO dhe BE.

Kryeministri Berisha e konsideroi perspektivën e Kosovës  në NATO dhe BE si rruga më e mirë që do t’i ofrojë autoriteteve të Kosovës, qeverisë, institucioneve një udhërrëfyes të shkëlqyer për ecjen përpara me reformat, për konsolidimin e shtetit më të ri, të lirë e demokratik të Kosovës.

Kryeministri Berisha i shprehu zotit Pieter Feith dhe misionit që ai drejton përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare e të Shqipërisë. Ai u shpreh se Shqipëria do të vijojë të mbështesë e të përkrahë Kosovën në të gjitha fushat, në veçanti të inkurajojë dhe përkrahë qeverinë e Kosovës në projektet e saj për forcimin e të gjitha garancive për respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

Kryeministri Berisha u shpreh më tej se është shumë i impresionuar me ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në Kosovë përsa i përket rindërtimit të vendit, konsolidimit të institucioneve demokratike, standardeve më të gjëra e të larta që autoritetet e Kosovës kanë përqafuar përsa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu kontributin e EULEX dhe të Bashkimit Europian në Kosovë.

Të dyja palët u shprehën se me këto ritme impresionuese, me të cilat po zhvillohet e po ecën përpara Kosova në të gjitha fushat dhe konsolidimin e institucioneve, e ardhmja e Kosovës duket shumë optimiste.

Zoti Pieter Feith është përfaqësues i Bashkimit Europian dhe drejton Grupin Drejtues Ndërkombëtar, që është krijuar më 28 shkurt 2008, nga 25 shtete, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka si mision të ndihmojë në njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe ta përkrahë atë në rrugën e saj të zhvillimit.


07/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›